TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Shkurt 2026, 08:05

Çfarë u fsheh natën që vdiq Epstein? Arkivat zbulojnë prani të paidentifikuar në burg

Shkruar nga Pamfleti
Çfarë u fsheh natën që vdiq Epstein? Arkivat zbulojnë
Jeffrey Epstein

Dokumente të publikuara së fundmi tregojnë se një figure të paidentifikuar mund të ketë pasur qasje pranë qelisë së Jeffrey Epstein natën e 9 gushtit 2019, në kundërshtim me deklaratat zyrtare amerikane.

Publikimi i dokumenteve të reja nga arkivat e çështjes Jeffrey Epstein ka shtuar dyshimet mbi rrethanat e vdekjes së tij në Qendrën Korrektuese Metropolitan në Nju Jork, duke vënë në pikëpyetje versionin zyrtar të vetëvrasjes.

Sipas materialeve të përfshira në të ashtuquajturat “Dosjet Epstein”, autoritetet federale kanë shqyrtuar pamje filmike nga kamerat e sigurisë së burgut dhe kanë konstatuar praninë e një figure të paidentifikuar, e përshkruar si “diçka portokalli”, që ngjitej shkallëve drejt katit ku ndodhej qelia e Epstein.

Raporti thekson se më 9 gusht 2019, në orën 22:39, agjentët e FBI-së vunë re këtë figurë në pamjet e kamerave të qarkut të mbyllur, duke ngritur dyshime se një i paraburgosur tjetër mund të ketë pasur qasje në zonën e sigurisë.

Sipas të dhënave zyrtare, Jeffrey Epstein u gjet i pajetë mëngjesin e 10 gushtit 2019, rreth orës 6:30, nga një roje burgu. Raporti fillestar i mjekut ligjor e cilësoi vdekjen si vetëvrasje me varje. Megjithatë, deri më sot, nuk është përcaktuar një orë e saktë e vdekjes.

Hetimi u komplikua më tej nga fakti se dy kamerat që monitoronin drejtpërdrejt qelinë e Epstein rezultuan “jashtë funksionit” dhe më pas u vunë nën shqyrtim nga FBI-ja.

Këto gjetje bien ndesh me deklaratat publike të disa zyrtarëve të lartë amerikanë. Ish-prokurori i përgjithshëm i SHBA-së, Bill Barr, deklaroi në vitin 2019 se kishte parë personalisht pamjet e sigurisë dhe se askush nuk kishte hyrë në zonën ku mbahej Epstein natën e vdekjes.

Po ashtu, në maj të vitit të kaluar, ish-zëvendësdrejtori i FBI-së, Dan Bongino, deklaroi për Fox News se pamjet filmike tregonin qartë se Epstein ishte i vetmi person në zonë dhe se askush tjetër nuk hynte apo dilte nga aty.

Dokumentet e reja nga arkivat ligjore shtojnë kontradiktat mes gjetjeve hetimore dhe deklaratave zyrtare, duke e mbajtur ende të hapur një nga rastet më të errëta dhe më të debatuara të drejtësisë amerikane.

 

Lini një Përgjigje