TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota24 Qershor 2025, 18:49

Çfarë dimë për armëpushimin Iran-Izrael?

Shkruar nga Pamfleti

Çfarë dimë për armëpushimin Iran-Izrael?

Donald Trump ka paralajmëruar Izraelin të mos kryejë më sulme ndaj Iranit, vetëm disa orë pasi ai deklaroi se një armëpushim mes dy palëve kishte hyrë në fuqi.

Presidenti amerikan përdori një fjalë fyese ndërsa kritikoi të dyja palët, pasi secila akuzoi tjetrën për shkeljen e armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA dhe Katari.

Kjo ndodhi pasi Izraeli tha se Irani kishte shkelur marrëveshjen dhe u zotua se do të përgjigjej me “sulme të fuqishme”.

Irani mohoi të ketë lëshuar raketa drejt Izraelit dhe organi më i lartë i sigurisë në vend u zotua se do të përgjigjet ndaj çdo agresioni të mëtejshëm izraelit.

Çfarë dimë deri tani?

Menjëherë pas orës 05:00 GMT të martën, Trump njoftoi se armëpushimi kishte hyrë në fuqi.

“Ju lutem, mos e shkelni!” u bëri thirrje të dyja palëve përmes një postimi në platformën e tij “Truth Social”.

Qeveria izraelite deklaroi se kishte pranuar propozimin amerikan për armëpushim menjëherë pas orës 06:00 GMT, pasi Irani kishte sinjalizuar se do të ndalonte sulmet nëse Izraeli bënte të njëjtën gjë.

Megjithatë, disa orë më vonë, Izraeli akuzoi Iranin se kishte ndërmarrë sërish sulme ndaj territorit të tij.

Trump fillimisht kishte deklaruar se një marrëveshje e plotë ishte arritur në një postim rreth orës 22:00 GMT të hënën, duke thënë se kjo do t’i jepte fund asaj që e quajti “lufta 12-ditore”.

Kjo erdhi pasi Irani kishte lëshuar raketa ndaj një baze amerikane në Katar të hënën, si përgjigje ndaj sulmeve amerikane kundër objekteve të tij bërthamore gjatë fundjavës.

Çfarë ka thënë Trump?

Në një postim në “Truth Social”, Trump i bëri thirrje Izraelit: “Mos i hidhni ato bomba” mbi Iranin.

Duke folur për gazetarët jashtë Shtëpisë së Bardhë menjëherë pas kësaj, Trump tha se ishte “i pakënaqur” me Izraelin.

“Duket se ishte vetëm një raketë që u lëshua pas afatit dhe tani Izraeli po e përdor këtë si shkak për sulme. Këta njerëz duhet të qetësohen,” tha ai.

Në një shpërthim të zemëruar, ai u shpreh se të dyja vendet nuk dinin më se çfarë po bënin.

Më pas, në një postim të vonë, ai tha: “Armëpushimi është në fuqi.”

Si kanë reaguar Irani dhe Izraeli?

Dy orë pas deklaratës izraelite për pranimin e armëpushimit, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se kishin identifikuar raketa të lëshuara nga Irani.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, e akuzoi Iranin për “shkelje të plotë” të marrëveshjes dhe tha se kishte urdhëruar ushtrinë të “vazhdojë sulmet intensive kundër Teheranit për të shkatërruar objektiva të regjimit dhe infrastrukturë terroriste”.

Ushtria iraniane mohoi të ketë lëshuar raketa pas hyrjes në fuqi të armëpushimit.

Më vonë, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) deklaroi se “në momentet e fundit para se armëpushimi të hynte në fuqi”, kishte goditur “qendra ushtarake dhe logjistike” në Izrael.

Agjencia e lajmeve Tasnim, e lidhur me IRGC, raportoi se Izraeli kishte ndërmarrë një “sulm ushtarak në tre faza” ndaj territorit iranian pas nisjes së armëpushimit.

Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare të Iranit kishte paralajmëruar më herët se sulmet izraelite do të “përballeshin me një përgjigje vendimtare, të fortë dhe të menjëhershme nga Irani”.

