Fotografi të reja janë zbuluar nga dokumente që lidhen me Jeffrey Epstein tregojnë shkencëtarin amerikan James Watson në ambientet e rezidencës së financierit në Nju Jork.
Watson, bashkëzbulues i strukturës së ADN-së dhe fitues i Çmimit Nobel, shihet në shoqërinë e tre grave të reja.
Imazhet e publikuara nga The Telegraph paraqesin Watson duke buzëqeshur në një dhomë pritjeje brenda shtëpisë së Epstein. Nuk ka të dhëna të sakta për datën e realizimit të fotove, por ato duket se i përkasin mesit ose fundit të viteve 2010, periudhë pas lirimit të Epstein nga burgu për një vepër penale seksuale me fëmijë.
Një prej fotografive e paraqet Watson me një nga gratë dhe një punim të tij mbi kancerin dhe antioksidantët.
Watson, së bashku me Francis HC Crick, identifikoi strukturën me spirale të dyfishtë të ADN-së, zbulim që u vlerësua me Çmimin Nobel në Mjekësi në vitin 1962. ADN-ja përmban informacionin gjenetik dhe përbën bazën e kromozomeve.
Në vitet e mëvonshme, deklaratat e tij që lidhnin racën me inteligjencën shkaktuan reagime të forta në komunitetin shkencor. Në vitin 2019, institucionet përkatëse i hoqën titujt e nderit.
Dokumentet tregojnë se Epstein mbante qëndrime të ngjashme me ato të Watson. Në një email të vitit 2016 drejtuar Noam Chomsky-t, ai shkruante: “hendeku i rezultateve të testeve midis afrikano-amerikanëve është i dokumentuar mirë”.
Në të njëjtin komunikim ai shtonte: “James Watson pati disa nga pikëpamjet e tij private që u bënë publike dhe për këtë arsye u përjashtua nga shoqëria. Ai më tha se pas një fjalie të vetme u bë një person i pakëndshëm. Përmirësimi i gjërave mund të kërkojë pranimin e disa fakteve të pakëndshme”.
Sipas raportimit, nuk ka asnjë “sugjerim për shkelje” nga ana e Watson në rezidencën e Epstein. Materialet e publikuara tregojnë përpjekjet e financierit për të ndërtuar lidhje me figura të njohura në shkencë, biznes dhe politikë.
Korrespondenca e përfshirë në dokumente tregon se Epstein shkëmbeu dhjetëra email-e me bashkëpunëtorë lidhur me Watson. Në disa prej tyre diskutohej organizimi i takimeve, mëngjeseve dhe darkave me shkencëtarin. Në një rast, Epstein u kërkoi miqve të përgatisnin pyetje mbi gjenetikën përpara një takimi me të.
Dokumentet tregojnë gjithashtu se Epstein bleu në vitin 2014 autobiografinë e Watson të botuar në vitin 2002, Genes, Girls, and Gamow: After the Double Helix.
Një email i dërguar Epstein nga asistenti i Watson në shkurt 2007 përmbante këtë njoftim: “Dr. Jim Watson ju dërgoi disa dokumente nëpërmjet FedEx. I kam vendosur ato në tryezën tuaj të ngrënies.”
Materialet hedhin dritë mbi kontaktet mes dy figurave, pa paraqitur prova për shkelje nga ana e shkencëtarit.
Lini një Përgjigje