Vetëvendosje mbetet forca më e madhe parlamentare me 53 deputetë, por pa shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme. Negociatat për Kuvendin, qeverinë dhe presidentin pritet të përcaktojnë drejtimin politik të vendit…
Shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë shënon fundin formal të procesit zgjedhor, por jo fundin e pasigurisë politike. Përkundrazi, ajo shënon fillimin e një faze të re, shumë më komplekse, ku pesha e rezultatit elektoral zëvendësohet nga aritmetika parlamentare dhe negociatat politike.
Rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit e konfirmon edhe një herë Lëvizjen Vetëvendosje si forcën më të madhe politike në vend. Megjithatë, fitorja nuk i jep asaj mundësinë për të qeverisur e vetme. Me 53 mandate në Kuvendin prej 120 deputetësh, partia e Albin Kurtit mbetet 8 vota larg shumicës prej 61 deputetësh që kërkohet për formimin e qeverisë. Pikërisht ky hendek e bën fazën e ardhshme vendimtare për stabilitetin politik të Kosovës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare pasi gjyqësori hodhi poshtë ankesat e paraqitura nga dy kandidatë të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët kishin kërkuar rinumërimin e votave për kandidatët brenda listës së tyre. Sipas kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, gjatë verifikimit të 185 qendrave të votimit nuk u konstatuan parregullsi që do të justifikonin rinumërim të përgjithshëm. Mospërputhjet e evidentuara ishin të kufizuara dhe lidhen kryesisht me gabime njerëzore gjatë procesit të numërimit ose me riklasifikimin e një numri të vogël fletëvotimesh. Asnjë prej këtyre ndryshimeve nuk pati ndikim në shpërndarjen përfundimtare të mandateve.
Rezultatet përfundimtare prodhuan një Kuvend të fragmentuar, ku asnjë forcë politike nuk gëzon shumicën absolute.
Ndarja e mandateve është si më poshtë:
Lëvizja Vetëvendosje – 47.13% e votave, 53 mandate;
Partia Demokratike e Kosovës – 19.44%, 22 mandate;
Lidhja Demokratike e Kosovës – 16.69%, 18 mandate;
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – 6.74%, 7 mandate;
20 mandate të rezervuara për komunitetet joshumicë, sipas Kushtetutës së Kosovës.
Ky konfigurim e bën të pamundur krijimin e një qeverie pa marrëveshje politike.
Hapi i parë: Konstituimi i Kuvendit
Pas certifikimit të rezultateve, Presidentja e Kosovës duhet të thërrasë seancën inauguruese të Kuvendit brenda 30 ditëve.
Në këtë seancë deputetët japin betimin, zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të vazhdohet me procedurat për formimin e qeverisë.
Në praktikë, ky proces shpesh është shndërruar në një provë të parë të shumicës parlamentare, pasi zgjedhja e kryetarit të Kuvendit kërkon koordinim politik mes partive.
Sfida kryesore: Formimi i qeverisë
Për të krijuar qeverinë nevojiten minimumi 61 deputetë.
Vetëvendosje, edhe pse fituese e zgjedhjeve, nuk i ka votat e nevojshme dhe duhet të sigurojë mbështetje shtesë. Në teori ekzistojnë disa skenarë: bashkëpunim me partitë e komuniteteve joshumicë; marrëveshje me një ose më shumë parti opozitare; kombinim i të dyja varianteve.
Secili prej këtyre skenarëve paraqet sfida të ndryshme politike, pasi marrëdhëniet ndërmjet partive kryesore kanë qenë të tensionuara gjatë viteve të fundit.
Presidenti, testi më i madh politik
Edhe nëse krijohet qeveria, sfidat nuk përfundojnë aty. Mandati i presidentit është çështja tjetër që kërkon konsensus. Ndryshe nga zgjedhja e qeverisë, procedura për zgjedhjen e presidentit nuk mund të fillojë nëse në sallë nuk janë të pranishëm të paktën 80 deputetë.
Ky prag e bën praktikisht të pamundur zgjedhjen e presidentit pa një marrëveshje më të gjerë politike. Për këtë arsye shumë analistë konsiderojnë se negociatat për qeverinë dhe presidentin janë të pandashme.
