Në politikën ndërkombëtare, fuqia është “monedha” kryesore dhe tani për tani, Moska ka ndikimin kryesor. Ne po mbyllim uzinat në emër të shpëtimit të planetit, ndërsa rivalët tanë gjeopolitikë po zgjerojnë të tyret. Për ta thënë me cinizëm: ose mund të bëhesh ambientalist, ose mund të shkosh në luftë, por s’mund t’i bësh të dyja njëkohësisht…
Nëse në vitin 1988 do t’i kishe thënë dikujt se Bashkimi Sovjetik do të pushonte së ekzistuari vetëm 4 vjet më vonë, me siguri që do të të kishte quajtur të çmendur. Institucionet dukeshin të forta, burokracia e rrënjosur dhe pushteti absolut.
Megjithatë, në vitin 1992 BRSS ishte histori. Sot, politikanët evropianë në Bruksel, Berlin dhe Paris vuajnë nga i njëjti optimizëm i rrezikshëm. Ata besojnë se janë aq të sigurt në kornizat e tyre institucionale, saqë zemërimi publik nuk mund t’i rrëzojë asnjëherë nga pushteti.
Por duke parë trajektoren e Bashkimit Evropian, besoj se jemi më afër një momenti revolucionar seç guxojnë ta imagjinojnë elitat. Shpeshherë dëgjojmë krahasime me vitet 1930, me Paktin e Mynihut të vitit 1938.
Por ky është libri i gabuar i historisë. Në rast se doni të kuptoni vërtet gjendjen aktuale të Evropës, analizoni Francën e vitit 1788 ose Rusinë e vitit 1917. Marrim Revolucionin Francez. Një nga nxitësit kryesorë ishte kolapsi fiskal i monarkisë, i përshpejtuar nga financimi i Luftës Revolucionare Amerikane.
Në rrafshin moral, mbështetja e pavarësisë amerikane ishte një kauzë e justifikueshme. Po në praktikë? Ajo e falimentoi shtetin, dështoi të sillte përfitimet e pritura ekonomike dhe krijoi kushtet për përmbysjen e monarkisë.
Evropa po ecën në të njëjtën rrugë në Ukrainë. Ne shohim udhëheqës si ish-kryeministrja finlandeze Sanna Marin ose Ursula von der Leyen që bëjnë deklarata të mëdha morale, duke këmbëngulur se Rusia duhet të dëbohet plotësisht nga territori ukrainas.
Megjithatë, ekziston një hendek i madh midis kësaj retorike dhe realitetit politik. Mund të shkruash çdo plan paqeje me 28 pika që të pëlqen. Por realiteti është se në skenarin e një lufte rraskapitëse, Rusia, Kina dhe Irani e tejkalojnë prodhimin e NATO-s në çelik, dronë dhe municione.
Në politikën ndërkombëtare, fuqia është “monedha” kryesore dhe tani për tani, Moska ka ndikimin kryesor. Ideja se fuqitë agresive nuk shpërblehen kurrë është një përrallë e këndshme për të fjetur gjumë, por historia - nga Frederiku i Madh deri te pushtimi prusian i Francës në 1871 - na tregon të kundërtën.
Duke u mbingarkuar financiarisht dhe ushtarakisht për një konflikt që nuk mund ta përballojmë, qeveritë evropiane po delegjitimojnë veten në vendet e tyre. Nuk mund të kërkosh që qytetarët e tu të sakrifikojnë standardet e tyre të jetesës për një luftë në Donbas, kur ata janë të shqetësuar për koston e ngrohjes së shtëpive të tyre.
Dhe kjo na çon te shtylla e dytë e rënies së Evropës: dhënia përparësi e ideologjisë në stilin sovjetik mbi realitetin ekonomik. Kjo nuk është askund më e qartë sesa në politikën tonë energjetike.
