
Diagnoza e tmerrshme shfaqet në një gazetë qeveritare të Pekinit: Shtetet e Bashkuara janë një "shtet i dështuar". Por propaganda fsheh "involucionin" me të cilin po përballet Republika Popullore.
Çfarë mendon udhëheqja kineze për Amerikën ose më saktë, çfarë dëshiron që kinezët të mendojnë për të? Sipas një artikulli të botuar në një nga gazetat më të rëndësishme shtetërore të Pekinit, Amerika është një “shtet i dështuar”.
Një gjykim i ashpër, madje fyes, por që pasqyron gjuhën që përdor sot propaganda zyrtare kineze për superfuqinë rivale.
Artikulli u publikua në “Beijing Daily”, teksa udhëheqësit politikë të Kinës përgatiteshin të përcaktonin planet e reja afatgjata ekonomike, në një klimë rivaliteti të shtuar me Uashingtonin. Gazeta shkruante: “Ku është dinjiteti i një superfuqie? Për dekada me radhë, Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur imazhin e tyre të ndritshëm falë hegjemonisë globale, por sot ndodhen në një spirale rënieje.”
Artikulli vijon me tone të forta: “Aura amerikane ka qenë gjithmonë një iluzion, miti i saj i brishtë. Për ta thënë me fjalët e Trump, Amerika është bërë një shtet i dështuar, që ‘po vdes nga brenda’.”
Në një gjuhë plot sarkazëm, media kineze përmendte ngjarje si zjarret në Los Angeles, përplasjet politike mes Trump dhe Musk, apo rritjen e taksave dhe luftërat tregtare si “prova të shëmtisë morale dhe arrogancës amerikane”. Sipas saj, “pas çdo episodi, hiqet një shtresë nga petku i shkëlqyer i Xhaxha Samit, duke zbuluar turpin e një perandorie në kalbje”.
Ky diskurs nuk është i ri. Propaganda kineze ka dekada që e paraqet Amerikën si një shoqëri të degjeneruar, të dhunshme, të ndarë dhe të paaftë për të garantuar rend e siguri, me synimin për t’i treguar qytetarëve të vet se demokracia perëndimore është një sistem i dështuar. Sipas analistëve, kthesa më e fortë në këtë narrativë erdhi në vitin 2008, pas krizës financiare globale. Kriza e “subprime”, rënia e Lehman Brothers dhe kolapsi i Wall Street-it u interpretuan në Pekin si prova e “superioritetit të modelit socialist kinez”.
Kur në vitin 2012 në pushtet erdhi Xi Jinping, nacionalist i bindur dhe kritik i ashpër i Perëndimit, propaganda antiamerikane mori tonet më të forta ndonjëherë. Termat si “civilizim në rënie”, “sëmundje e perëndimit” apo “imperi që po shembet nga brenda” janë bërë pjesë e përditshme e diskursit zyrtar.
Megjithatë, në terren realiteti është më kompleks. Shumë të rinj kinezë nuk e besojnë këtë narrativë. Në universitete si Cornell apo MIT, studentët kinezë deklarojnë hapur se nuk duan të kthehen në atdhe pas studimeve, sepse tregu i punës në Kinë është i stërngopur dhe pagat janë shumë më të ulëta krahasuar me SHBA. Papunësia e të rinjve është në nivele rekord, ndërsa rritja ekonomike po ngadalësohet ndjeshëm.
Sipas një raporti të Wall Street Journal, ekonomia kineze po përjeton një krizë të brendshme të quajtur “involution” (neijuan) – një garë e pafund, pa përparim të vërtetë. Kjo “mbingarkesë” e konkurrencës, që dikur shihej si forcë e zhvillimit, po shndërrohet në një kurth: firmat prodhojnë shumë, fitojnë pak, pagat bien dhe çmimet ulen, duke ushqyer një spiralë deflacioni.
Përballë kolapsit të tregut të pasurive të paluajtshme, Pekini ka investuar fuqishëm në manifakturë dhe teknologji të lartë, si makinat elektrike, panelet diellore, robotika dhe mikroçipet, duke dhënë kredi, subvencione dhe lehtësira fiskale. Por ky “keynesizëm industrial” ka sjellë efektin e kundërt: mbiprodhim masiv dhe luftë çmimesh.
Vetëm në industrinë e automjeteve elektrike, Kina ka mbi 100 prodhues, shumë prej të cilëve shesin nën kosto. Gjiganti BYD ofron modele për më pak se 8 mijë dollarë, por vetëm 30% e koncesionarëve janë fitimprurës. Të tjerët mbijetojnë duke ulur pagat dhe shkurtuar personelin.
Kështu, ndërsa Xi Jinping synon autonomi industriale dhe dominim teknologjik global, ekonomia kineze po ngurtësohet nga brenda. Çmimet e konsumit janë të ngrira, prodhimi industrial në rënie, ndërsa fuqia blerëse e familjeve stagnon.
Në popull, termi “involution” ka marrë kuptim simbolik: një shoqëri që vrapon gjithnjë më shpejt, por mbetet në vend. Nga ritmi i punës “996” (9 të mëngjesit – 9 të darkës, 6 ditë në javë) është kaluar në shprehjen e re “007”, tërë ditën, çdo ditë.
Analistët ndërkombëtarë e përmbledhin kështu: Kina prodhon shumë, por konsumon pak. Për të dalë nga spirala deflacioniste, duhet të rrisë kërkesën e brendshme, të forcojë mirëqenien sociale dhe të inkurajojë konsumin. Por Partia Komuniste heziton, nga frika se ulja e prodhimit mund të shkaktojë papunësi masive dhe rënie të PBB-së.
Sipas ekspertëve, Pekini po ecën me kujdes, duke vendosur kufij për prodhimin e tepërt dhe duke ndaluar shitjet nën kosto. Ka sinjale të lehta përmirësimi: në gusht fitimet industriale u rritën me 20%, dhe deflacioni u ngadalësua. Por rritja mbetet e brishtë.
Siç shkroi People’s Daily, “këto janë dhimbjet e domosdoshme të transformimit drejt një ekonomie teknologjike më të sofistikuar”. Në përkthim praktik: Kina nuk ka ndërmend të braktisë rrugën e industrializimit të avancuar, edhe nëse kjo do të thotë të zgjasë periudhën e vështirë të “involution”-it.
Në fund, vendi ndodhet përballë një dileme: ose ngadalëson ritmin për të ekuilibruar modelin e vet ekonomik, ose vazhdon të vrapojë në vend, viktimë e të njëjtit mekanizëm konkurrues që dikur e ngriti në majë. /Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere Della Sera”
Lini një Përgjigje