TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Tetor 2025, 15:36

Misteri i burrit me kapelë jashtë Luvrit menjëherë pas vjedhjes: kush është ai? Detektiv, turist apo thjesht një kalimtar?

Shkruar nga Pamfleti

Misteri i burrit me kapelë jashtë Luvrit menjëherë pas

Mes detajeve kurioze të grabitjes spektakolare në Muzeun e Luvrit, të ndodhur të dielën e kaluar, një figurë ka bërë xhiron e botës: një burrë me çadër, kapelë fedora, pallto të errët dhe jelek bezhë, i fotografuar disa orë pas ngjarjes në vendin e krimit.

Qëndrimi i tij i drejtë, eleganca e dalë mode dhe kontrasti me dy policët e lodhur që mbështeteshin mbi makinën e shërbimit, e bënë menjëherë figurën e tij ikonike.

Gazetarja Melissa Chen, bashkëpunëtore e revistës britanike The Spectator, publikoi fotografinë në platformën “X”, duke e prezantuar si “një detektiv francez që po hetonte rastin e bizhuterive të vjedhura”.

Në rrjetet sociale shpërtheu një lumë memes dhe batutash për “detektivin tipik francez”, me referenca nga filmi klasik “Inspektori Clouseau”. Vetë Chen shkroi me ironi: “Një foto reale (jo e krijuar nga inteligjenca artificiale!) e një detektivi francez që punon për rastin e bizhuterive. Duket sikur po pi cigare, edhe pse s’ka asgjë në dorë. Por për të zgjidhur rastin, na duhet një hetues i lodhur, i divorcuar, i urryer nga kolegët, jo dikush që mban kapelë fedora pa asnjë ironi.”

Postimi u bë viral, me miliona shikime dhe mijëra reagime. Përdoruesit nisën të kërkonin identitetin e “njeriut misterioz”, duke hamendësuar në mënyrë komike se mund të ishte “Alain Delon apo Jean-Paul Belmondo i ringjallur”.

Por të enjten, misteri mori fund. Thibault Camus, fotograf i Associated Press dhe autori i imazhit, sqaroi se burri nuk ishte detektiv, as personazh i njohur: “Nuk e njoh, nuk e di nëse është francez. Ndoshta turist. Ndoshta anglez. Ishte thjesht një kalimtar.”

Pra, as agjent sekret, as hetues filmash, vetëm një njeri që ndaloi në vendin e gabuar, në momentin e duhur.

Por siç ndodh shpesh në epokën e internetit, një kapelë dhe një qëndrim i veçantë mjaftojnë për të krijuar një legjendë.

Lini një Përgjigje