Avionë luftarakë të Forcave Ajrore Mbretërore britanike (RAF) kanë rrëzuar dhe ndërprerë dronë që po drejtoheshin drejt Jordanisë dhe Bahreinit, në atë që konsiderohet pjesëmarrja e parë direkte e Britanisë në operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme.
Sipas Ministrisë britanike të Mbrojtjes, avionët RAF Typhoon kryen gjatë natës operacione ushtarake për mbrojtjen e Jordanisë dhe Bahreinit. Ministria publikoi gjithashtu në platformën X një video që tregon momentin e rrëzimit të një droni.
Sipas autoriteteve britanike, avionët luftarakë rrëzuan një mjet ajror pa pilot që po drejtohej drejt Jordanisë, ndërsa ndërprenë një tjetër dron që kishte si destinacion Bahreinin. Në të njëjtën kohë, po zhvillohen edhe misione ajrore mbrojtëse për të mbështetur Emiratet e Bashkuara Arabe.
Vendimi për ndërhyrjen ushtarake vjen pasi kryeministri britanik Keir Starmer ndryshoi qëndrimin e mëparshëm dhe dha dritën jeshile për veprime mbrojtëse kundër raketave dhe dronëve iranianë.
Bombardues amerikanë mbërrijnë në Britani
Ndërkohë, tre bombardues strategjikë amerikanë B-52 Stratofortress të Forcave të Armatosura të SHBA kanë mbërritur në një bazë ajrore të RAF në Fairford, Gloucestershire.
Avionët u ulën në Britani pasi presidenti amerikan paralajmëroi Teheranin se “goditja e madhe” po afrohet. Në kabinën e një prej bombarduesve ishte e dukshme flamuri amerikan, ndërsa avioni mban nofkën “Iron Butterfly” (Flutura e Hekurt).
Ky model bombarduesi u përdor edhe gjatë operacioneve amerikane në Irak në vitin 2003, përfshirë bombardimet ndaj pallatit të Saddam Husseinit në Bagdad.
Në njërin prej avionëve ishte gdhendur edhe simboli “Bomber Barons”, nofka e Skuadronit të 23-të të bombarduesve të Forcave Ajrore amerikane.
Gjatë fundjavës, në të njëjtën bazë të RAF kanë mbërritur edhe bombardues amerikanë B-1.
Bombarduesit strategjikë të këtij lloji, që mund të kushtojnë deri në 2 miliardë dollarë secili, janë të aftë të kryejnë misione me rreze shumë të gjatë veprimi, duke transportuar disa nga raketat më shkatërruese në arsenalin ushtarak amerikan.
Lini një Përgjigje