TAGS-AT E JAVËS

Kosova 4 Korrik 2026, 11:07

Kurti uron SHBA-në për 250-vjetorin e Pavarësisë, vlerëson mbështetjen amerikane për Kosovën

Shkruar nga Pamfleti
Kurti uron SHBA-në për 250-vjetorin e Pavarësisë,
Albin Kurti

Kryeministri në detyrë e lidh Deklaratën e Pavarësisë së vitit 1776 me të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe kujton mbështetjen amerikane në procesin e shtetformimit të Kosovës…

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 250-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, duke vënë në dukje rëndësinë historike të 4 korrikut 1776 dhe vlerat mbi të cilat u themelua shteti amerikan.

Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Kurti theksoi se Deklarata e Pavarësisë përfaqëson parimet e barazisë, lirisë dhe të drejtave të patjetërsueshme të njeriut, të cilat, sipas tij, kanë shërbyer si frymëzim edhe për përpjekjet e popullit të Kosovës për vetëvendosje.

Ai rikujtoi se Shtetet e Bashkuara luajtën një rol vendimtar në mbështetjen e pavarësisë së Kosovës. Në këtë kuadër, Kurti veçoi deklaratën e ish-presidentit amerikan George W. Bush, të bërë në Tiranë më 10 qershor 2007, kur ai u shpreh në favor të pavarësisë së Kosovës.

Sipas Kurtit, shqiptarët kanë marrë dy herë mbështetje vendimtare nga SHBA brenda afro një shekulli. Ai iu referua fillimisht mbështetjes për ruajtjen e shtetit shqiptar dhe më pas mbështetjes për procesin që çoi në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Kurti e cilësoi këtë mbështetje si pjesë të lidhjes së vlerave të vetëvendosjes me parimet mbi të cilat u ndërtuan Shtetet e Bashkuara, duke e konsideruar këtë marrëdhënie si një element të rëndësishëm të historisë moderne të shqiptarëve.

albin kurti shba trump

Lini një Përgjigje