
Bilanci tragjik i përmbytjeve shkatërruese që kanë goditur Indonezinë, Sri Lankën dhe Tajlandën ka arritur në mbi 1.200 viktima dhe më shumë se 800 persona të zhdukur, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë pa ndërprerje. Shirat e dendur monsunorë kanë shkaktuar inondime masive dhe rrëshqitje dherash, duke izoluar mijëra banorë dhe duke shkatërruar zona të tëra.
Indonezia, vendi më i goditur, raporton 631 viktima dhe 475 të zhdukur, shumica në ishullin Sumatra, ku rrugët dhe urat janë zhdukur nën masat e baltës. Ekipet e shpëtimit po arrijnë vetëm nëpërmjet detit. Nga zonat pyjore të Batang Toru vijnë dyshime serioze se shpyllëzimi i paligjshëm ka përkeqësuar fatkeqësinë. Rrjedhat e ujit kanë marrë me vete miliona metra kub drurë të prerë, duke e bërë terrenin më të paqëndrueshëm. Aktivistët e mjedisit paralajmërojnë se zhvillimi i pakontrolluar dhe humbja e pyjeve po e kthejnë fenomenin në “krizë të shkaktuar nga njeriu”.
Në Sri Lankë numri i viktimave ka arritur në 390, ndërsa 352 persona raportohen të zhdukur. Ushtria po kërkon në zonat e goditura, por shumë komunitete mbeten të izoluara për shkak të rrugëve të bllokuara dhe urave të shembura. Në qytetin Kandy mungon uji i pijshëm, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se shirat pritet të vazhdojnë. Presidenti Dissanayake e përshkroi situatën si “katastrofën më të madhe natyrore në historinë e vendit” dhe paralajmëroi se bilanci do të rritet.
Në Tajlandën jugore, pasojat e përmbytjeve kanë prekur mbi 1,5 milionë familje dhe gati 4 milionë njerëz. Kanë nisur punimet e pastrimit dhe riparimit të infrastrukturës, përfshirë sistemet e ujësjellësit dhe energjisë elektrike. Ministria e Brendshme ka njoftuar ngritjen e kuzhinave publike dhe një paketë kompensimesh prej rreth 7 milionë eurosh, që do të shpërndahet tek 26 mijë banorë të prekur—një shifër që ekspertët e konsiderojnë larg nevojave reale.
Një tablo e rëndë në të gjithë Azinë Juglindore, ku kombinimi i klimës ekstreme dhe degradimit mjedisor po çon në pasoja gjithnjë e më katastrofike për popullsitë lokale.
Lini një Përgjigje