Deri tani nuk ekziston një platformë e përbashkët negociuese. Albin Kurti ka deklaruar se negociatat formale do të fillojnë vetëm pasi rezultatet të certifikohen.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka sinjalizuar se është e gatshme të diskutojë një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të përfshinte: konstituimin e Kuvendit; krijimin e qeverisë; zgjedhjen e presidentit.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka paraqitur gjashtë kushte për çdo marrëveshje eventuale qeverisëse. Ndër prioritetet e saj janë politika energjetike, ndërtimi i një termocentrali të ri me qymyr dhe miratimi i projektit të gazit natyror të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.
Partia Demokratike e Kosovës, deri në këtë fazë, nuk ka shpallur një pozicion zyrtar lidhur me koalicionet e mundshme.
Kostoja e ngërçit politik
Vonesat në krijimin e institucioneve nuk janë vetëm çështje procedurale. Ato kanë filluar të prodhojnë pasoja konkrete ekonomike. Kosova pritet të humbasë rreth 60 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, pasi nuk arriti të përmbushë në kohë procedurat dhe kushtet e kërkuara.
Ky zhvillim shton presionin mbi klasën politike për të shmangur një bllokim të zgjatur institucional. Përtej aspektit financiar, mungesa e institucioneve funksionale ndikon edhe në miratimin e reformave, zbatimin e projekteve strategjike dhe në ritmin e procesit të integrimit evropian.
Historia politike e Kosovës gjatë viteve të fundit ka treguar se fragmentimi parlamentar shpesh ka prodhuar negociata të gjata, kriza institucionale dhe zgjedhje të parakohshme. Në disa raste, qeveritë kanë pasur jetë të shkurtër për shkak të shumicave të brishta parlamentare. Pikërisht për këtë arsye, rezultati aktual nuk konsiderohet krizë në vetvete, por krijon kushte që mund të çojnë drejt një ngërçi nëse partitë nuk arrijnë kompromis.
Çfarë pritet në javët e ardhshme
Në planin procedural, pritet certifikimi i rezultateve, thirrja e seancës inauguruese të Kuvendit dhe zgjedhja e kryesisë së tij. Më pas do të nisë procesi i konsultimeve për krijimin e shumicës parlamentare dhe formimin e qeverisë së re.
Nëse negociatat rezultojnë të suksesshme, Kosova mund të ketë institucione të reja funksionale brenda afateve kushtetuese. Në të kundërt, vendi rrezikon të hyjë në një tjetër cikël negociatash të gjata, me pasoja politike, ekonomike dhe institucionale.
Duke qenë se rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit nuk prodhoi një fitues absolut, por një fitues relative,Vetëvendosje ruan pozitën e forcës së parë politike dhe legjitimitetin për të udhëhequr përpjekjet për krijimin e qeverisë, por jo fuqinë numerike për ta bërë këtë pa partnerë. Në këtë fazë, pesha e votës së qytetarëve kalon në plan të dytë përballë matematikës parlamentare.
Çdo mandat bëhet vendimtar dhe çdo marrëveshje politike fiton rëndësi strategjike. Ndryshe nga procesi zgjedhor, ku rezultati përcaktohet nga votuesit, ndërtimi i institucioneve do të varet nga aftësia e partive për të gjetur kompromis. Pikërisht këtu do të matet jo vetëm stabiliteti i shumicës së ardhshme, por edhe kapaciteti i sistemit politik të Kosovës për të prodhuar institucione funksionale në një parlament të fragmentuar.
Nëse marrëveshjet vonohen, ndikimi nuk do të kufizohet vetëm në jetën politike. Humbja e fondeve evropiane dhe shtyrja e reformave tregojnë se pasiguria institucionale ka tashmë pasoja të prekshme ekonomike dhe mund të ndikojë edhe në rrugën integruese të Kosovës.
Për këtë arsye, javët që vijnë do të jenë vendimtare jo vetëm për emrat që do të drejtojnë institucionet, por edhe për aftësinë e Kosovës për të garantuar stabilitet politik, vazhdimësi institucionale dhe besueshmëri ndaj partnerëve ndërkombëtarë. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje