
Lideri i rajonit të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, është shprehur se shërbimet e inteligjencës perëndimore po organizojnë një komplot kundër tij, përmes ukrainasve.
“Ata po bëjnë të pamundurën për të më hequr qafe. Ka raportime se shërbimet speciale evropiane po përgatisin sulme terroriste kundër meje përmes ukrainasve”, tha Kadyrov në një deklaratë për “Russia 24”.
Nga ana tjetër, ai shprehu besimin e tij për fitoren e Rusisë në territorin ukrainas dhe foli për pasojat e sanksioneve ekonomike të vendosura ndaj vendit të udhëhequr nga Vladimir Putin. Ndër to, ai vuri në dukje mundësinë që të ketë pakënaqësi të gjerë, trazira dhe protesta nga qytetarët.
Kujtojmë se trupat ruse, përveç ndihmës së grupit Wagner, kanë pasur edhe mbështetjen e ushtrisë çeçene. Republika Çeçene është një republikë e vogël ruse në Kaukaz, historia e së cilës shënohet nga lufta e saj për autonomi që nga shekulli XIX. Një vit pas fillimit të luftës së dytë çeçene në 1999, Rusia mori kontrollin e kryeqytetit çeçen, Grozny.