Për dekada të tëra, na u premtua se “tranzicioni i gjelbër” do të shkaktonte një mrekulli të re ekonomike. Olaf Scholz premtoi ritme rritjeje ekonomike që do të na kujtonin vitet 1950. Në vend të kësaj, në Gjermani kemi ngecje dhe tkurrje.
Po mbyllim uzinat në emër të shpëtimit të planetit, ndërsa rivalët tanë gjeopolitikë po zgjerojnë të tyret. Për ta thënë me cinizëm: ose mund të bëhesh ambientalist, ose mund të shkosh në luftë, por s’mund t’i bësh të dyja njëkohësisht.
Nuk mund të bësh një luftë rraskapitëse nëse e ke deindustrializuar ekonominë tënde për të kënaqur një “fe” ambientaliste që i trajton si herezi provat empirike. Është një çmenduri. Ne kemi krijuar një regjim rregullator, ku shpëtimi i një salmoni të vetëm në lumenj ose mbrojtja e një habitati natyral zogjsh, ka përparësi mbi sigurinë kombëtare dhe qëndrueshmërinë ekonomike.
Pastaj, problem është edhe dimensioni kulturor. Në Uashington dhe Londër ekziston një fantazi se Gjermania thjesht mund të “shtypë një buton” dhe të bëhet përsëri një fuqi ushtarake.
Por nuk mund të kalosh 40 vjet duke u mësuar të rinjve se nacionalizmi është i keq, se patriotizmi është i dyshimtë dhe se ushtria është diçka e keqe, e pastaj të presësh që ata të nxitojnë papritur drejt zyrës së rekrutimit.
Të rinjtë gjermanë po bëjnë sot një pyetje shumë logjike: “Ju doni që ne të paguajmë taksa të larta për të mbështetur një politikë migrimi që sjell këtu burra të rinj nga Siria që jetojnë me ndihmë sociale, dhe pastaj doni të na rekrutoni për të luftuar kundër një tanku rus në Evropën Lindore?”.
Kontrata sociale është shkelur. Partia e Gjelbër në Gjermani - dikur pacifiste - është sot militaristja më e zhurmshme, ndërsa të vetmit njerëz me një përvojë të vërtetë ushtarake duket se janë në gjirin e AfD-së.
Pra kemi një përmbysje totale të realitetit. Dhe njerëzit e ndiejnë këtë. Ata e ndiejnë kur vizitojnë një treg Krishtlindjesh dhe shohin roje ushtarake të armatosura pranë tezgave. Na thuhet se statistikat e krimit janë në rregull, por ankthi është real.
Një shoqëri ku aktivitetet e përditshme kërkojnë mbrojtje ushtarake nuk është e shëndetshme. Kjo është arsyeja pse votuesit në Austri, Holandë dhe gjithnjë e më shumë në Gjermani po shohin Hungarinë dhe po pyesin pse hungarezët nuk i kanë këto probleme.
Nëse nuk adresohen këto ankesa, sistemi do të shembet. Një revolucion nuk nënkupton gjithmonë sfurqe dhe thika në rrugë; ai mund të ndodhë në kutitë e votimit. Por nëse establishmenti përpiqet të ndalojë partitë, të censurojë fjalën e lirë me “mburoja demokracie” dhe të parandalojë ndryshimet politike, ata vetëm sa do ta bëjnë shpërthimin më të dhunshëm.
Bashkimi Sovjetik mendonte se ishte i përjetshëm në vitin 1988. Monarkia franceze mendonte se ishte e sigurt në vitin 1788. BE-ja mendon se është e sigurt sot. Ata në Bruksel e kanë shumë gabim./Përshtati Pamfleti nga “Brussels Signal”
Pse ka ekzistuar BE ndonjehere. Shembulli i saj eshte Eurovision. EB ishte nje krijim fallso i USA per te mbuluar mutrat si macja kur dhitet. Pse Britain i beri mune!? Ujku i vjeter mbetet prape ujk i vjeter.