
AfD ka kryesuar vazhdimisht sondazhet. Partitë e tjera nuk mund të rrinë duarkryq dhe të lejojnë një përsëritje të ngjarjeve në Turingi dhe Saksoni...
Pak njerëz jashtë Gjermanisë i kushtojnë vëmendje politikës rajonale të këtij vendi. Por ne duhet ta kemi mirë parasysh. Ligji Themeltar, mbi të cilin u themelua Republikën Federale në vitin 1949, supozon se pushteti ushtrohet nga 16 shtetet gjermane (länder), me përjashtim të rasteve kur është e autorizuar haptazi qeveria federale.
Pra qeveritë rajonale janë përgjegjëset e vetme për menaxhimin e rendit, arsimit, strehimit, burgjeve etj. Ato bashkëpunojnë me qeverinë federale për shëndetin, mirëqenien sociale dhe taksat. Kjo do të thotë se zgjedhjet e fundjavës së kaluar në landet lindore të Turingisë dhe Saksonisë janë të rëndësishme, pasi prekin rreth 6.1 milionë njerëz.
Në të dyja këto rajone, partia e ekstremit të djathtë kundër emigrantëve AfD (Alternativa për Gjermaninë) fitoi rreth 1/3 e votave. Ajo është tani partia më e madhe në Turingi, dhe e dyta në Saksoni. Rezultati i lartë i AfD, u bë edhe më i dukshëm nga rezultatet katastrofike të 3 partive që përbëjnë qeverinë e koalicionit në Berlin, Partinë Social Demokrate, të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë.
Të Gjelbrit nuk fituan asnjë vend në Turingi ndërsa Demokratët e Lirë mbeten të papërfaqësuar në të dyja landet. Gjermania është veçanërisht e ndjeshme ndaj fuqisë në rritje të së djathtës së saj ekstreme. Strukturat e saj moderne demokratike, u zhvilluan nën hijen e gjatë të nazizmit, dhe motoja “Kurrë më!” e ka dominuar politikën gjermane për 75 vjet.
Tani, në Turingi, ka ndodhur e paimagjinueshmja për shumë gjermanë: një parti e ekstremit të djathtë del e para në zgjedhjet rajonale. Zgjedhjet e qershorit për Parlamentin Evropian, sollën paraqitjen e mirë të partive populiste anti-emigrante në të gjithë kontinentin. Në Austri, Republikën Çeke, Francë, Greqi, Itali, Holandë, Portugali, Rumani, Slloveni dhe Gjermani, populistët dhe nacionalistët fituan shumë terren.
Ajo që ka ndodhur në Turingi, nuk është një katastrofë zgjedhore e çuditshme, por kulmi i një tendence pan-evropiane në rritje. AfD-ja është një parti konservatore dhe nacionaliste. Ajo synon të mbrojë sovranitetin dhe identitetin kulturor të Gjermanisë, dhe e konsideron migracionin masiv si një kërcënim ekzistencial për njerëzit dhe kombin.
Ajo kundërshton sidomos ardhjen e emigrantëve myslimanë, dhe synon të ndalojë mbulimin e grave dhe thirrjen islame për falje në vende publike. Po ashtu, AfD fajëson komunitetet myslimane dhe mungesën e integrimit për krimet e dhunshme dhe trazirat sociale.
Pavarësisht nëse përshkruhet si “populiste”, “nacionaliste” apo “ekstremiste e djathtë”, AfD e sheh Gjermaninë si një konstrukt etnik dhe kulturor, si dhe si politik, dhe beson se ajo është nën sulmin e Islamit. Votuesit nuk po i imagjinojnë problemet që premton të zgjidhë AfD-ja.
Gjatë krizës së emigrantëve që nisi në vitin 2015, kancelarja Angela Merkel pezulloi procedurat e kufizimit të migracionit, dhe lejoi hyrjen e 1.2 milionë refugjatëve dhe azilkërkuesve, kryesisht nga Siria, Iraku dhe Afganistani. Sot gati 30 për qind e popullsisë gjermane, ka atë që quhet “Migrationshintergrund”, prejardhje emigrante.
Kjo shifër arrin në 41 për ata që janë nën 15 vjeç. Ndërkohë 41 për qind e krimeve në vitin 2023 janë kryer nga të huajt. Nga ana tjetër ekonomia gjermane vuan nga një pabarazi e theksuar. Shkalla e papunësisë në Gjermani është vetëm 3.2 për qind, ndër më të ulëtat në BE. Por papunësia është shumë më e lartë në rajonet e ish-Gjermanisë Lindore.
