
Në muajt pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia, vitin e kaluar, qindra diplomatë rusë u dëbuan nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Disa nga to përmendën dyshimet për spiunim si arsye për dëbimin e emisarëve.
Së paku tre prej tyre u rishfaqën më pas si diplomatë të akredituar në Serbi - dy prej të cilëve kanë lidhje me inteligjencën ruse, tregon një hulumtim disamujor i Radios Evropa e Lirë.
Diplomati i tretë, që aktualisht gjendet në Ambasadën ruse në Beograd, e la postin e tij në Ambasadën ruse në Helsinki dy muaj pasi Finlanda njoftoi për dëbimin e diplomatëve rusë, në përgjigje të pushtimit të Ukrainës, që nisi më 24 shkurt të vitit 2022.
Rusia e rriti praninë e saj diplomatike në Serbi, pas një vale të dëbimeve të diplomatëve nga BE-ja, vitin e kaluar. Në Serbi tani gjenden 62 diplomatë të akredituar, në krahasim me 54 sa ishin në mars të vitit 2022, tregon një analizë e listave diplomatike, që mbahet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë.
Ndryshe nga shumica e vendeve evropiane, Serbia nuk i vendosi sanksione Moskës, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, nisi pushtimin e Ukrainës.
Serbia aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por Qeveria e presidentit Aleksandar Vuçiq përpiqet të mbajë edhe lidhje të ngushta me Rusinë, e cila e mbështet Beogradin në mosmarrëveshje të shumta me Perëndimin.
Rusia është ndër vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe mbështet përpjekjet e Serbisë për ta bllokuar anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.
Tani, së paku një diplomat i dëbuar rus, i lidhur me një njësi të Shërbimit Federal rus të Sigurisë (FSB) - që akuzohet për sulme kibernetike kundër sektorit energjetik të SHBA-së - është vendosur në Beograd, ashtu si edhe një tjetër i lidhur me Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme të Rusisë, tregon hulumtimi i REL-it.
Më 11 prill të vitit 2022, Kroacia njoftoi se do të dëbojë 18 diplomatë rusë dhe gjashtë punonjës mbështetës nga Ambasada ruse në Zagreb, duke përmendur si arsye “agresionin brutal të Rusisë kundër Ukrainës”.
Në mesin e diplomatëve të dëbuar nga Kroacia ishte Aleksei Ivanenko, i cili shërbeu si sekretar i dytë i Ambasadës ruse, tregon një listë e zyrtarëve të dëbuar që Radio Evropa e Lirë e siguroi nga një burim në qarqet diplomatike evropiane.
Në kohën kur u dëbua, Ivanenko kishte shërbyer më shumë se dy vjet në misionin diplomatik rus në Zagreb, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Jashtme kroate.
Brenda gjashtë muajsh, Ivanenko, 38 vjeç, mori postin e ri në Beograd, sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme serbe.
Pas zhvendosjes në Serbi, së bashku me gruan e tij, Yekaterina, ai u promovua si sekretar i parë i ambasadës në Beograd.
Sipas disa të dhënave të rrjedhura nga Qeveria ruse, të rishikuara nga REL-i, Ivanenko - rreth një dekadë përpara dëbimit të tij nga Kroacia - punonte në një sektor tjetër të shtetit rus.
Sipas këtyre të dhënave të rrjedhura, Ivanenko punonte si “inxhinier” për Njësinë Ushtarake 71330 - një emër tjetër ky për Qendrën 16 të FSB-së ruse. Lidhja e Njësisë Ushtarake 71330 me FSB-në konfirmohet nga burime të hapura, që përfshijnë vendime të gjykatave ruse.
Rreth dy javë përpara se Kroacia të shpallte dëbimin e 18 diplomatëve rusë, në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës, autoritetet amerikane zbuluan paditë e tre oficerëve të inteligjencës ruse, që punonin për Qendrën 16, të akuzuar për hakimin e kompanive bërthamore amerikane dhe të tjerave për gati gjashtë vjet.
Katër muaj pasi Ivanenko dhe diplomatë të tjerë rusë u dëbuan nga Zagrebi, Komanda Kibernetike e SHBA-së dërgoi punonjës në Kroaci “për të gjurmuar aktivitetet keqdashëse kibernetike në rrjetet partnere”.
