
Trump mbetet i bindur se mund të kthejë ish-terroristin Al Sharaa në një udhëheqës demokrat, duke i ofruar atij anulimin e sanksioneve shumë të ashpra të vendosura ndaj regjimit të Assadit, së bashku me blerjen e naftës dhe gazit sirian.
Donald Trump, i cili është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë për herë të dytë pas një karriere të gjatë në botën e biznesit, është i bindur se paratë mund ta ndryshojnë botën, duke i transformuar armiqtë dhe terroristët në aleatë të besueshëm.
Prandaj pardje në Riad - pasi Princi Saudit Mohammed Bin Salman nënshkroi kontrata për blerjen e armëve me vlerë 142 miliardë dollarë - ai nxitoi të shtrëngonte duart me Ahmad Al Sharaa, ish-kreun e degës siriane të Al Kaedës, i cili rrëzoi nga pushteti Bashar Al Assadin dhe u bë udhëheqësi i ri më i pushtetshëm i Sirisë.
Por ta shpërfillësh këtë kameleon - dikur të njohur me pseudonimin Abu Mohammed al-Golani - si një ish-terrorist i thjeshtë është shumë e rrezikshme. Në fakt, karriera e tij filloi në oborrin mbretëror të Abu Bakr Al-Baghdadi-t, kalifit irakian dhe themeluesit të Shtetit Islamik.
Një kalif, të cilin Al Sharaa e tradhtoi kur themeloi Al Nusrën, degën siriane të Al Kaedës, e cila më vonë u bë e famshme për persekutimin dhe masakrat ndaj të krishterëve. Por Al Sharaa dha më të mirën e tij dhjetorin e vitit të kaluar, kur falë parave dhe armëve të qeverisë turke, rrëzoi nga pushteti Bashar Al Assadin, duke e rikthyer Sirinë nën kontrollin turk, pra si në epokën osmane.
Me të në pushtet, janë emëruar si ministra dhe gjeneralë xhelatët e kohës së Al Kaedës. Rezultati është i dukshëm. Në fillim të marsit, milicitë qeveritare masakruan qindra anëtarë të pakicës alevite, të cilët ishin fajtorë për nostalgjinë që kishin ende për regjimin e dikurshëm.
Megjithatë, Trump mbetet i bindur për konvertimin e Al Sharaa-s në një lider demokrat, duke i ofruar atij anulimin e sanksioneve shumë të ashpra të vendosura ndaj regjimit të Assadit, së bashku me blerjen e naftës dhe gazit sirian, si dhe ndërtimin e një rrokaqielli në stilin Trump në kryeqytetin sirian Damask.
Lëshime, që sipas pikëpamjes së Trump, duhet të jenë të mjaftueshme për ta konvertuar ish-kreun e Al Kaedës në një udhëheqë liberal dhe tolerant, duke e nxitur atë të pranojë Marrëveshjet e Abrahamit dhe njohjen pasuese të shtetit të Izraelit.
Sigurisht, do të ishte mirë që edhe ne të pajtoheshim me qasjen e Donald Trumpin, por përvoja na mëson se në Lindjen e Mesme dhe rrethinat e saj, gjërat nuk funksionojnë kështu.
Miku dhe aleati i tij izraelit, Benjamin Netanyahu, di diçka për këtë. Falë miratimit të tij, Katari - nga viti 2018 deri në vitin 2023 - i pagoi Hamasit disa dhjetëra miliona dollarë në para të gatshme çdo muaj, të transportuara në Gaza nën sytë e Mossadit, ushtrisë izraelite dhe Shin Bet.
Këto veprime, u ndërmorën me bindjen se Hamasi do t’i përdorte ato para për të siguruar mirëqenien e popullsisë. Në fakt pjesa më e madhe e këtyre parave u shpenzua për blerjen e armëve dhe gërmimin e tuneleve që lejuan masakrat e 7 tetorit 2023.
Megjithatë, edhe amerikanët dinë diçka për këtë. Pavarësisht transferimit të bazave kryesore ushtarake amerikane në Emiratet e Bashkuara Arabe në mesin e viteve 1990, Katari mbetet mbështetësi kryesor i Vëllazërisë Myslimane, dega e Islamit nga e cila lindi Hamasi, që predikon Islamin politik dhe mbështetet tek Kurani si Kushtetutë.
Por pavarësisht aleancës së supozuar, Katari, vend nga i cili Trump sapo ka pranuar si dhuratë një avion presidencial “Boeing” me vlerë 400 milionë dollarë, priti dhe mbrojti gjithashtu Khalid Sheikh Mohammed, planifikuesin e sulmit në Kullat Binjake.
Dhe në Katar, jetojnë të pa shqetësuar Khalifa Turki Al-Subaiy dhe Abd al-Rahman al-Nuaymi, të listuar nga Sekretari i Thesarit i SHBA-së si financues të masakrave. Pa përmendur miliona dollarët e Katarit, me të cilët talebanët blenë milicitë dhe ushtrinë afgane në vitin 2021, duke sabotuar marrëveshjet - të arritura me Joe Biden dhe vetë Donald Trump - të cilat parashikonin formimin e një qeverie koalicioni. Në fakt, qeveria u zëvendësua me emiratin e ri të talebanëve./ Përshtati "Pamfleti" nga ”Il Giornale”
Lini një Përgjigje