
Teksa Trump synon të zgjerojë autoritetin presidencial, a do të dalë dikush ta frenojë?
Nga dita në ditë, mandati i dytë i Donald Trump shpesh duket si një fishekzjarr ankesash, me administratën që lëshon sulme në të gjitha drejtimet ndaj institucioneve dhe individëve që presidenti i konsideron armiqësorë.
Vështirë kalon një ditë pa një sulm të ri nga Trump: përshkallëzon fushatën kundër Harvard-it duke tentuar të ndalojë regjistrimin e studentëve të huaj; tallet me muzikantët Bruce Springsteen dhe Taylor Swift në rrjete sociale; dhe lëshon kërcënime të maskuara ndaj kompanive si Walmart dhe Apple për reagimet e tyre ndaj tarifave të vendosura prej tij.
Kjo agresivitet i shfrenuar mund të duket si i papërqendruar, por për shumë ekspertë, përplasjet që ka ndezur Trump që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë kanë një qëllim të përbashkët dhe të guximshëm: minimin e ndarjes së pushteteve – një parim themelor i Kushtetutës amerikane.
Ndërsa debatet mbi kufijtë e autoritetit presidencial kanë ekzistuar prej brezash, historianë dhe juristë kushtetues mendojnë se përpjekja e Trump për të përqendruar pushtetin mbi jetën amerikane dallon nga paraardhësit – jo vetëm në shkallë, por në natyrë.
Në momente të ndryshme të historisë, presidentë të tjerë kanë ndjekur elemente të kësaj strategjie, por askush nuk ka bashkuar me kaq vendosmëri anashkalimin e Kongresit, sfidimin e gjykatave, kapjen e plotë të pushtetit ekzekutiv dhe përdorimin e fuqisë federale kundër çdo pengese: qeverive shtetërore dhe lokale, shoqërisë civile, universiteteve, OJF-ve dhe madje individëve të veçantë.
“Shkalla e agresionit dhe shpejtësia me të cilën vepron administrata janë të paprecedentë”, thotë Paul Pierson, politolog në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley. “Ata po shkelin hapur kuptimet tradicionale të ligjit dhe të vetë Kushtetutës”, shprehet ai.
Yuval Levin nga American Enterprise Institute pohon se vizioni i Trump për pushtetin presidencial është më i gjeri që nga epoka e Woodroë Wilson. Megjithatë, Levin beson se kjo do të kundërshtohet nga Gjykata e Lartë dhe do ta dobësojë presidencën në afatgjatë.
Të tjerë janë më pak optimistë – duke pasur parasysh shumicën konservatore prej gjashtë anëtarësh në Gjykatën e Lartë – se ajo do të frenojë Trumpin nga përqendrimi i rrezikshëm i pushtetit.
Luftë në të gjitha frontet
Një nga tiparet përcaktuese të mandatit të dytë është sulmi i njëkohshëm ndaj të gjitha kontrolleve dhe balancave që Kushtetuta parashikon për të ndalur abuzimin e pushtetit.
Trump ka anashkaluar Kongresin duke shkatërruar agjenci të krijuara me ligj, duke ndalur fonde të miratuara, refuzuar të zbatojë ligje që nuk i pëlqejnë dhe ndryshuar politika përmes urdhrash emergjentë në vend të legjislacionit.
Ai ka marrë kontroll të plotë mbi pushtetin ekzekutiv me largime masive, dobësim të mbrojtjeve për nëpunësit civilë, shkarkim të inspektorëve të përgjithshëm dhe komisionerëve të agjencive rregullatore të pavarura – një akt që godet edhe autoritetin e Kongresit.
Në disa raste, ka sfiduar haptazi gjykatat federale më të ulëta, duke refuzuar të zbatojë urdhra për fonde dhe ndihma, si dhe urdhrin për kthimin e një emigranti të deportuar padrejtësisht. Nuk ka sfiduar drejtpërdrejt ndonjë vendim të Gjykatës së Lartë, por as që ka vepruar për të zbatuar vendimet e saj.
Trump ka shkelur parimet tradicionale të federalizmit, duke tentuar të imponojë agjendën e shteteve të djathta mbi shtetet liberale – përfshirë arrestimin e një gjykatësi në Ëisconsin dhe një kryetari bashkie në Neë Jersey për mosmarrëveshje mbi imigracionin.
Më të paprecedentë janë sulmet ndaj shoqërisë civile: ndëshkime për firma ligjore që mbrojnë demokratët, kërcënime ndaj universiteteve që kundërshtojnë politikat e tij, hetime të urdhëruara kundër platformës së financimit demokrat ActBlue dhe ndjekje penale ndaj kritikëve personalë nga mandati i parë.
“Nuk është e lehtë të imagjinosh ndonjë president tjetër që të kishte guximin t’i bënte të gjitha këto njëkohësisht,” thotë Eric Schickler, bashkautor i librit “Partisan Nation”.
