TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Qershor 2025, 22:11

Aleatët e Amerikës duhet të shpëtojnë veten

Shkruar nga Malcolm Turnbull

Aleatët e Amerikës duhet të shpëtojnë veten

Si mund të mblidhen copat e rendit botëror që po shkatërrohet nga Trump

Që kur u rikthye në detyrë, presidenti amerikan Donald Trump e ka sulmuar rendin botëror aktual, të krijuar pikërisht nga Shtetet e Bashkuara pas Luftës së Dytë Botërore. Ai e ka sfiduar sovranitetin e aleatëve dhe partnerëve, duke kërcënuar të blejë Groenlandën, aneksojë Kanadanë dhe Kanalin e Panamasë.

Lufta e tij globale tregtare, synon që t’i japë përfitime Shtetet e Bashkuara në kurriz të gjithë partnerëve të saj tregtarë. Trump është tërhequr nga marrëveshja e Parisit për klimën, si dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Duke e çmontuar Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, administrata Trump ka braktisur angazhimet e vjetra dypartiake mbi zhvillimin ndërkombëtar.

Dhe trajtimi që po bën Ukrainës - përpjekja e tij për t’i detyruar ukrainasit të pranojnë një marrëveshjeje paqeje ndëshkuese, në vend se të përdorë fuqinë amerikane për ta detyruar Rusinë të ulet në tryezë me kushtet e Kievit - e poshtëroi palën më të dobët dhe shpërbleu agresorin.

Trump beson se fuqia bën të drejtën. Por rendi botëror dhe institucionet që krijoi SHBA-ja pas Luftës së Dytë Botërore, synonin t’i rezistonin kësaj logjike. Megjithatë Trump e justifikon pikëpamjen cinike, se Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë kurrë fuqia altruiste dhe idealiste që pretendonin të ishin.

Për ata që ende besojnë tek një SHBA-ja si një fuqi e madhe bujare dhe me parime, ky është një moment traumatik i pranimit të realitetit. Administrata Trump, promovon përbuzjen ndaj ligjit si brenda ashtu edhe jashtë vendit, ngacmimin ndaj më të dobtëve, shfuqizimin e marrëveshjeve dhe traktateve, kërcënimet ndaj aleatëve dhe afrimin me tiranët.

Trump është normaliteti i ri në Uashington. Të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, nuk duket se do ketë ndonjë ndryshim në horizont. Por kjo s’do të thotë që aleatët e SHBA-së duhet t’i dorëzohen kërcënimeve të Trump. Së bashku, ata mund të ushtrojnë një ndikim të konsiderueshëm dhe të përballen me kaosin e shkaktuar nga Uashingtoni.

Përveç Ukrainës, vendet evropiane përballen me kërcënimin më urgjent që vjen nga Rusia. Anëtarët evropianë të NATO-s, kanë kapacitetin ekonomik për t’u përballur dhe mposhtur Rusinë në Ukrainë, nëse zgjedhin ta bëjnë këtë. NATO dhe të gjithë aleatët e SHBA-së, përfshirë Australinë, e pranojnë nevojën për të shpenzuar më shumë.

Por Uashingtoni dhe kryeqytetet aleate, kanë mendime të ndryshme se si duhet të shpenzohen këto para shtesë. Natyrisht, Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që aleatët të blejnë armët e tyre. Por këta të fundit, kanë frikë se nëse e bëjnë këtë mund ta kënaqin Trumpin, por s’do të kenë ndonjë pavarësi më të madhe.

Në këto kushte zgjidhja afatgjatë për aleatët e SHBA-së, është të bëhen në gjendje të pengojnë agresorët me aftësitë e tyre të pavarura. Pra armët të prodhohen brenda vendeve evropiane, ose në çdo rast të përdoren pa pëlqimin e Shteteve të Bashkuara. Dhe për momentin, kjo nuk është e mundur.

Për shembull avionët luftarakë F-35-at të dërguar nga SHBA-ja, janë aq shumë të ndërvarur nga softueri dhe pjesët rezervë amerikane, sa që është e vështirë se si ato mund të përdoren për një kohë të gjatë, pa pëlqimin e Uashingtonit. Ky lloj varësie e zakonshme për shumicën e sistemeve moderne të armëve, ka qenë jo rrallë bezdisëse për aleatët e SHBA-së.

Por deri sot nuk konsiderohej si një problem i madh. Sepse aleatët e NATO-s, besonin se nuk do të luftonin kurrë vetëm, prandaj varësia nga Shtetet e Bashkuara ishte thjesht një shqetësim teorik. Tani që Shtëpia e Bardhë po u kërkon aleatëve të jenë në gjendje të kujdesen për veten e tyre, rrethanat janë shumë ndryshe.