Gruaja e Ivanenkos, Yekaterina, ishte violiste profesioniste në Teatrin Bolshoi në Moskë.
Në vitin 2015, një shoqe e Yekaterina Ivanenkos postoi një fotografi të saj, të një vajze të re dhe të një burri, duke i përqafuar ata në një qendër kulturore ruse në Nju Delhi.
Softueri i njohjes së fytyrës tregon se burri në atë fotografi është - me shumë gjasa - i njëjti burrë i fotografuar në janar në një festë fetare ortodokse në Serbi, së bashku me një diplomat nga Ambasada ruse.
Ministria e Jashtme kroate nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment.
Përmes Facebookut, REL-i i dërgoi kërkesë për koment edhe Yekaterina Ivanenkos, e cila nuk u përgjigj dhe e bllokoi gazetarin që e dërgoi atë.
Shtëpi për spiunë
Në mars të vitit 2022, Polonia njoftoi se do të dëbojë 45 oficerë të dyshuar të inteligjencës ruse, që paraqiteshin si diplomatë. Varshava i konsideroi ata si “kërcënim për interesat e vendit” dhe i akuzoi se punojnë “për të minuar stabilitetin e Polonisë dhe të aleatëve të saj”.
Polonia nuk identifikoi publikisht asnjërin prej zyrtarëve të shënjestruar. Por, një nga emrat që u zhduk nga faqja e internetit e Ambasadës ruse në Varshavë menjëherë pas, ishte Mikhail Generalov.
Në ditën kur Polonia lëshoi deklaratën, Generalov, 39 vjeç, ishte ende i listuar si këshilltar në ambasadën në Varshavë. Polonia u dha diplomatëve të dëbuar rusë pesë ditë kohë për t’u larguar nga qyteti.
Më 1 prill, emri i Generalovit ishte hequr, ashtu si edhe i 43 diplomatëve të tjerë rusë, të vendosur në Varshavë, tregoi një version i arkivuar i ueb-faqes së ambasadës.
Një zyrtar polak, në dijeni për këtë çështje, por jo i autorizuar të flasë publikisht, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Generalov është dëbuar nga Polonia pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Sidoqoftë, Generalov shpejt mori pozitën e re. Gjashtë muaj më vonë, ai iu bashkua Ambasadës ruse në Beograd si këshilltar.
Listat diplomatike që mbahen nga Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë, tregojnë se Generalov e mori këtë detyrë në shtator të vitit 2022 dhe, sipas listës së fundit të disponueshme, ai ishte në atë pozitë edhe në shkurt.
REL-i i konfirmoi në mënyrë të pavarur lidhjet midis Generalovit dhe aparatit të inteligjencës ruse. Të dhëna të rrjedhura për pasurinë e paluajtshme në Moskë tregojnë se rezidenca e Generalovit ndodhet në një kompleks në rrugën Vilnyusskaya, në jugperëndim të Moskës.
Ky kompleks u ndërtua në vitin 2001 për Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme ruse, të njohur si SVR, me dekret të kryetarit të atëhershëm të Moskës, Yury Luzkhov.
Lidhjet midis kompleksit dhe inteligjencës ruse u shfaqën në vitin 2011 në raporte të mediave, pasi një kolonel i SVR-së vdiq si pasojë e rënies nga dritarja e banesës së tij atje.
Në ueb-faqen e shkollës së Ambasadës ruse në Varshavë u shënua vizita e Generalovit atje në shkurt të vitit 2017, i cili në atë kohë u prezantua si sekretar i dytë i ambasadës.
Ministria e Jashtme polake nuk pranoi t’i komentojë të dhënat personale të diplomatëve të dëbuar rusë.
Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë nuk iu përgjigj kërkesës për koment deri në publikimin e këtij teksti.
REL-i u përpoq të merrte një koment edhe nga Generalovi përmes llogarisë së tij në rrjetin social rus, VKontakte. Aty del që mesazhi u lexua, por përgjigje nuk kishte. /REL
Lini një Përgjigje