Sipas përkrahësve të Trump, kjo nuk është problem – është strategji. Russell Vought, një nga arkitektët kryesorë të mandatit të dytë, argumenton se përqendrimi i më shumë pushteti në presidencë është mënyra për të “rivendosur” baraspeshën kushtetuese.
Në vizionin e Vought, liberalët e kanë “shkatërruar planin e themeluesve” duke dobësuar presidentin dhe Kongresin, për t’i dorëzuar pushtetin “ekspertëve” të përhershëm të agjencive federale. Sipas tij, “E djathta duhet të heqë dorë nga precedentët dhe modelet ligjore të krijuara padrejtësisht në 200 vjet.”
Trump vetë e përmblodhi këtë filozofi gjatë mandatit të parë kur tha: “Unë kam Nenin II të Kushtetutës, që më jep të drejtën të bëj ç’të dua si president.”
Çfarëdo që mund të thuhet për muajt e parë të këtij mandati të dytë, një gjë është e sigurt: Trump nuk po tërhiqet nga kjo bindje.
Një provë stresi me fund të pasigurt
A do të arrijë Trump të shkatërrojë ndarjen e pushteteve dhe të përqendrojë pushtetin në presidencë – ndoshta deri në pikën e minimit të vetë lirisë dhe demokracisë amerikane?
Vetë fakti që këto pyetje po shtrohen, nënkupton mundësi që amerikanët rrallë kanë pasur nevojë t’i imagjinojnë.
Libri i Brettschneider ndjek historinë e rezistencës publike ndaj presidentëve që kërcënuan të drejtat civile dhe sundimin e ligjit, përfshirë John Adams, Andreë Johnson dhe Richard Nixon. Ai thotë se këto precedentë ofrojnë arsye për optimizëm – por jo për vetëkënaqësi – se sistemi do të mbijetojë përballë ofensivës së Trump. “Kemi fitore të mëparshme nga të cilat mund të marrim forcë,” tha Brettschneider. “Por nuk duhet të jemi naivë: Sistemi është i brishtë. Nuk e dimë nëse demokracia amerikane do t’ia dalë.”
Yuval Levin, autor i librit “Besëlidhja Amerikane”, një vepër analitike e vitit 2024 mbi Kushtetutën, nuk e sheh sfidën e Trump si ekzistenciale. Ai pranon se Kongresi ka gjasa të mos ofrojë rezistencë ndaj pretendimeve të Trump për pushtet të pakufizuar: “Dobësia e Kongresit, dhe vakumi që kjo dobësi krijon, është sfida më e thellë për sistemin tonë kushtetues, edhe sot,” shkruan Levin. Por ai beson se Gjykata e Lartë përfundimisht do ta kufizojë Trumpin.
Levin parashikon se gjykata do të bëjë dallimin mes teorisë së “ekzekutivit unitar” – që nënkupton kontroll më të fortë të presidentit mbi ekzekutivin – dhe teorisë së “qeverisjes unike”, që do të zgjaste pushtetin presidencial mbi degë të tjera dhe shoqërinë civile. “Kjo gjykatë do të forcojë njëkohësisht komandën e presidentit mbi ekzekutivin... dhe do të kufizojë përpjekjet e tij për të shkelur ndarjen e pushteteve,” parashikon Levin. Kjo pritshmëri përbën bazën e besimit të tij se kapjet e pushtetit nga ana e Trump do ta dobësojnë, e jo forcojnë, presidencën.
Analistët më në të majtë se Levin janë shumë më pak të bindur se kjo Gjykatë e Lartë me shumicë të emëruar nga republikanët – e cila së fundmi votoi për të dhënë imunitet pothuajse të plotë për Trump ndaj ndjekjes penale për veprime zyrtare – do të frenojë vazhdimisht presidentin. Ata gjithashtu dyshojnë se Trump do t’u bindet vendimeve të saj.
Për ta, mandati i dytë i Trump paraqet një provë të jashtëzakonshme stresi për mekanizmat e ndërthurur të Kushtetutës për ruajtjen e lirisë dhe demokracisë.
Fakti që sistemi madisonian i kontrollit dhe balancës, ndarja e pushteteve dhe federalizmi, ka qëndruar për 235 vjet, mund të krijojë besim se do të vazhdojë të qëndrojë, thotë Schickler. “Por nuk duhet të jemi shumë të sigurt. Ai u thye një herë, gjatë Luftës Civile. Nuk do të thyhet në të njëjtën mënyrë, por mundësia që të thyhet është reale.”
Muajt e parë të rikthimit të Trump në pushtet kanë treguar vendosmërinë e tij për të shkatërruar mbrojtjet që sistemi ka ngritur kundër abuzimit të pushtetit presidencial. Më pak e sigurt mbetet nëse zyrtarët e degëve të tjera të qeverisë, udhëheqësit e shoqërisë civile apo edhe qytetarët e zakonshëm do të tregojnë të njëjtën vendosmëri për t’i mbrojtur ato. /Përshtati “Pamfleti” nga “CNN”
Lini një Përgjigje