A është shkelur armëpushimi?

Zyra e kryeministrit izraelit akuzoi Iranin për lëshimin e raketave pas hyrjes në fuqi të armëpushimit të martën, akuzë që Irani e mohoi. Izraeli u kundërpërgjigj duke goditur një “strukturë radari pranë Teheranit”.

Para hyrjes në fuqi të armëpushimit, Irani dhe Izraeli shkëmbyen sulme të ashpra.

IDF tha se disa valë goditjesh kishin prekur vendin të hënën në mbrëmje dhe në orët e para të së martës. Ekipet e shpëtimit raportuan për katër të vdekur dhe 22 të plagosur në qytetin Beersheba.

Në atë kohë, mediat shtetërore iraniane raportuan se Irani kishte lëshuar “një valë të fundit raketash” kundër Izraelit.

Gjatë natës, televizioni shtetëror iranian raportoi se kryeqyteti Teheran përjetoi disa nga përplasjet më të ashpra të mbrojtjes ajrore që nga shpërthimi i konfliktit më 13 qershor, dhe banorët thanë për BBC Persian se dëgjuan shpërthime të forta.

IDF tha se kishte goditur dhe shkatërruar lëshues raketash në Iranin perëndimor që, sipas tyre, ishin “gati për t’u lëshuar drejt territorit izraelit”.

Teherani tha se një tjetër shkencëtar bërthamor ishte vrarë para hyrjes në fuqi të marrëveshjes.

Pse e sulmoi Izraeli, Iranin?

Izraeli sulmoi objektet bërthamore dhe ushtarake të Iranit më 13 qershor, duke pretenduar se Irani ishte pranë ndërtimit të një arme bërthamore.

Izraeli tha se nuk kishte zgjidhje tjetër përveç bombardimeve, pasi bisedimet diplomatike për ndalimin e programit bërthamor kishin ngecur.

 

Sulmi izraelit ndodhi në mes të shqetësimeve në rritje ndërkombëtare se Irani kishte rritur prodhimin e uraniumit të pasuruar – një përbërës kyç për ndërtimin e armëve bërthamore.

Megjithatë, nuk ka konsensus ndërkombëtar mbi sa afër është Irani me ndërtimin e një arme të tillë.

Në ditët që pasuan, Izraeli sulmoi infrastrukturën iraniane që sipas tij mund të përdorej për zhvillimin e armëve bërthamore.

Më pas, SHBA u bashkua në sulme, duke përdorur bombat “bunker buster” ndaj objektit të pasurimit të uraniumit në Fordo, një kompleks nëntokësor jashtë Teheranit.

Në një përditësim të së martës, një zëdhënës i ministrisë iraniane të shëndetësisë tha se 610 persona kishin humbur jetën dhe 4,746 ishin plagosur nga sulmet izraelite që nga fillimi i konfliktit.

Sipas ministrisë izraelite të shëndetësisë, katër persona u vranë të martën, duke e çuar në 28 numrin e të vdekurve që nga 13 qershori.

Cilat janë kapacitetet bërthamore të Iranit?

Irani thotë se programi i tij bërthamor është tërësisht paqësor dhe për qëllime civile.

Megjithatë, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) paralajmëroi muajin e kaluar se Irani kishte pasuruar mbi 400 kg uranium në pastërti 60% – një nivel afër atij për armë, shumë më i lartë se ai për përdorim civil.

Zyrtarët amerikanë thonë se sulmet e përbashkëta SHBA-Izrael ndaj objekteve bërthamore të Iranit kanë vonuar ndjeshëm mundësinë që Teherani të ndërtojë një armë bërthamore.

Megjithatë, Hassan Abedini, drejtori i dytë politik në transmetuesin shtetëror iranian, pretendoi se tre objektet e goditura nga SHBA ishin evakuuar “prej kohësh”, dhe se Irani “nuk ka pësuar një goditje të rëndë sepse materialet ishin zhvendosur më herët”. /BBC

Lini një Përgjigje