Prandaj nuk është çudi që plani i fundit për blerjen e armatimeve në vlerë 150 miliardë euro, i zbuluar së fundmi nga BE-ja, i përjashton në përgjithësi kompanitë amerikane. Në të njëjtën kohë, Portugalia ka njoftuar se nuk planifikon të blejë në të ardhmen avionët F-35.

Edhe Kanadaja po rivlerëson planet e saj për të blerë 88 avionë F-35. Sfida e Evropës nuk është vetëm që të gjejë paratë për të financuar riarmatimin, por edhe të kapërcejë rivalitetet kombëtare për të rënë dakord mbi standardet bazë për industrinë e mbrojtjes, ashtu siç Franca dhe Gjermania u bashkuan në vitin 1970 për të krijuar kompaninë e famshme Airbus.

Një shembull tjetër frymëzues për Evropën (dhe aleatët e tjerë të SHBA-së), mund të gjendet tek Ukraina, ku industria lokale e mbrojtjes ka prodhuar një aftësi shkatërruese inovative shumë më pak të kushtueshme. Kjo u pa së fundmi tek sulmet mbresëlënëse me dronë, që forcat ukrainase kryen në fillim të kësaj jave mbi bazat ajrore ruse.

Në Evropë, aleatët e SHBA-së janë gjeografikisht afër njëri-tjetrit, dhe kanë lidhje të forta strategjike dhe ekonomike. Ndërkohë, situata është ndryshe në Indo-Paqësor. Nga njëra anë, Kina është shumë më e fortë në krahasim me fqinjët e saj aziatikë, sesa Rusia me ata evropianë.

Nga ana tjetër, megjithëse u ka dhënë evropianëve arsye për t’u shqetësuar se mund të mbeten vetëm, Trump s’ka deklaruar ende zyrtarisht se Shtetet e Bashkuara do t’i braktisin aleatët e tyre në Azi. Vatra më e nxehtë është Tajvani, ku sinjalet nga administrata Trump janë të përziera.

Vetë Trump ka thënë se Tajvani është i vështirë për t’u mbrojtur, dhe është ankuar për industrinë e tij të prodhimit të gjysmëpërçuesve, duke pretenduar se ishulli ia ka “vjedhur biznesin e çipave” Amerikës, dhe duhet të paguajë për mbrojtjen që i garanton SHBA-ja.

Por duke folur së fundmi në Dialogun Shangri-La në Singapor, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, tha se Trump e ka bërë të qartë se “Kina komuniste nuk do ta pushtojë Tajvanin gjatë mandatit të tij”, dhe Shtetet e Bashkuara do të punojnë për ta bërë shumë të lartë koston e pushtimi kinez, duke bërë që paqja në Ngushticën e Tajvanit të jetë e vetmja mundësi.

Por kjo deklaratë përgënjeshtrohet nga ngjarjet në terren. Stërvitjet kineze rreth Tajvanit, duken gjithnjë e më shumë si prova për një pushtim të mundshëm. Vetë Hegseth e pranoi në fjalimin e tij se një sulm mund të jetë i afërt. Politikat tajvaneze janë të paqëndrueshme dhe pa konsensus mbi nevojën për të rritur shpenzimet e mbrojtjes.

Për më tepër, ekzistojnë një sërë masash shtrënguese, përveç konfliktit të armatosur, që mund t’i japë mundësi udhëheqësit kinez Xi Jinping ta rimarrë Tajvanin pa asnjë të shtënë armësh.

Nëse Ukraina nuk është lufta e Trump (siç këmbëngul ai shpesh), ai ka të ngjarë të mos rrezikojë luftë me Kinën për Tajvanin. Sepse edhe nëse do të mbetej konvencionale, lufta do të sillte shkatërrimin e pjesës më të madhe të marinave amerikane dhe kineze. Dhe duke pasur një kapacitet 200 herë më të madh për ndërtimin e anijeve, Kina mund të zëvendësojë humbjet e saj shumë kohë përpara se ta bëjnë këtë Shtetet e Bashkuara

Në lidhje me tarifat tregtare, Trump nuk pretendon se po përpiqet të vendosë rregulla të barabarta loje. Qëllimi i tij është të ri-industrializojë SHBA-në, të rikthejë në vend fabrikat nga Kina, Evropa dhe Azia Juglindore. Ai dëshiron të pohojë hegjemoninë amerikane në Hemisferën Perëndimore, ndërsa po heq dorë nga përfshirja e SHBA-së në pjesën tjetër të botës.

Udhëheqësit e ardhshëm amerikanë, mund të përpiqen të rivendosin lidershipin moral të vendit, por besimi i humbur është i vështirë për t'u rifituar. Marrëveshjet tregtare shkojnë e vijnë, por nëse “drita në kodër” shkëlqen vetëm për amerikanët, Trump do të ketë sjellë një botë më të errët për të gjithë të tjerët./Përshtati "Pamflet" nga “Foreign Affairs”

Lini një Përgjigje