E-maile të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë tregojnë se, mes viteve 2011 dhe 2019, Epstein shërbeu edhe si ndërmjetës për përfaqësues të elitës ruse në transaksione pasurish të paluajtshme dhe skema financiare offshore…
Përveç prirjes së tij për gra të reja ruse, Jeffrey Epstein kishte lidhje të ngushta me burra të Kremlinit, sipas dokumenteve të publikuara më 30 janar nga drejtësia amerikane. I tërhequr nga mundësitë financiare të Rusisë në zhvillim, të cilën e shihte si një vend të begatë, dhe i tërhequr nga oligarkët e saj, financieri kishte ndërtuar një rrjet lidhjesh me vendimmarrës shtetërorë. Mes viteve 2011 dhe 2019, ai shërbeu si ndërmjetës për përfaqësues të elitës ruse, si për orgji seksuale, ashtu edhe për transaksione pasurish të paluajtshme apo skema financiare offshore.
Megjithatë, dëshira e tij, e përsëritur disa herë, për të takuar Vladimir Putinin nuk u realizua, duket, ashtu siç nuk u plotësua as dëshira për të udhëtuar në Rusi, pavarësisht kërkesave të shumta për vizë. Një prej tyre u depozitua në vitin 2011, me ftesë të Vympel, organizata e veteranëve të shërbimeve speciale.
Në një letër drejtuar më 24 qershor 2018 ish-kryeministrit norvegjez Thorbjorn Jagland, i cili gëzon besimin e udhëheqësit të Kremlinit, financieri i kërkon të organizojë një takim me ministrin rus të Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, të cilit i premton se do t’i sigurojë “informacione”.
Para së gjithash, Jeffrey Epstein ishte në kërkim të një kanali të ri komunikimi me Kremlinin, pasi kishte humbur bashkëbiseduesin e tij kryesor, Vitaly Churkin, ambasadorin e Rusisë pranë OKB-së, i cili vdiq nga një atak kardiak në vitin 2017. Në shkëmbimet e tij me e-mail, ai shpjegon se Vitaly Churkin e kishte “kuptuar Trumpin” falë bisedave të tyre dhe propozon që të ndihmojë gjithashtu edhe zotin Lavrov.
Kontakti ideal
Kontakti i tij më i shpeshtë ishte Sergei Belyakov, një zyrtar i lartë rus i formuar në Akademinë e FSB-së (Shërbimi Federal i Sigurisë), pasardhësi i KGB-së sovjetike. Jeffrey Epstein u takua disa herë me të dhe mbajti me të një korrespondencë të dendur.
Në një e-mail të datës janar 2016, me titull “Funksioni im i ri”, Belyakov e informon amerikanin se kishte nisur punë në Fondin Rus të Investimeve Direkte, të drejtuar nga Kirill Dmitriev, aktualisht emisar i Kremlinit pranë administratës amerikane për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Dy vjet më herët, Belyakov, atëherë president i Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut, i kishte kërkuar Jeffrey Epstein këshilla se si të anashkaloheshin sanksionet perëndimore të vendosura ndaj Rusisë pas aneksimit të Krimesë. Financieri rekomandonte një strategji dedollarizimi, përdorimin e kriptomonedhave dhe një hua me vlerë “500 miliardë”, pa dhënë sqarime të mëtejshme.
Për oficerin e FSB-së, misioni i të cilit ishte të tërhiqte në Rusi investitorë të huaj, veçanërisht amerikanë, Jeffrey Epstein përfaqësonte kontaktin ideal. Në korrik 2015, ai organizoi në Kaliforni një takim mes mikut të tij rus nga shërbimet dhe miliarderit të teknologjisë Peter Thiel. “Për njerëzit e Kremlinit, bëhej fjalë për të marrë këshilla nga ky ekspert i parajsave fiskale dhe i pastrimit të fondeve, për të kërkuar ndihmën e tij për mbulimin e agjentëve të dërguar në Shtetet e Bashkuara dhe për të përfituar nga aftësitë e tij si ndërmjetës për të siguruar akses te objektiva amerikanë me interes për FSB-në”, shpjegon historiania Françoise Thom në një artikull të botuar në faqen Desk Russie.
