TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Maj 2023, 20:44

Dëbimi i fëmijëve ukrainas në Rusi, raporti i OSBE: Moska ka shkelur të drejta e njeriut

Shkruar nga Pamfleti

Dëbimi i fëmijëve ukrainas në Rusi, raporti i OSBE: Moska ka

OSBE ka publikuar ditën e sotme një raport në lidhje me zhvendosjen e të miturve ukrainas në Rusi, nga territoret e pushtuara.

Raporti shqyrtoi deportimin e supozuar rus të fëmijëve ukrainas që nga fillimi i luftës në shkurt 2022 dhe në të thuhej se Moska ka shkelur dukshëm të drejtat e njeriut.  

Ekipi i ekspertëve të OSBE nuk ishte në gjendje të përcaktonte numrin e saktë të fëmijëve të dëbuar nga forcat ruse. Raporti shprehte se fakti i një zhvendosjeje në shkallë të gjerë të fëmijëve ukrainas nuk mohohet as nga Ukraina dhe as nga Rusia.

Zyrtarët ukrainas u thanë ekspertëve të OSBE-së se ata vlerësuan se numri i fëmijëve të "rrëmbyer" ishte midis 200 mijë dhe 300 mijë.  

Kanë ndodhur shkelje të shumta dhe të mbivendosura të të drejtave të fëmijëve të deportuar në Federatën Ruse. Federata Ruse jo vetëm që ka shkelur dukshëm interesat më të mira të këtyre fëmijëve në mënyrë të përsëritur, ajo gjithashtu ka mohuar të drejtën e tyre për identitet, të drejtën e tyre për familje, të drejtën e tyre për t'u bashkuar me familjen e tyre si dhe ka shkelur të drejtat e tyre për arsimim, akses në informacion, e drejta për pushim, kohë të lirë, lojë, rekreacion dhe pjesëmarrje në jetën kulturore dhe arte, si dhe e drejta për të menduar, ndërgjegje dhe fe, e drejta për shëndet dhe e drejta për liri dhe siguri”, thuhej në raportin e misionit të OSBE-së.

Raporti zbuloi gjithashtu se tre arsyet më të zakonshme për zhvendosjen e organizuar të fëmijëve janë, evakuimi për arsye sigurie, transferimi për qëllime birësimi ose kujdestarie dhe qëndrimet e përkohshme në të ashtuquajturat kampe rekreative.

Ekipi i ekspertëve i udhëhequr nga profesoresha Veronika Bílková, Dr. Cecilie Hellestveit dhe Dr. Elīna Šteinerte zbuloi se fëmijët ukrainas të marrë nga forcat ruse janë të ekspozuar ndaj fushatave de-informuese pro-ruse që shpesh arrijnë qëllimin e synuar.

Federata Ruse nuk ndërmerr asnjë hap për të promovuar në mënyrë aktive kthimin e fëmijëve ukrainas. Përkundrazi, krijon pengesa të ndryshme për familjet që kërkojnë të marrin fëmijët e tyre,” shtuan ekspertët.

Ambasadori në detyrë i Mbretërisë së Bashkuar në OSBE, Deirdre Brown tha se veprimet e kryera me urdhër të udhëheqjes ruse, kanë si qëllim ndryshimin e përbërjes demografike të Ukrainës.

"Raporti tregon shifra në disa mijëra, me shifrën e vërtetë që ka të ngjarë të jetë shumë më e lartë. Synimi i Rusisë është i qartë. Ajo po përpiqet të ndryshojë me forcë dhe përgjithmonë përbërjen demografike të Ukrainës”, shtoi Brown.

Në fund të marsit 2023, Shtetet e Bashkuara dhe 44 vende të tjera në OSBE kërkuan një mekanizëm të posaçëm për të hetuar shkeljet e dyshuara të të drejtave të njeriut nga Rusia gjatë luftës së saj në Ukrainë, veçanërisht në lidhje me transferimin dhe dëbimin e detyruar të fëmijëve nga Federata Ruse.  

Sipas Shteteve të Bashkuara dhe disa qeverive evropiane, administrata e presidentit rus Vladimir Putin ka zbatuar një skemë për të dëbuar me forcë mijëra fëmijë ukrainas në Rusi, shpesh në një rrjet prej dhjetëra kampesh, ku të miturit i nënshtrohen riedukimit politik. 

Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) më herët në mars lëshoi ​​urdhra arresti për Putinin dhe zyrtarë të tjerë rusë në lidhje me këtë deportim të detyruar.

OSBE-ja nuk ka autoritetin të ndëshkojë ligjërisht Rusinë nëse gjen prova të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, por faktet e tyre mund t'u jepen organeve të tjera që e kanë atë autoritet. Ndërkohë Rusia ka mohuar më parë se po bën diçka të paligjshme, duke pretenduar se po i sjell fëmijët ukrainas në siguri./CNN

raporti osbe fëmijët ukrainas

Lini një Përgjigje