Jo vetëm Hormuzi. Nga nyja mes Jemenit dhe brigjeve të Afrikës kalon çdo vit rreth 12% e tregtisë botërore të naftës përmes detit. Pas sulmeve të fundit izraelite, Irani mund të kërkojë ndihmën e Houthi-ve jemenas për të mbyllur kalimin e anijeve dhe për të ushtruar presion të mëtejshëm mbi ekonominë globale…
Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit ka shkaktuar tashmë një krizë të thellë energjetike globale, por ekziston një tjetër nyje strategjike që, në rast mbylljeje, mund ta përkeqësojë më tej situatën: Ngushtica e Bab el-Mandebit. Pas sulmit izraelit ndaj fushës së madhe të gazit natyror South Pars, Republika Islamike mund të koordinohet me Houthi-t (milicia shiite e Jemenit, aleate e Teheranit) për të ushtruar presion shtesë mbi ekonominë globale, duke tentuar të mbyllë kalimin.
Ky krah deti, emri i të cilit do të thotë fjalë për fjalë “porta e lotëve”, nuk është vetëm një kufi gjeografik mes Jemenit dhe Bririt të Afrikës, por përfaqëson hyrjen jugore të Kanalit të Suezit dhe një shtyllë të pazëvendësueshme për tregtinë mes Azisë, Europës dhe Mesdheut. I gjatë 50 km dhe i gjerë 26 km në pikën më të ngushtë, Ngushtica e Bab el-Mandebit është një nga “grykat e ngushta” detare më delikate dhe më të cenueshme, por njëkohësisht me rëndësi thelbësore: përmes “portës së lotëve” kalon çdo vit rreth 12% e tregtisë botërore të naftës që transportohet me rrugë detare.

Një bllokim i detyruar do t’i detyronte anijet të ndërmerrnin një qarkullim të lodhshëm përreth Afrikës, duke shtuar mijëra kilometra dhe disa ditë lundrim në transport, me ndikim të menjëhershëm dhe shkatërrues mbi çmimet e karburanteve për konsum dhe mbi stabilitetin e tregjeve energjetike. Bab el-Mandebi ka luajtur një rol vendimtar si pikë lidhëse mes Afrikës dhe Gadishullit Arabik dhe ka qenë pjesë e rrugëve të lashta tregtare mes Azisë, Afrikës dhe Europës. Kompania britanike e Indive Lindore kontrollonte ishujt përreth në shekullin XIX për të vendosur rrugët detare drejt Kanalit të Suezit.
Çdo anije që lëviz mes Azisë dhe Europës përmes Detit të Kuq duhet të kalojë në Bab el-Mandeb përpara se të hyjë në kanal. Cilat do të ishin pasojat e një mbylljeje? Rreziku i vërtetë do të ishte veprimi në disa fronte: nëse mbyllja e Bab el-Mandebit do t’i shtohej asaj të Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon 20% e naftës globale, bota do të përballej me tronditjen më të rëndë të furnizimit në dekadat e fundit.
Lini një Përgjigje