Një komedi kinematografike nga Kroacia, që tallet me klishetë nacionaliste, po pushton Ballkanin. Por a tregon e qeshura e masave edhe vetëdije?
Një vit më parë, më 2025, koncerti i Marko Perkoviç, i njohur si Thompson, mblodhi në Zagreb sipas Reuters rreth 450 mijë pjesëmarrës, ndërsa organizatorët deklaruan se numri kaloi 500 mijë. Ngjarja u paraqit si moment historik për muzikën kroate dhe si provë e mbështetjes masive për një artist që përdor simbolikë dhe referenca nga e kaluara nacionaliste e vendit.
Gjashtë muaj më vonë, në të njëjtin hapësirë kulturor, filmi “Svadba” i regjisorit Igor Seregi arriti rreth 600 mijë shikues vetëm në Kroaci, 30 mijë në fundjavën e parë në Austri dhe më pas kaloi shifrën e një milion biletave të shitura, përpara se të shfaqej në Shtetet e Bashkuara dhe Australi. Në Beograd, në premierën në kinemanë më të madhe të qytetit, publiku reagoi me dhjetë minuta duartrokitje në këmbë.
Dy ngjarje masive, dy produkte kulturore me mesazhe të kundërta. Njëra ndërton mitologji kombëtare dhe përdor retorikë identitare. Tjetra i merr këto klishe, i përmbys dhe i vendos në funksion të ironisë. Të dyja mbushin stadiume dhe salla kinemash me qindra mijëra njerëz.
Ky kontrast numerik dhe simbolik e zhvendos debatin nga preferenca estetike te një çështje më e gjerë: çfarë po konfirmon publiku në rajon kur mbështet me të njëjtin intensitet si koncertin e një këngëtari me profil të theksuar nacionalist, ashtu edhe një film që e tallet me nacionalizmin?
Analiza e plotë e Michael Martens
Verën e kaluar, këngëtari nacionalist kroat Marko Perkoviç mbajti një koncert në Zagreb që tërhoqi vëmendje ndërkombëtare. Mediat përdorën superlativa për të përshkruar përmasat: thuhej se kurrë më parë në historinë e muzikës nuk ishin shitur kaq shumë bileta për një koncert sa për atë të Perkovićit, i cili mban emrin artistik Thompson, sipas një automatikut amerikan. Një “Thompson” ishte arma që ai mbante si vullnetar në luftën kroate për mbrojtje kundër agresionit serb në vitet ‘90, përpara se të bëhej bardi më i njohur kroat i tipit “gjak dhe tokë”. Agjencia e lajmeve Reuters raportoi për 450 mijë pjesëmarrës, ndërsa menaxhmenti i këngëtarit foli madje për më shumë se 500 mijë njerëz që kishin dashur të përjetonin koncertin e tij në Zagreb.
Kritikat ndaj paraqitjes së këtij veterani, i cili në mënyrë sistematike përdor kode dhe slogane nga e kaluara fashiste e Kroacisë, mbështetësit e tij i hodhën poshtë duke iu referuar pikërisht mbështetjes masive të publikut. Këtu kishte folur populli, dhe populli, siç dihet, nuk gabon kurrë, ashtu si dikur në Jugosllavinë socialiste Partia Komuniste.
Prej disa javësh në Kroaci po vërehet një fenomen që i vendos adhuruesit e folklorizmit kombëtar në vështirësi argumentuese. Komedia antinacionaliste “Svadba” (“Dasma”), ku edhe Perkoviçi vihet në lojë, po thyen të gjitha rekordet në historinë e kinemasë kroate. Vetëm në javët e para në Kroaci, ajo tërhoqi rreth 600 mijë shikues në kinema. Në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë si dhe në vende me diasporë të fortë nga republikat pasardhëse të Jugosllavisë, u shtuan qindra mijëra të tjerë. Në premierën serbe në kinemanë më të madhe të Beogradit pati dhjetë minuta duartrokitje në këmbë.
Ky film është e kundërta e nacionalizmit pa asnjë grimë ironie.
Kur filmi doli në Austri, 30 mijë persona deshën ta shihnin vetëm gjatë fundjavës së parë, gjë që e çoi “Svadba”-n në krye të klasifikimeve të arkëtimeve. Së fundmi u shit bileta e njëmiliontë për filmin. Dhe kjo ndodhi para se ai të shfaqej në Shtetet e Bashkuara dhe Australi, ku ekziston një diasporë e fortë “postjugosllave”.
“Svadba”, e cilësuar në shumë kritika si “komedi populiste”, përfaqëson pothuajse në çdo skenë të kundërtën e lavdërimit të kombit pa asnjë ironi që karakterizon Perkoviçin. Filmi tallet si me Kishën Ortodokse ashtu edhe me atë Katolike (por jo me besimin e krishterë në vetvete), si dhe me klishetë kombëtare të serbëve dhe kroatëve. Kjo nuk u pëlqen aspak nacionalistëve, as këtej e as andej.
A nuk ka folur edhe këtu populli, madje qindra mijëra herë? Por nëse populli ka folur, çfarë ka thënë? Çfarë do të thotë që gjysmë milioni njerëz ndjekin koncertin e një këngëtari nacionalist, i cili përdor gjuhë dhe simbole me elemente pseudo-fetare të krishtera, ndërsa gjashtë muaj më vonë edhe më shumë njerëz duan të shohin një film që pikërisht këtë qëndrim e vë në lojë?
