
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) njoftuan se kanë vrarë Jamshid Eshaqin, komandantin e Drejtorisë së Naftës të Forcave të Armatosura të Iranit, gjatë një operacioni të kryer më herët gjatë kësaj jave.
Sipas deklaratës së ushtrisë izraelite, goditja u realizua mbi bazën e informacionit të siguruar nga Drejtoria e Inteligjencës e IDF-së. Autoritetet izraelite e cilësojnë Drejtorinë e Naftës si një strukturë kyçe që mundëson financimin dhe zhvillimin e kapaciteteve ushtarake të Iranit përmes të ardhurave nga shitja e naftës.
“Drejtoria e Naftës përbën një pjesë thelbësore të forcave të armatosura të regjimit, duke mundësuar vazhdimin e aktiviteteve të tyre dhe rritjen ushtarake përmes fitimeve nga shitja e naftës”, njoftoi IDF.
IDF pretendon se Eshaqi drejtonte krahun financiar të forcave të armatosura iraniane dhe kishte rol në industrinë ushtarake, përfshirë programet e prodhimit të raketave balistike dhe mekanizmat e sigurisë së brendshme të regjimit.
Sipas të njëjtit burim, ai ishte gjithashtu i përfshirë në alokimin e fondeve për grupet aleate të Iranit në Lindjen e Mesme, përfshirë Hezbollahun dhe lëvizjen Houthi. Ushtria izraelite shton se për vite me radhë, një pjesë e konsiderueshme e financimit të Gardës Revolucionare Islamike dhe strukturave të tjera ushtarake iraniane ka ardhur nga të ardhurat e naftës, të cilat, sipas saj, kanë anashkaluar sanksionet ndërkombëtare.
“Eshaqi udhëhoqi krahun financiar të forcave të regjimit, si dhe industrinë ushtarake përgjegjëse për prodhimin e raketave balistike dhe mekanizmat e shtypjes së regjimit. Përveç kësaj, Eshaqi punoi për të alokuar fonde për financimin e përfaqësuesve terroristë të Iranit në të gjithë Lindjen e Mesme, më së shumti organizatën terroriste Hezbollah dhe Houthit”, shkruan më tutje ushtria izraelite
Sipas IDF-së, Irani ka krijuar struktura të posaçme për menaxhimin e këtyre të ardhurave, duke e bërë sektorin e naftës një burim të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve ushtarake dhe për mbështetjen e aktiviteteve të tij në rajon.
Informacioni i publikuar bazohet në deklaratat zyrtare të ushtrisë izraelite dhe nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur nga autoritetet iraniane.
Lini një Përgjigje