Greqia dhe Franca aktivizojnë planet e riatdhesimit për mijëra qytetarë, ndërsa mbyllja e hapësirës ajrore e bën operacionin një sfidë logjistike dhe politike...
Në një moment kur përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme ka çuar në mbyllje masive të hapësirave ajrore dhe ka bllokuar mijëra udhëtarë, Greqia ka shpallur zyrtarisht planin e riatdhesimit për qytetarët e saj të mbetur në rajon.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis deklaroi se Athina ka përgatitur një plan për kthimin e mijëra shtetasve grekë, megjithëse pranoi se operacioni do të jetë i vështirë për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore dhe kufizimeve të trafikut civil. Sipas tij, strukturat shtetërore janë në gatishmëri për të koordinuar evakuime të sigurta sapo të krijohen korridore të mundshme tranziti.
Në të njëjtën linjë reagimi, Franca ka sinjalizuar gatishmëri për ndërhyrje të drejtpërdrejtë shtetërore. Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot njoftoi se Parisi është i përgatitur të riatdhesojë shtetasit më të rrezikuar nga rreth 400 mijë francezë që ndodhen në vendet e prekura nga kriza, duke përdorur si fluturime komerciale, ashtu edhe mjete ushtarake nëse është e nevojshme.
Këto masa tregojnë një qasje proaktive të dy vendeve anëtare të BE-së, ku diplomacia dhe strukturat e sigurisë kombëtare po veprojnë paralelisht për të garantuar mbrojtjen e qytetarëve jashtë territorit kombëtar. Kriza aktuale ka vënë në provë jo vetëm kapacitetet logjistike, por edhe seriozitetin institucional të shteteve europiane.
Në plan më të gjerë, zhvillimet në Lindjen e Mesme po rikthejnë një të vërtetë të thjeshtë gjeopolitike: shtetet që kanë rrjete të konsoliduara konsullore dhe plane emergjence të përditësuara reagojnë më shpejt dhe me më pak improvizim. Për rajonin tonë, ku mijëra qytetarë udhëtojnë, punojnë apo pushojnë në Egjipt, Izrael dhe vende të tjera të zonës, pyetja mbetet sa të përgatitura janë qeveritë për skenarë të tillë.
Athina dhe Parisi dhanë sinjalin e tyre. Kriza nuk pret. Dhe në diplomaci, koha e reagimit është po aq e rëndësishme sa vetë vendimi./Pamfleti
Lini një Përgjigje