
Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, ka komentuar marrëdhëniet e Serbisë dhe Rusisë, të cilat vijojnë të jenë të mira pavarësisht luftës së paprecedent që Vladimir Putin po bën kundër Ukrainës.
Hill tha se është e papranueshme që Serbia të vazhdojë marrëdhëniet e mira me Rusinë, pasi Moska ka shkaktuar kaos në gjysmën e botës.
“Serbia është një vend që krenohej me marrëdhëniet shumë të mira me vendet anembanë botës, përfshirë edhe Rusinë. Është krejtësisht e paqëndrueshme të vazhdohen marrëdhëniet e mira me Rusinë. Rusia krijoi kaos në gjysmën e botës, shkaktoi probleme të mëdha për të gjithë”, ka deklaruar Hill.
Gjatë një deklarate në Forumin Ekonomik të Beogradit, Hill vuri në dukje përpjekjet e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje përmes dialogut dhe theksoi rëndësinë e njohjes nga palët për situatën e serbëve në veri të Kosovës.
Ai po ashtu shtoi se është thelbësore që Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe si një hap për të avancuar në skenën ndërkombëtare dhe për të shtuar kapacitetet e saj diplomatike.
Në shkëmbim, Serbia duhet të tërhiqet nga pengesat, duke i hapur rrugën Kosovës për të kërkuar anëtarësim në organizata ndërkombëtare, duke përfshirë ata vendet brenda BE-së që ende nuk e kanë njohur si shtet të pavarur.
Lini një Përgjigje