Mes Belyakov dhe Epstein, marrëdhënia ishte miqësore. Financieri amerikan nuk e kishte të panjohur faktin se Forumi Ekonomik i Shën Petersburgut shërbente si “terreni i preferuar i gjuetisë së eskortave tërheqëse, të ngarkuara për të ‘kompromentuar’ biznesmenët për llogari të shërbimeve ruse”, siç thekson historiania. Në korrik 2015, Jeffrey Epstein i kërkon mikut të tij nga FSB-ja ndihmë lidhur me një punonjëse seksi ruse, e vendosur në Shtetet e Bashkuara, e cila po shantazhonte një nga miqtë e tij miliarderë, Leon Black. Sergei Belyakov i përgjigjet se e reja, e papërfshirë nën mbrojtjen e shërbimeve ruse, me shumë gjasa do të ndikohej nga një kërcënim për dëbim nga autoritetet amerikane. Shantazhi përfundon pa sukses.
Transferim teknologjish
Jeffrey Epstein kishte një dobësi për bashkëpunëtore që vinin nga Lindja. Dy prej tyre, të afërta me pushtetin rus, Svetlana Pozhidaeva dhe Maria Drokova, kishin profile me interes. E para, poliglote, ishte diplomuar në Institutin Shtetëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Moskës (MGIMO), që formon diplomatë dhe agjentë të ardhshëm. E dyta kishte qenë për një kohë të gjatë figurë simbol e lëvizjes rinore putiniste Nashi, e krijuar nga Vladislav Sourkov, atëherë këshilltar i afërt i presidentit rus. Maria Drokova, nga një familje e pasur e Tambovit, njihet për faktin se e kishte puthur Vladimir Putinin gjatë një kampi veror të organizuar nga kjo lëvizje në vitin 2009.
Në vitin 2016, ajo nisi punë në fushën e marrëdhënieve me publikun dhe numëronte Jeffrey Epstein mes klientëve të saj, megjithëse natyra e punës së saj për të mbetet e paqartë. E vetmja siguri është se emri i saj shfaqet 1627 herë në dokumente, përfshirë edhe në një e-mail që financieri mori në pranverën e vitit 2017 nga një dërgues anonim. Ky i fundit e përshkruante atë si një “të re të jashtëzakonshme, shumë të zgjuar për moshën e saj, e cila do të ishte e lumtur t’ju takonte dhe t’ju prezantonte planin e saj për të pushtuar botën”.
Disa muaj më vonë, ajo i shkruan Jeffrey Epstein, duke i propozuar ide për të promovuar imazhin e tij: realizimin e një filmi për të, krijimin e një “Çmimi Epstein”, të frymëzuar nga çmimi Nobel, ose ngritjen e një fondacioni për të luftuar “ngacmimin e grave”. Dy vjet më pas, gjatë një shkëmbimi tjetër, ai i kërkon t’i dërgojë fotografi nudo të saj.
E vendosur në Shtetet e Bashkuara që prej vitit 2017, Maria Drokova ka ndërtuar atje emrin e saj duke injektuar, ndër të tjera, kapitalet e disa oligarkëve rusë në kompani amerikane të Silicon Valley, gjë që ka ngjallur dyshime te shërbimet perëndimore për një transferim të mundshëm teknologjish drejt Rusisë. Aktualisht, ajo drejton Day One Venture, një fond kapitali sipërmarrës që e ka krijuar në San Francisko (Kaliforni) me fonde nga disa vende. Duke deklaruar se është distancuar nga Rusia, ku megjithatë ka udhëtuar disa herë mes viteve 2017 dhe 2021, ajo thotë se vepron brenda kuadrit të legjislacionit amerikan, i cili deri tani nuk ka gjetur asgjë të kundërshtueshme në interesin e rusëve për kapitalin sipërmarrës. /Përshtatur nga Le Monde/
Kuptohet me Ruset "nuk ka bere ligesira". Keta perversat perendimorë e kane ngrene karremin e djallit.