TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Qershor 2026, 10:38

Lëkundjet 7.2 dhe 7.5, Venezuela u godit nga tërmetet më të forta në mbi 1 shekull

Shkruar nga Pamfleti
Lëkundjet 7.2 dhe 7.5, Venezuela u godit nga tërmetet më të
Pamje nga Venezuela

Dy lëkundje të forta me magnitudë 7.2 dhe 7.5 goditën Venezuelën brenda pak sekondash, ndërsa USGS i konsideron më të fortat që ka përjetuar vendi që nga viti 1900…

Tërmeti me magnitudë 7.5 që goditi Venezuelën është më i fuqishmi i regjistruar në vend në më shumë se një shekull, sipas të dhënave të Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), të cituara nga CNN.

Sipas USGS, dy tërmete të forta goditën veriun e Venezuelës me një diferencë prej vetëm 39 sekondash. Lëkundja e parë ishte me magnitudë 7.2, ndërsa e dyta arriti magnitudën 7.5, duke u klasifikuar si ngjarja kryesore e këtij "çifti sizmik".

Tërmeti më i madh i regjistruar më parë në historinë moderne të Venezuelës ndodhi më 29 tetor 1900. I njohur si tërmeti i San Narcisos, ai vlerësohet të ketë pasur magnitudë nga 7.4 deri në 7.7 dhe shkaktoi dëme të mëdha në Karakas dhe zonat përreth. Qindra ndërtesa u shembën ose u dëmtuan rëndë, monumente historike dhe ndërtesa publike pësuan dëmtime të pakthyeshme, ndërsa dhjetëra persona humbën jetën. Intensiteti i tij u vlerësua nga VIII deri në X sipas shkallës Mercalli.

Ekspertët e lidhin aktivitetin e lartë sizmik me pozicionin gjeologjik të Venezuelës, e cila ndodhet në kufirin ndërmjet pllakës tektonike të Karaibeve dhe asaj të Amerikës së Jugut.

Sipas të dhënave të USGS, tërmeti me magnitudë 7.5 është i dyti më i fuqishëm i regjistruar ndonjëherë në Venezuelë, ndërsa lëkundja paraprake me magnitudë 7.2 renditet ndër më të fortat në historinë sizmike të vendit.

Banorët përshkruan skena paniku gjatë lëkundjeve. Disa prej tyre, që kishin përjetuar edhe tërmetin e vitit 1967 në Karakas, deklaruan se shkatërrimi ishte i paprecedentë, ndërsa një tjetër tha se pamjet "ngjanin me një film horror", sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare.

Lini një Përgjigje