Shtëpia e Bardhë është shprehur e shqetësuar për arrestimin e gazetarit të Wall Street Journal, Evan Gershkovich nga autoritetet ruse, me akuzën për spiunazh.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre tha se DASH ka folur me drejtuesit e WSJ dhe se ndodhet në kontakt të drejtpërdrejtë me qeverinë ruse për të siguruar aksesin konsullor ndaj zotit Gershkovich.
“Mbrëmë, Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë dhe të Departamentit të Shtetit folën me punëdhënësin e zotit Gershkovich, Wall Street Journal. Administrata ka qenë në kontakt edhe me familjen e tij. Për më tepër, Departamenti i Shtetit ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me qeverinë ruse për këtë çështje, duke përfshirë punën aktive për të siguruar aksesin konsullor ndaj zotit Gershkovich. Synimi i qytetarëve amerikanë nga qeveria ruse është i papranueshëm. Ne dënojmë me shprehjet më të forta ndalimin e zotit Gershkovich", tha Jean-Pierre në një deklaratë.
Sekretarja për shtyp vuri në dukje gjithashtu këshillën e Departamentit të Shtetit për amerikanët që të mos udhëtojnë në Rusi dhe shtoi se nëse ata aktualisht janë duke banuar ose udhëtuar atje, atëherë ata duhet të "largohen menjëherë".
Lidhur me rastin ka komentuar edhe Sekretari i Shtetit, Antony Blinken i cili tha se dënon përpjekjet e vazhdueshme të Kremlinit për të frikësuar, shtypur dhe ndëshkuar gazetarët
“Në termat më të fortë të mundshëm, ne dënojmë përpjekjet e vazhdueshme të Kremlinit për të frikësuar, shtypur dhe ndëshkuar gazetarët dhe zërat e shoqërisë civile”, tha Blinken.
Lini një Përgjigje