Donald Trump me siguri do të përfshinte në listën e gjërave të preferuara golfin, promovimin e bizneseve të tij dhe marrëveshjet tregtare që sjellin miliarda për SHBA-në. Kështu që nuk është për t’u habitur që presidenti amerikan u duk aq i kënaqur gjatë vizitës së tij “private” në Skoci, ku arriti të realizojë të tria pasionet e tij: zhvilloi marrëveshje tregtare, promovoi resortet e tij dhe luajti golf pothuajse çdo ditë.
Nga kjo vizitë, Trump po kthehet në SHBA me një marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian, më e madhja në histori dhe jashtëzakonisht e favorshme për Amerikën. BE-ja do të blejë energji dhe pajisje ushtarake amerikane me qindra miliarda dollarë dhe do të investojë miliarda të tjera në ekonominë amerikane. Në këmbim, mallrat evropiane do t’i nënshtrohen një tarife prej 15%, ndryshe nga 30% që Trump kishte kërcënuar më herët.
Trump priti kryeministrin britanik Keir Starmer dhe bashkëshorten e tij në resortin e Turnberry, duke sfiduar protokollet diplomatike. Megjithatë, Starmer shfrytëzoi rastin për të kaluar kohë të çmuar ballë për ballë me presidentin amerikan, veçanërisht për krizën në Gaza.
Starmer e nxiti Trumpin të përdorë ndikimin e tij për të lehtësuar shpërndarjen e ndihmave humanitare në Gaza. Trump u zotua se SHBA do të punojë me Britaninë dhe BE-në për të krijuar qendra shpërndarjeje ushqimi dhe do t’i kërkojë Netanyahu-t të sigurojë që ushqimi të arrijë tek njerëzit në nevojë.
Gjithashtu, Trump nuk kundërshtoi që Britania të njohë shtetin e Palestinës, ndonëse SHBA-të nuk do ta bëjnë këtë vetë. “Unë nuk do të marr një pozicion, s’më pengon që ai e bën,” deklaroi ai.
Presidenti bëri gjithashtu një kthesë në politikën e tij ndaj luftës në Ukrainë, duke thënë se i jep presidentit rus Vladimir Putin vetëm 10–12 ditë kohë për të rënë dakord për armëpushim, shumë më pak se 50 ditët që kishte premtuar më parë. “S’ka pse të presim më gjatë. Dua të jem bujar, por nuk po shohim përparim.”
Konferenca për shtyp ishte e gjatë dhe e lirshme. Trump foli për gjithçka: nga energjia me erë, emigracioni, mbreti Charles, kryetari i bashkisë së Londrës deri tek çështja që do donte më së shumti ta shmangte: Jeffrey Epstein.
Një furgon me një foto të vjetër të Trump-it në një festë me Epstein u pa duke lëvizur nëpër Aberdeenshire, duke siguruar që çështja të mos harrohej. Për herë të parë, Trump tregoi pse u shkëput nga Epstein vite më parë – sepse ai kishte “vjedhur staf” nga resorti i tij në Florida. Ai gjithashtu mohoi të kishte dërguar ndonjë vizatim vulgar te Epstein, duke thënë se di të vizatojë vetëm ndërtesa të thjeshta.
Trump shfrytëzoi çdo rast për të promovuar dy resortet e tij të golfit në Skoci. Konferencat me Starmer dhe Ursula von der Leyen (presidente e Komisionit Evropian) u mbajtën në një sallon luksoz të rinovuar në Turnberry, ku Trump mburrej për tavanin e ri dhe dritaret – ndërsa fliste për urinë në Gaza.
Në Aberdeenshire, ai bëri një xhiro për të treguar fushën e re të golfit përpara se të ulej helikopteri Marine One. Pas takimit me kryeministrin skocez John Swinney, Trump e ftoi atë në hapjen zyrtare të Trump International Golf Links në Balmedie, me një sërë të ftuarish VIP dhe kamera televizive.
Përdorimi i pozitës presidenciale për përfitime personale mbetet i pazakontë, por për Trumpin është një kënaqësi e madhe, pothuajse aq sa vetë loja e golfit./ BBC
Lini një Përgjigje