Bota23 Maj 2023, 18:28

Atentat apo atak në zemër? Zv/ministri rus vdes në rrethana misterioze, Putin vazhdon eliminimin e kundërshtarëve?

Shkruar nga Pamfleti

Atentat apo atak në zemër? Zv/ministri rus vdes në rrethana

Që nga nisja e luftës në Ukrainë, në një mënyrë apo në tjetrën Putini është munduar që të shuaj zërat kundër. Sipas asaj që pretendojnë shumë analistë dhe njerëz të afërt me Kremlinin, vdekjet misterioze dyshohet se janë punë e brendshme e Kremlinit, urdhëruar nga Putini për të shuar zërat në rrethin e tij të ngushtë që mund t’i rrezikojnë pushtetin...

Vargu i vdekjeve misterioze mes elitave ruse vazhdon ende. Një tjetër politikan rus u raportua se vdiq nga ende shkaqe të panjohura, pasi u sëmur në një avion të shtunën.

Zëvendësministri rus i Shkencës dhe Arsimit të Lartë, Pyotr Kucherenko, 46 ​​vjeç, vdiq teksa po kthehej nga një udhëtim në Kubë të shtunën, sipas asaj që raporton ministria.

“Kucherenko po ndihej i sëmurë ndërsa ishte në një aeroplan me një delegacion rus që po kthehej nga një udhëtim pune në Kubë. Avioni u ul në qytetin Mineralnye Vody, ku mjekët u përpoqën të ndihmonin”, tha ministria në një deklaratë të postuar në faqen e saj të internetit, duke shtuar se ministri nuk mund të shpëtohej.

Familja e Kucherenkos tha se vdekja e tij mund të ketë qenë nga një sëmundje e zemrës, por sipas transmetuesit shtetëror Zvezda një ekzaminim mjeko-ligjor do të mbahet të mërkurën për të  përcaktuar shkaqet sakta të vdekjes.

Duke folur me gazetarët të martën, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se nuk ishte në dijeni të shkakut të vdekjes së Kucherenkos.

Ndërkohë ajo që ka ngritur dyshime është deklarata e gazetarit rus, Roman Super, i cili u largua nga Rusia menjëherë pasi ajo pushtoi Ukrainën shkurtin e kaluar. Në një deklaratë në kanalin e tij Telegram ai tha se kishte folur me Kucherenkon "vetëm ditë" përpara se të arratisje nga vendi dhe shtoi se ai i kishte rrëfyer se kishte frikë për sigurinë e tij dhe e inkurajoi atë të largohej nga Rusia.

“Shpëtoni veten dhe familjen tuaj. Largohu sa më shpejt. Nuk mund ta imagjinoni shkallën e brutalizimit të shtetit tonë. Në një vit nuk do ta njihni fare Rusinë. Duke u larguar ju po bëni gjënë e duhur”, citoi gazetari rus, Kucherenko.

Gazetari vazhdoi më tej të tregonte për bisedën me zv/ministrin, ku tha se e kishte pyetur atë nëse dëshironte të largohej nga vendi dhe ai i ishte përgjigjur se kjo ishte e pamundur.

“Nuk është më e mundur të bëhet një gjë e tillë. Na heqin pasaportat. Dhe nuk ka një botë të tillë ku ata tani do të jenë të lumtur me zëvendësministrin rus pas këtij pushtimi fashist”, tha gazetari rus duke cituar fjalët e zv/ministrit.

Gazetari shtoi më tej se Kucherenko i tha atij se kishte marrë ilaqe kundër depresionit dhe qetësuesit për t’i bërë ballë presionit dhe stresit të madh.

“Unë i pi ato në grushta. Dhe nuk ndihmon shumë. Unë mezi fle. Ndihem tmerrësisht. Të gjithë jemi marrë peng. Askush nuk mund të thotë asgjë. Përndryshe, ne jemi të shtypur menjëherë si insekte”, cito gazetari të ketë thënë zv/ministri.

Ndërkohë prej kohësh është raportuar se zyrtarëve të lartë rusë në Kremlin dhe në rajonet e aneksuara u është ndaluar të largohen nga postet e tyre. IStories, një media investigative online me bazë jashtë Rusisë dhe e drejtuar nga një gazetar i njohur Roman Anin, raportoi javën e kaluar se disa guvernatorë, zyrtarë brenda forcave të sigurisë dhe njerëz nga administrata presidenciale ishin përpjekur të largoheshin, por nuk ishin lejuar.

Vdekjet misterioze brenda rrethit të ngushtë të Kremlinit vetëm sa vijnë dhe shtohen

Vdekja e Kucherenkos nuk është vdekja e parë e pashpjegueshme ruse që ngjall interes. Të paktën 13 biznesmenë rusë të profilit të lartë thuhet se kanë vdekur nga vetëvrasja ose në aksidente të pashpjegueshme vitin e kaluar, me gjashtë prej tyre të lidhur me dy kompanitë më të mëdha të energjisë ruse.

Manjati rus i sallamit, i kthyer në ligjvënës, Pavel Antov , vdiq në Indi në dhjetor pasi u rrëzua nga kati i tretë i hotelit të tij, sipas policisë indiane.

Vdekja e Antov erdhi pasi shoku i tij dhe shoqëruesi i udhëtimit Vladimir Budanov vdiq nga një atak në zemër në ditëlindjen e 65-të të Antovit, dy ditë më parë, sipas policisë.  Budanov ishte 61 vjeç dhe kishte një sëmundje paraekzistuese të zemrës, tha policia, duke shtuar se ata besonin se vdekja e Antov ishte një vetëvrasje.

Alexander Buzakov, kreu i një kantieri detar të madh rus që specializohet në ndërtimin e nëndetëseve jo-bërthamore, vdiq papritur në dhjetor, pa asnjë shkak vdekjeje të dhënë nga autoritetet.

Anatoly Gerashchenko, ish-rektori i Institutit të Aviacionit të Moskës, vdiq në një aksident të paspecifikuar në shtator, sipas një deklarate nga instituti. Kryetari i Lukoil Ravil Maganov vdiq në fillim të shtatorit pasi ra nga dritarja e një spitali në Moskë, sipas TASS.

Në mes të shtatorit, biznesmeni rus, Ivan Pechorin, i cili ishte menaxheri kryesor i Korporatës për Zhvillimin e Lindjes së Largët dhe Arktikut, u gjet i vdekur në Vladivostok, sipas mediave shtetërore ruse. Sipas mediat rajonale Pechorin u mbyt më 10 shtator pranë Kepit Ignatyev në Vladivostok.

Një tjetër menaxher i lartë i Lukoil, Alexander Subbotin, u gjet i vdekur pranë Moskës në maj, në atë që policia e quajti vetëvrasje.

Që nga nisja e luftës në Ukrainë, në një mënyrë apo në tjetrën Putini është munduar që të shuaj zërat kundër. Sipas asaj që pretendojnë shumë analistë dhe njerëz të afërt me Kremlinin, vdekjet misterioze dyshohet se janë punë e brendshme e Kremlinit, urdhëruar nga Putini për të shuar zërat në rrethin e tij të ngushtë që mund t’i rrezikojnë pushtetin./Përshtati “Pamfleti” nga “CNN”

putin vdekja misterioze rusi