Autoritetet britanike po analizojnë informacionin mbi fluturimet private për në dhe nga Aeroporti i Stansted, pas publikimit të dokumenteve të reja nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara në lidhje me rastin e Jeffrey Epstein. Çështja ka rikthyer në vëmendje dyshimet për trafikim ndërkombëtar të të miturve.
Sipas Financial Times dhe mediave të tjera britanike, ish-kryeministri Gordon Brown ka kërkuar publikisht një rishikim të plotë të të dhënave, duke i bërë thirrje policisë të veprojë “urgjentisht” për të hetuar pretendimet se gra dhe vajza të mitura janë transportuar nga dhe drejt Britanisë me avionë privatë të lidhur me Epstein.
Në një artikull për New Statesman, Brown i referohet dokumenteve amerikane, të cilat sipas tij tregojnë se avioni privat i Epstein ka kryer rreth 90 fluturime drejt ose nga aeroporte në Mbretërinë e Bashkuar. Ai thekson se 15 prej tyre janë zhvilluar pas dënimit të Epstein në vitin 2008 për krime seksuale. Sipas interpretimit të Brown, dokumentet sugjerojnë se në disa prej këtyre fluturimeve ndodheshin vajza të mitura britanike.
Ish-kryeministri pretendon gjithashtu se dokumentet përshkruajnë transferimin e vajzave nga vende të Evropës Lindore, përfshirë Letoninë, Lituaninë dhe Rusinë, drejt Stansted, ku, sipas tij, ato transferoheshin nga një avion në tjetrin. Ai argumenton se mungesa e kërkesës për vizë për disa shtetase evropiane mund të ketë lehtësuar hyrjen e tyre në territorin britanik.
Policia e Essex konfirmoi se po vlerëson të gjithë informacionin e bërë publik në lidhje me fluturimet private në Stansted. Një zëdhënës deklaroi se hetimet janë në fazë shqyrtimi paraprak. Nga ana e tij, Aeroporti i Stansted sqaroi se shërbimet për avionët privatë ofrohen nga operatorë të pavarur dhe se kontrollet e pasaportave dhe doganave kryhen nga Forca Kufitare e Mbretërisë së Bashkuar. Sipas aeroportit, pasagjerët e avionëve privatë nuk kalojnë në terminalin kryesor dhe menaxhmenti nuk disponon lista pasagjerësh.
Broën ka ngritur shqetësime për atë që ai e konsideron si mungesë mbikëqyrjeje nga autoritetet britanike në atë periudhë. Megjithatë, institucionet përkatëse nuk kanë konfirmuar deri tani shkelje konkrete dhe theksojnë se vlerësimi i dokumenteve është ende në proces.
Këshilli Kombëtar i Shefave të Policisë (NPCC) njoftoi krijimin e një grupi kombëtar koordinues për të mbështetur forcat lokale në trajtimin e informacionit të ri. Sipas deklaratës zyrtare, qëllimi është të sigurohet një qasje e unifikuar dhe hetim i plotë i çdo pretendimi që del nga dokumentet amerikane.
Ndërkohë, Policia e Luginës së Thames konfirmoi se po heton akuza të ndara që lidhen me pretendime ndaj Princit Andreë për ndarjen e informacioneve konfidenciale me Epstein gjatë kohës kur ai shërbente si i dërguar special për tregtinë. Këto pretendime nuk lidhen drejtpërdrejt me hetimin mbi fluturimet në Stansted. Princi Andreë ka mohuar më herët çdo përfshirje në veprimtari të paligjshme dhe nuk ka komentuar menjëherë mbi zhvillimet e fundit.
Autoritetet britanike theksojnë se përmendja e emrave në dokumente nuk përbën provë fajësie. Hetimet vijojnë, ndërsa çështja mbetet nën shqyrtim institucional dhe publik.
Lini një Përgjigje