
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaia Kallas, ka dënuar ashpër ndërhyrjen e dronëve rusë në hapësirën ajrore të Rumanisë gjatë sulmit ndaj Ukrainës fqinje.
Ajo tha se kjo është e papranueshme dhe një përshkallëzim i pamatur. Kallas shtoi se ky veprim ‘kërcënon sigurinë rajonale’ dhe theksoi solidaritetin e BE-së me Rumaninë.
“Shkelja e hapësirës ajrore rumune nga dronët rusë është një tjetër shkelje e papranueshme e sovranitetit të një shteti anëtar të BE-së”, shkroi Kallas në platformën X.
Autoritetet rumune raportuan se një dron rus u fut në hapësirën ajrore të vendit gjatë një sulmi ndaj infrastrukturës në Ukrainë, disa ditë pasi Polonia dënoi një ndërhyrje të ngjashme në territorin e saj. Ushtria rumune dërgoi dy avionë F-16 për të monitoruar situatën dhe konfirmoi se droni u gjurmua derisa u zhduk nga radari.
Ministria e Mbrojtjes sqaroi se droni nuk fluturoi mbi zona të populluara dhe sipas tyre nuk përbënte kërcënim të menjëhershëm për popullsinë, ndërsa theksoi se si Rumania, ashtu edhe Polonia, janë anëtare të NATO-s.
Lini një Përgjigje