Dy tërmete shkatërruese me magnitudë 7,2 dhe 7,5 goditën Venezuelën…
"Vlerësimet për dëmet janë paraprake dhe ende nuk e dimë se sa persona kanë humbur jetën nga tërmetet", thuhet në një deklaratë të Kryqit të Kuq të Venezuelës, teksa shifra e vetme zyrtare e publikuar është ajo me 32 të vdekur dhe mbi 700 të plagosur.
Por, sipas një faqeje interneti të krijuar nga drejtuesit e vendit, më shumë se 10.000 persona rezultojnë të zhdukur. Numri i të zhdukurve vazhdon të rritet nga minuta në minutë.
Presidentja në detyrë e vendit, Delcy Rodríguez, së bashku me ministrin e Brendshëm Diosdado Cabello dhe kryetarin e Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodríguez, iu drejtuan kombit me një fjalim, duke shpallur zyrtarisht gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë vendin. Gjithashtu, ajo emëroi një gjeneral për të mbikëqyrur operacionet e emergjencës.

Goditja vdekjeprurëse e tërmetit ndodhi gjatë një feste kombëtare, një ditë pushimi zyrtare që përkujton fitoren historike ushtarake të vitit 1821, e cila i solli Venezuelës pavarësinë nga Spanja. Kjo do të thotë se shumica e qytetarëve ndodheshin në shtëpitë e tyre në momentin kur ndodhën lëkundjet.
Banorët e Karakasit qëndruan në rrugë edhe disa orë pas tërmeteve, ndërsa shumë prej tyre u strehuan në shkolla që janë shndërruar në qendra emergjence.
Vlen të theksohet se tërmeti i dytë, i cili ndodhi vetëm pak minuta pas të parit dhe kishte magnitudë 7,5, ishte më i fuqishmi që ka përjetuar Venezuela në më shumë se një shekull, sipas të dhënave të Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS).
Ekipet e shpëtimit, të cilat punuan gjatë gjithë natës në Karakas, dëgjojnë zërat e njerëzve të bllokuar nën rrënoja që kërkojnë ndihmë, deklaroi më herët kryebashkiaku i komunës Chacao, Gustavo Duque.
"Fatmirësisht dëgjojmë njerëz që janë gjallë nën rrënoja. Do t'i shpëtojmë të gjithë", tha Gustavo Duque në një video të publikuar në Instagram, duke shtuar se deri më tani janë shpëtuar 23 persona.
"Nuk do të largohemi nga këtu derisa të shpëtojmë edhe njeriun e fundit që mund të shpëtohet, dhe e di se me ndihmën e Zotit do t'ia dalim", theksoi ai.
Lini një Përgjigje