
Bolt në Beograd, Gjokoviç në Athinë: "Kur politika i bën gol sportit"
Usain Bolt në Beograd si fytyrë e EXPO 2027, ndërsa Novak Gjokoviç largohet politikisht dhe fizikisht nga Serbia
Në një akt që ka habitur jo vetëm publikun e gjerë në Serbi, por edhe opinionin ndërkombëtar sportiv, Usain Bolt, legjenda xhamajkane e atletikës, u shfaq në Beograd si fytyra promovuese e panairit EXPO 2027. Por ajo që habiti më shumë ishte heshtja për dy ikonat kombëtare të sportit serb: Novak Gjokoviç dhe Nikola Jokiç.
Burime të shumta dhe vëzhgime nga mediat rajonale sugjerojnë se prapa kësaj zgjedhjeje qëndron një lëvizje politike e Presidentit Aleksandar Vuçiç, i cili mesa duket ka prishur raportet personale me Gjokoviçin. Mungesa e ftesës për Gjokoviçin si promoter i EXPO-s vjen menjëherë pas mbështetjes që ky i fundit i ka dhënë protestave studentore në Beograd, një qëndrim që e vendosi atë në kundërshtim me pushtetin.
Nga hero i kombit në "persona non grata" presidenciale
Në të kaluarën, Gjokoviç ishte shpesh i ftuar në darkat presidenciale, ndërsa sot, Vuçiç nuk e përmend më as në publik. Madje, në një moment të përçudnuar mediatik, Vuçiç gjatë një daljeje televizive zëvendësoi emrin e Novakut në një letër të një fëmije me atë të Nikola Jokiçit, një sportist që ka treguar mbështetje për Vuçiçin në zgjedhje dhe që rrjedh nga një familje e lidhur me SNS-në (Partinë Përparimtare Serbe).
Gjokoviç, nga ana tjetër, është bërë simbol i rezistencës civile, sidomos për të rinjtë dhe studentët. Kjo e ka vendosur atë në shënjestër të mediave pro-qeveritare dhe tabloideve që sulmojnë jo vetëm atë, por edhe familjen e tij.
Në këtë klimë tensioni politik, janë shfaqur edhe spekulime për një largim të mundshëm të Novakut drejt Greqisë. Tabloidët grekë flasin për një "vizë të artë" greke për Gjokoviçin, ndërsa projekti i një akademie tenisi që ai kishte planifikuar në Beograd është braktisur. Të gjitha këto janë sinjale të qarta se largimi i Novakut nga Serbia është si fizik ashtu edhe simbolik.
Bolt, spektakël për kamerat, por jo për zemrat
Angazhimi i Usain Bolt-it ka pasur më shumë vlerë simbolike ndërkombëtare sesa emocionale për serbët. Mediat sportive spekulojnë se pagesa për Boltin ka kushtuar midis 500 mijë deri në 1 milion dollarë, një shifër e konsiderueshme për një vend si Serbia.
Por Bolt, në një akt që mund të lexohet edhe si mesazh diplomatik, në intervistën e tij për RTS përmendi me respekt tre sportistë serbë: Novak Gjokoviçin, Nikola Jokiçin dhe Nemanja Vidiçin, të gjithë jashtë orbitës politike të Vuçiçit.
Protestat vazhdojnë dhe Gjokoviç ftohet nga studentët Përplasja midis Gjokoviçit dhe pushtetit nuk është më vetëm simbolike. Studentët që organizojnë protestat në Beograd e kanë ftuar publikisht t'u bashkohet më 28 qershor. Në pankarta tashmë shihen parulla si: “Džaba ti Bolt, ova trka je maraton” ("Kot e ke Boltin, kjo garë është maratonë").
Në këtë kontekst, EXPO 2027 nuk është më një çështje promovimi turistik, por një fushëbetejë për imazhin e Serbisë së ardhshme, midis një shteti të centralizuar autoritar dhe një shoqërie që kërkon më shumë liri dhe përfaqësim./Pamfleti
Shënim: *Kot e ke Boltin, kjo garë është maratonë
Lini një Përgjigje