
Europa është tronditur sërish nga dy incidente rrugore të rënda, që ndodhën në të njëjtën ditë, një në Berlin dhe një tjetër në Londër, duke rikthyer frikën mbi sigurinë urbane dhe gatishmërinë e autoriteteve për të parandaluar tragjeditë në qendra të populluara.
Rreth orës 13:10 të së enjtes, një makinë u përplas mbi një grup fëmijësh në lagjen Wedding të Berlinit. Sipas “Bild”, 15 fëmijë të moshës 7-8 vjeç ishin duke u shoqëruar nga një edukatore kur makina i goditi. Tre fëmijë mbetën të plagosur lehtë, ndërsa shoqëruesja u dërgua në gjendje të rëndë në spital. Sipas “Reuters”, autoritetet e trajtojnë incidentin si “aksident trafiku”, ndërkohë që shoferi është marrë në pyetje dhe nuk ka pësuar lëndime.
Ndërkohë, në Londër, vetëm disa orë më parë, rreth orës 08:20 të mëngjesit, një autobus i linjës 24 doli nga rruga dhe u përplas me kalimtarët në rrugën Victoria Street, pranë stacionit qendror Victoria. 17 persona u plagosën, përfshirë edhe drejtuesin e autobusit, i cili ndodhet në spital së bashku me 14 të tjerë. Dy persona të tjerë u trajtuan në vendngjarje.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë xhamin e përparmë të autobusit të thyer dhe gjurmë karburanti në rrugë, duke detyruar policinë të ndalojë duhanin në zonë për të shmangur ndonjë shpërthim. Dëshmitarët përshkruan skena kaotike me ulërima dhe njerëz të shtrirë në tokë, ndërsa qytetarët dhe stafi i një palestër afër nxituan për të ndihmuar të plagosurit.
Lini një Përgjigje