A sinjalizon suksesi i jashtëzakonshëm i “Svadba”-s se koncerti gjigant i Perkoviçit në Zagreb ishte një gabim, ashtu si edhe zhurma e vazhdueshme nacionaliste e qeverisë serbe dhe e mediave të saj në Beograd? A janë njerëzit në rajon në të vërtetë të lodhur nga narrativat e vjetra për atdheun e shenjtë?
Për këtë ka kohë që zhvillohet një debat. Një nga kontributet më interesante vjen nga Miljenko Jergoviç, shkrimtari më i njohur kroat, i cili së shpejti do të nderohet me çmimin e Librit të Lajpcigut për Mirëkuptim Evropian. Në një kolumnë, Jergoviçi kujton një satirë që u shfaq shpesh në Jugosllavinë e viteve tetëdhjetë. Në kohën kur shteti shumëkombësh po lëkundej drejt shpërbërjes, pjesa me dy aktorë “Farsa shoviniste”, ku përballen një serb nacionalist dhe një kroat nacionalist, arriti 1.200 shfaqje të suksesshme. “Të gjithë e panë ‘farsën shoviniste’, të gjithë e gjetën shumë qesharake”, kujton Jergoviçi, i lindur në Sarajevë më 1966. Ideja fisnike e pjesës ishte t’i tregonte publikut, përmes humorit, absurditetin dhe rreziqet e nacionalizmit. Shpresa ishte: “nëse ua tregojmë njerëzve të gjitha këto në skenë, nëse të gjithë e shohin dhe qeshin me to, atëherë nuk do të ndodhin në realitet.”
Por më pas “ajo” ndodhi në realitet: në Vukovar, në Srebrenicë, në Kosovë dhe në shumë vende të tjera, ku edhe sot identifikohen mbetje kockore nga varreza masive përmes testeve të ADN-së. Prandaj Jergoviçi, simpatia e të cilit për “Svadba”-n është e qartë, nuk u bashkohet atyre që në këtë komedi shohin një kthesë kopernikane antinacionaliste për rajonin. Ai kujton se Radoslav Pavloviç, autori serb i “farsës shoviniste”, më vonë u bë “këshilltar kulture” i presidentit ultranacionalist serb Tomislav Nikoliç. Sipas Jergoviçit, kjo tregon se edhe komeditë më të mira jo vetëm që nuk kanë fuqinë të ndryshojnë shoqëritë, ato nuk ndryshojnë as autorët e tyre. Përndryshe, autori i “Farsës shoviniste” nuk do të ishte bërë bashkëpunëtor i një presidenti që dukej sikur kishte dalë vetë nga ajo farsë. Jergovići e kufizon dobinë e “Svadba”-s në kohëzgjatjen e filmit: “në ato një ose dy orë, njerëzit nuk arrijnë t’u bëjnë keq njerëzve të tjerë dhe më pas janë sërish të njëjtët si më parë.”
Humori i filmit mbështetet në një seri batutash, pak a shumë të suksesshme, që lindin nga përplasja mes pjesës serbe dhe asaj kroate të një familjeje. Regjisori Igor Seregi, i cili bashkë ka shkruar edhe skenarin, merr klishetë, i përzien dhe i rindërton. Ato mbeten klishe, natyrisht, por bëhen edhe më të dukshme. Seregi përmbys rolet e paragjykimeve: sipas stereotipit, serbët janë të përzemërt, brutalë dhe “orientalë”, ndërsa kroatët të ftohtë, të përmbajtur dhe “qendrore-evropianë”. Në “Svadba”, babai kroat i nuses është një sipërmarrës mjaft i thjeshtë, i ardhur nga Hercegovina e Bosnjës. Hercegovina është (kujdes: klishe!) prej kohësh vendlindja e kroatëve më të thjeshtë dhe më nacionalistë. Ndërkohë, babai serb është një ministër i stërvitur në të gjitha ujërat. Për nacionalistët kroatë, vetë ideja që dikush mund ta konsiderojë Kroacinë pjesë të Ballkanit është provokuese. Ballkani, sipas tyre, është Lindja, është në Serbi. Kroacia kurrë.
Filmi ka zemëruar jo vetëm nacionalistët në të dy anët, por edhe pjesë të Kishës. A lidhet kjo me faktin që një peshkop katolik paraqitet si i korruptuar dhe homologu i tij ortodoks si nacionalist? Një françeskan boshnjak në Mostar kritikoi se filmi jep një pamje të gabuar për shërbyesit e Kishës dhe qortoi qeverinë kroate në Zagreb, sepse ajo, sipas tij, mbron me të drejtë këngëtarin Perković, por njëkohësisht financon filma “që nuk i bëjnë nder atdheut”. Një famulli katolike në qytetin boshnjak Novi Travnik madje bëri thirrje për bojkot të veprës. “Zoti sheh gjithçka, vetëm jo ‘Svadba’-n”, ishte mesazhi i priftit, i shqetësuar për shpëtimin e besimtarëve të tij: “Nuk më mbetet gjë tjetër veçse të lutem për ta.” Me gjasë, ai do të ketë shumë për të lutur, sepse edhe në kinematë boshnjake “Svadba” është një sukses.
Natyrisht, krijuesit e një filmi që do të tallej me imamët dhe me Islamin në të njëjtën mënyrë si “Svadba” tallet me peshkopët, katolicizmin dhe ortodoksinë, ndoshta nuk do të përballeshin me lutje, por me një fetva që do t’u dëshironte vdekjen. Ndoshta për këtë arsye një film i tillë nuk ekziston. Por kjo është një temë tjetër. “Svadba” është, në çdo rast, qesharak. /Përshtatur nga FAZ/
Lajme kosovaresh me serbe e kroate..Kemi botkuptim tjeter..