Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar se Evropa rrezikon të “fshihet nga faqja e dheut” brenda pesë vjetësh nëse nuk ndërmerr hapa të guximshëm për t’u shndërruar në një aktor të pavarur në arenën globale.
Sipas tij, një Evropë që zgjedh të jetë thjesht vëzhguese e zhvillimeve ndërkombëtare përfundon në nënshtrim politik dhe ekonomik.
“Nëse vendosim të jemi vetëm vëzhgues, kjo çon në një nënshtrim të qetë. Ne nuk shqetësojmë askënd, përpiqemi të jemi të sjellshëm me amerikanët dhe kinezët dhe vazhdojmë si më parë. Po ju them: nëse nuk bëjmë asgjë, Evropa do të fshihet nga faqja e dheut brenda pesë vjetësh,” deklaroi Macron.
Komentet e presidentit francez u bënë në një intervistë për disa media evropiane, përfshirë Le Monde, në një moment që ai e cilësoi kritik për të ardhmen politike, ekonomike dhe strategjike të Bashkimit Evropian.
Kredi e përbashkët dhe sfidimi i hegjemonisë së dollarit
Në intervistë, Macron mbrojti idenë e një huamarrjeje të re të përbashkët nga 27 shtetet anëtare të BE-së, e cila do të përdorej për të financuar investime strategjike në fusha kyçe si mbrojtja, teknologjia, industria e gjelbër dhe inteligjenca artificiale. Sipas tij, një instrument i tillë financiar do t’i lejonte BE-së jo vetëm të forconte konkurrueshmërinë e saj, por edhe të sfidonte hegjemoninë e dollarit amerikan në sistemin financiar ndërkombëtar.
Ky qëndrim vjen në prag të takimit të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së, të planifikuar për të enjten, më 12 shkurt, në Bruksel, ku konkurrueshmëria ekonomike e Evropës pritet të jetë një nga temat kryesore të diskutimit.
Konteksti gjeopolitik dhe krizat e brendshme të BE-së
Paralajmërimi i Macron vjen në një periudhë kur Bashkimi Evropian po përballet me sfida të shumta të brendshme dhe të jashtme: rritjen e rivalitetit mes fuqive të mëdha, presionet tregtare, varësinë strategjike nga partnerë të jashtëm, si dhe vështirësitë për të ndërtuar një politikë të përbashkët të mbrojtjes dhe sigurisë.
Presidenti francez theksoi se Evropa ka dështuar historikisht sa herë që ka qenë e përçarë, duke argumentuar se fragmentimi politik dhe mungesa e vizionit të përbashkët e kanë dobësuar vazhdimisht rolin e saj në botë.
Në këtë kontekst, ai iu referua edhe krizës së fundit të Groenlandës, duke u bërë thirrje evropianëve të mos bien, siç u shpreh ai, në “një ndjenjë frikacake lehtësimi”, e cila, sipas tij, do të ishte vetëm e përkohshme dhe do ta linte kontinentin të papërgatitur për sfidat afatgjata.
Lini një Përgjigje