TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Korrik 2025, 09:43

50 ditë: Ultimatumi i Trump, kronometri i dështimit të rradhës

Shkruar nga Gjergj Zefi
50 ditë: Ultimatumi i Trump, kronometri i dështimit të
Donald Trump /

Pesëdhjetë ditë afat për paqe, apo për të fshehur pafuqinë e Perëndimit?

Nëse ndonjëherë historia do të donte një episod të ri të komedisë tragjike që po zhvillohet në teatrin e marrëzisë globale, atëherë deklarata e fundit e Presidentit Trump do të ishte skenari ideal. T'i japësh "50 ditë kohë" Rusisë për të mbyllur një luftë që ka më shumë se tre vjet që ka shndërruar Ukrainën në një gropë gjaku dhe rrënojash, nuk është diplomaci, është cinizëm i pastër i maskuar me kostumin e ultimatumeve diplomatike.

Çfarë do të ndodhë në këto 50 ditë që nuk ndodhi në tre vitet e fundit? Nëse Trump mendon se Putin do të trembet nga "tarifat 100%", atëherë ose ka harruar me kë ka të bëjë, ose ka zgjedhur të harrojë që Rusia e ka kaluar tashmë vijën e kuqe. Lufta nuk është më vetëm çështje ekonomike, por krenarie dhe mbijetese politike për një regjim që ka hedhur të gjitha kartat në tavolinë.

Edhe më absurde duket ideja se NATO dhe BE do të paguajnë faturën për sistemet Patriot që SHBA po dërgon në Ukrainë. Si gjithmonë, fatura e luftës është e përbashkët, por fitimet e paqes do të mbeten pronë e atij që lëshon raketën e parë. Nëse kjo lojë me data dhe ultimatume do të funksiononte, bota do të kishte parë paqe që nga koha e ultimatumit të parë në histori.

E gjitha kjo duket si një përpjekje për të bërë diçka, pa bërë asgjë. Për 50 ditë, Trump ka vendosur një orë të padukshme që tingëllon më shumë si kronometër i dështimit të radhës sesa si sinjal i paqes. Ky ultimatum nuk është zgjidhje, është shenjë e qartë e pafuqisë së një bote që ende nuk di se si të ndalojë katastrofën e vetvetes.

Në fund, ndërsa ora troket, e vetmja gjë e sigurtë është që jeta e ukrainasve, tashmë e kthyer në një statistikë cinike të geopolitikës, do të vazhdojë të numërohet me orë, jo me ditë./Pamfleti

50 ditë utimatumi i trump rusi ukrainë kronometri i dështimit

Lini një Përgjigje