Në Turingi është 6.3 për qind, ndërsa në Saksoni 6.6 për qind. Rritja e madhe e migracionit, lidhja e tij me krimin dhe stanjacioni ekonomik në lindje të vendit, po ngjall një zemërim të madh popullor. Këtu duhen bërë sy saktësime.
Së pari, AfD nuk është një parti haptazi fashiste apo naziste. Ajo e pranon sistemin aktual dhe vepron brenda kufijve të politikës demokratike. Megjithatë, përmban elemente më ekstremistë që janë etno-nacionaliste, racistë dhe të lidhura ngushtësisht me neo-nazizmin.
Së dyti, pavarësisht suksesit elektoral të fundjavës së kaluar, deri më tani nuk ka asnjë perspektivë që AfD të marrë pushtetin në Turingi apo Saksoni. Tradicionalisht, partitë nga i gjithë spektri politik, kanë ngritur një barrierë kundër AfD-së, duke refuzuar të bashkëpunojnë apo të hyjnë në aleanca me të.
Pra, megjithëse AfD është partia më e madhe në Turingi, me 32 nga 88 vendet në Landtag, dhe afro 1/2 në Saksoni, me 40 nga 120 vende, ajo nuk mund të gjejë partnerë për të krijuar një shumicë qeverisëse. Kancelari Olaf Scholz. i ka inkurajuar partitë që të ruajnë atë barrierë.
“Tani të gjitha partive demokratike u kërkohet të formojnë qeveri të qëndrueshme, pa ekstremistë të krahut të djathtë. Vendi ynë nuk mund dhe nuk duhet të mësohet me këtë”- deklaroi ai këtë javë. Në këto kushte, Unioni Demokristian i qendrës së djathtë (CDU) aktualisht në opozitë, mund të përpiqet të krijojë koalicione të mëdha në të dy shtetet, gjë që nuk do të jetë e lehtë.
Por nuk mjafton shtrëngimi i duarve me Scholz. Kur 1/3 e elektoratit në dy rajone voton për një parti të sulmuar si raciste dhe nacionaliste, është e pamjaftueshme t’i kthehemi satirës së Berthold Brecht-it të vitit 1953 për Gjermaninë Lindore komuniste: “A nuk do të ishte në këtë rast më e thjeshtë, që qeveria të shpërbëhet dhe populli të zgjedhë një tjetër?”.
Partitë e qendrës duhet të bëjnë dy gjëra njëkohësisht. Ato duhet t’i sigurojnë votuesit se i kuptojnë problemet që i shtyjnë drejt AfD-së - përfshirë stanjacionin ekonomik, përçarjen sociale dhe një perceptim të niveleve në rritje të krimit të dhunshëm - dhe t’i bindin ata se kanë politika të besueshme për t'i trajtuar ato.
Po ashtu, ato duhet të bindin gjermanët se AfD nuk është gjë tjetër veçse një ‘enë ankesash’, dhe të tërheqin vëmendjen mbi disa nga aspektet e saj më të errëta. Për shembull. Pak kohë më parë u zbulua se një numër figurash të larta të AfD-së kishin marrë pjesë në një tubim privat të ekstremit të djathtë në Potsdam vitin e kaluar, duke nxitur protesta në shkallë të gjerë kundër ekstremizmit në të gjithë Gjermaninë.
Udhëheqësi i partisë në Turingi, Björn Höcke, e ka kritikuar mënyrën se si Gjermania e përkujton Holokaustin. Ai është gjobitur 2 herë muajt e fundit për përdorimin e parullave naziste në fjalimet e tij. Brandenburgu, një shtet rajon lindor me një popullsi prej 2.5 milionë banorësh, zgjedh një drejtues të ri në zgjedhjet e 22 shtatorit.
AfD ka kryesuar vazhdimisht sondazhet. Partitë e tjera nuk mund të rrinë duarkryq dhe të lejojnë një përsëritje të ngjarjeve në Turingi dhe Saksoni. Edhe nëse AfD kryeson sondazhet në Brandenburg, qeveria dhe opozita duhet të tregojnë se munden dhe do t’i adresojnë shqetësimet e elektoratit në lidhje me migracionin dhe ekonominë.
Por nuk mjafton vetëm propaganda kundër saj. Juve mund të mos ju pëlqejë një parti e ekstremit të djathtë, por në një demokraci, nuk keni privilegjin që të shpërfillni votuesit e saj. Nëse e bëni këtë, ata do të vazhdojnë të votojnë për partinë që ata besojnë se po i dëgjon ankesat që kanë. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Hill”
Shënim: Eliot Wilson, analist i politikës dhe çështjeve ndërkombëtare. Gjatë viteve 2005-216 ka qenë zyrtar i lartë në Dhomën e Komunëve në Britaninë e Madhe.
Lini një Përgjigje