Regjimi iranian ka krijuar disa “skuadra vrasësish” me qëllim eliminimin e presidentit amerikan Donald Trump gjatë të paktën pesë viteve të fundit, sipas një raportimi të gjerë të publikuar nga New York Post.
“Janë vrasës, si mafia. Kanë një listë personash që duan t’i shohin të vdekur dhe kanë dërguar shumë nga spiunët e tyre për të organizuar atentatet”, deklaroi për gazetën Yigal Carmon, kolonel në pension i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit dhe ekspert i çështjeve të terrorizmit.
Sipas raportimit, dy plane për atentat gjatë vitit 2024 u zbuluan dhe u penguan nga autoritetet, duke treguar se sa larg ishte gati të shkonte regjimi iranian për të vrarë Trump para se Uashingtoni të vriste udhëheqësin suprem iranian më 28 shkurt.
Rekrutimi i një “skuadre vrasësish”
Në një nga rastet, një spiun mori urdhër nga autoritetet iraniane për të rekrutuar një skuadër vrasësish dhe për të hartuar një plan për atentat ndaj Trump ndërsa ai ishte ende në fushatë elektorale.
Sipas dokumenteve gjyqësore, spiuni Farhad Shakeri mori urdhër nga kontaktet e tij iraniane që të përgatiste planin për atentat më 7 tetor 2024.
Shakeri i kishte thënë një zyrtari të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) se operacioni do të kushtonte një shumë “shumë të madhe parash”. Zyrtari iu përgjigj se “paratë nuk janë problem”, duke shtuar se tashmë ishin shpenzuar shuma të konsiderueshme për përpjekje të mëparshme për ta vrarë Trump.
Dokumentet tregojnë se Shakeri kishte kuptuar se IRGC kishte investuar tashmë shuma të mëdha parash për atentatin dhe ishte e gatshme të vazhdonte ta financonte planin deri në realizimin e tij.
Atij iu tha gjithashtu se kishte vetëm shtatë ditë kohë për të zbatuar planin. Sipas komunikimeve me FBI-në, nëse nuk do të arrinte ta realizonte atë, operacioni do të shtyhej për pas zgjedhjeve të vitit 2024, pasi supozohej se Trump mund t’i humbiste ato dhe më pas do të ishte më e lehtë të organizohej atentati.
Shakeri komunikoi me FBI-në nga Teherani, ku qëndronte në atë kohë. Edhe pse kishte lindur në Afganistan, ai ishte rritur në SHBA dhe kishte kryer 14 vite burg për krime të ndryshme para se të deportohej. Gjatë kësaj kohe kishte krijuar lidhje kriminale që më vonë i përdori për të rekrutuar vrasës me pagesë.
Ai kishte rekrutuar dy persona nga Nju Jorku, Carlisle “Pop” Rivera dhe Jonathan Loadholt, të cilëve fillimisht u ishte premtuar 100 mijë dollarë për të vrarë një aktivist kundër regjimit iranian. Ata u arrestuan përpara se ta kryenin planin.
Të dy u shpallën fajtorë për vrasje me pagesë. Rivera u dënua me 15 vite burg në janar, ndërsa dënimi i Loadholt pritet të shpallet muajin e ardhshëm. Shakeri u akuzua në mungesë nga FBI, pasi mbeti në Iran.
Eliminimi i “organizatorit”
Këtë javë, sipas autoriteteve amerikane dhe izraelite, është eliminuar personi që konsiderohej organizatori kryesor i planeve për atentat ndaj Trump në Teheran.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth njoftoi vdekjen e tij pas sulmeve në Teheran. Sipas vlerësimeve, bëhet fjalë ose për Farhad Shakeri, ose për eprorin e tij Rahman Mokadam, drejtues i një njësie speciale të IRGC që kishte për detyrë organizimin e atentatit ndaj Trump.
Në janar, një muaj para sulmeve amerikano-izraelite, Irani kishte kërcënuar Trump duke shpërndarë një fotografi nga tentativa për atentat ndaj tij në një tubim në Pensilvani në vitin 2024, e shoqëruar me mesazhin: “Këtë herë nuk do të dështojë”.
Hetuesit amerikanë i kishin thënë Trump disa muaj pas tentativës se nuk mund të përjashtohej një rol i Iranit, duke theksuar se disa “skuadra vrasësish” mund të kishin planifikuar eliminimin e tij.
Irani e ka vendosur Trump në shënjestër që nga viti 2020, kur ushtria amerikane vrau gjeneralin iranian Qasem Soleimani në Bagdad me urdhër të presidentit amerikan.
Një plan tjetër i dështuar
Një tjetër plan i njohur për atentat u organizua nga një shtetas pakistanez, të cilit iu premtua deri në 1 milion dollarë nëse atentati do të kishte sukses.
Asif Merchant udhëtoi në SHBA duke u paraqitur si tregtar veshjesh për të rekrutuar një skuadër vrasësish. Sipas dokumenteve të gjykatës federale, ai u dënua më 6 mars nga një gjykatë në Bruklin për terrorizëm dhe vrasje me pagesë.
Merchant deklaroi në gjyq se plani përfshinte organizimin e një proteste të rreme, rekrutimin e një grupi vrasësish dhe vjedhjen e dokumenteve. Megjithatë, personat që ai kishte rekrutuar rezultuan të ishin agjentë të fshehtë të FBI-së.
Ai pretendoi se ishte detyruar të merrte pjesë në plan nga zyrtarë të IRGC, të cilët sipas tij kishin kërcënuar familjen e tij në Iran.
Objektiva edhe Biden dhe Haley
Sipas Merchant, personi që e drejtonte nga Teherani kishte përmendur si objektiva Donald Trump, Joe Biden dhe ish-guvernatoren e Karolinës së Jugut Nikki Haley.
Në prill 2024 ai udhëtoi nga Irani në Hjuston dhe më pas në Nju Jork, ku u takua me një burim që bashkëpunonte me hetuesit federalë. Gjatë takimit ai shpjegoi planin duke përdorur kode të lidhura me biznesin e tij të rremë të veshjeve.
Sipas dokumenteve të gjykatës, termi “T-shirt” nënkuptonte organizimin e një proteste, “këmishë” nënkuptonte vjedhje, ndërsa “xhaketë fleece” i referohej aktit përfundimtar – vrasjes. Shprehja “xhaketë xhins” përdorej për transferimin e parave.
Lini një Përgjigje