Bill Gates mori përgjegjësinë për marrëdhënien e tij me Jeffrey Epstein gjatë një takimi me stafin e Fondacionit Gates, konfirmoi një zëdhënës i organizatës në një deklaratë për agjencinë Reuters të martën. Reagimi erdhi pas një raporti të Wall Street Journal, i cili shkroi se Gates u kishte kërkuar falje punonjësve për kontaktet me financierin e ndjerë amerikan.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, Gates dhe Epstein u takuan disa herë pas lirimit të këtij të fundit nga burgu. Takimet, sipas dokumenteve, kishin në fokus diskutime për zgjerimin e aktiviteteve filantropike të themeluesit të Microsoft.
ëall Street Journal raportoi se gjatë takimit me stafin, Gates e cilësoi si “gabim të madh” faktin që kishte kaluar kohë me Epstein dhe që e kishte vënë atë në kontakt me drejtues të Fondacionit Gates. Gazeta citoi një regjistrim audio, ku Gates shprehet: “U kërkoj falje njerëzve të tjerë që janë përfshirë në këtë për shkak të një gabimi që bëra.”
Sipas raportit, Gates pranoi gjithashtu dy marrëdhënie që kishte pasur me gra ruse, të cilat Epstein i kishte bërë publike më vonë. Gazeta theksoi se këto gra nuk rezultojnë të jenë mes viktimave të Epstein.
Po sipas Wall Street Journal, Gates u tha punonjësve: “Nuk kam bërë asgjë të paligjshme dhe as kam parë diçka të paligjshme.”
Dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë përfshijnë edhe fotografi ku Gates shfaqet duke pozuar me gra, me fytyrat e tyre të mbuluara ose të modifikuara për të mos u identifikuar.
Gates ka deklaruar edhe më parë se marrëdhënia e tij me Epstein, i dënuar për vepra seksuale dhe i gjetur i vdekur në qelinë e tij, ishte e kufizuar në diskutime për çështje bamirësie. Ai ka pranuar se takimet me të përbënin një gabim.
Sipas gazetës, Gates sqaroi para stafit se Epstein i kishte kërkuar të realizonin fotografi me asistente pas takimeve. “Për të qenë i qartë, unë nuk kam kaluar kurrë kohë me viktimat apo me gratë që e rrethonin,” citohet të ketë thënë ai.
Më herët gjatë këtij muaji, Fondacioni Gates njoftoi se nuk kishte kryer asnjë pagesë për Epstein dhe se nuk e kishte angazhuar atë në asnjë kapacitet.
Lini një Përgjigje