Afrimi mes Moskës dhe Pekinit po thellohet, por brenda elitës ruse po rriten shqetësimet për një varësi gjithnjë e më të pabalancuar nga Kina...
Afërsia mes Xi Jinping dhe Vladimir Putin u konfirmua sërish këtë javë. Në një videotelefonatë të mërkurën, presidenti rus deklaroi se “për marrëdhëniet ruso-kineze, mund të thuhet se çdo stinë është pranverë”, ndërsa homologu i tij kinez e quajti Putinin “mik të vjetër e të dashur” dhe theksoi nevojën për një “plan madhor” për thellimin e mëtejshëm të lidhjeve. Megjithatë, realiteti është më pak harmonik sesa retorika.
Nevoja e Rusisë për të shitur energji, për të siguruar makineri industriale dhe pajisje me përdorim të dyfishtë, jo armë, por të dobishme për luftë, si kamionë apo materiale mjekësore, e ka bërë Moskën gjithnjë e më të varur nga ish “vëllai i vogël”.
Javën e kaluar, sekretari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Sergei Shoigu, vizitoi Kinën, ku ai dhe ministri i Jashtëm kinez, sipas deklarimeve zyrtare, “sinkronizuan orët” në prag të bisedimeve mes dy liderëve. Edhe pse roli i Shoigut është i fuqishëm por i paqartë në përcaktim, një anëtar i ekipit të tij pranon se ai është i shqetësuar për pabarazinë në rritje të marrëdhënies: Shoigu, sipas tij, “nuk dëshiron të hyjë në histori si njeriu që ia shiti Rusinë Pekinit”.
Ka arsye për këtë shqetësim. Ndërsa Putin thekson vazhdimisht afrimin me Kinën, treguesit konkretë janë më pak bindës. Sondazhet tregojnë se rusët e konsiderojnë Kinën vendin me të cilin kanë marrëdhëniet më miqësore, por një shumicë e qartë ende nuk do të dëshironte fqinjë apo krushqi kineze.
Putin ka deklaruar se 56 mijë studentë kinezë studiojnë në universitetet ruse, por kjo shifër është shumë më e ulët se mbi 140 mijë studentët kinezë në Mbretërinë e Bashkuar. Po ashtu, ndonëse tabelat rrugore në qendër të Moskës po pajisen me përkthime në kinezçe, ka ankesa se fluksi i turistëve përfiton më shumë agjencitë kineze të udhëtimit sesa bizneset lokale, pasi këto të fundit përballen me presion për ulje të forta çmimesh.
Kjo situatë pasqyron marrëdhënien në tërësi. Tregtia dypalëshe është stabilizuar rreth 150 miliardë paund në vit dhe hyrja masive e mallrave kineze në Rusi nuk ka qenë gjithmonë përfitim i pastër. Ndërsa Perëndimi i ofron Ukrainës kredi dhe ndihmë, Kina kërkon pagesë dhe shfrytëzon vështirësitë e Rusisë për të negociuar kushte të favorshme. Gazi rus, për shembull, i shitet Kinës pothuajse me kosto. Sanksionet perëndimore vetëm sa e përkeqësojnë këtë situatë. Edhe rritja e planifikuar me 15 për qind e kapacitetit të gazsjellësit “Fuqia e Siberisë” nuk kompenson humbjet nga tregu evropian.
Ndërkohë, Kina po zëvendëson Rusinë në rajone ku Moska dikur kishte ndikim dominues. Azia Qendrore, që Rusia e shihte si zonën e saj të hegjemonisë përmes rolit të garantuesit të sigurisë dhe partnerit kryesor ekonomik, po anon gjithnjë e më shumë nga Pekini. Edhe sektori bërthamor nuk është më i sigurt për Rusinë. Rosatom ka kontrata për ndërtimin e centraleve në Kazakistan dhe Uzbekistan, por Korporata Kombëtare Bërthamore e Kinës po ofrohet si alternativë më e lirë dhe më e shpejtë. Sipas burimeve, Rosatom ankohet në heshtje se kompanitë kineze janë të gatshme të ulin fitimet dhe të paguajnë ryshfete më të mëdha për të fituar kontratat.
Kjo ka krijuar një ndarje brezash brenda elitës ruse. Putin e vlerëson faktin që perceptohet si aleati më i afërt i Xi Jinping, gjë që i jep peshë ndërkombëtare dhe kundërshton narrativën perëndimore për “izolimin” e Rusisë. Mbi të gjitha, ai ka nevojë për Kinën për sa kohë vazhdon lufta në Ukrainë, të cilën e konsideron ekzistenciale politikisht dhe historikisht. Nëse për ta fituar duhet të bëjë lëshime ndaj Pekinit, ai është i gatshëm t’i pranojë.
Brezi pasardhës politik, megjithatë, ka frikë se kur të vijë në pushtet do të administrojë një vend të varur nga Kina. Ata nuk e sfidojnë hapur këtë linjë, por përpiqen t’ia sinjalizojnë shqetësimet Kremlinit. Shërbimi Federal i Sigurisë raporton rritje të spiunazhit kinez në Rusi që nga viti 2022. Unioni i Industrialistëve ka evidentuar raste dumping-u nga kompanitë kineze. Edhe Sergei Chemezov, një nga miqtë më të afërt të Putinit dhe drejtues i konglomeratit ushtarak Rostec, ka kërkuar masa mbrojtëse për industrinë vendase të makinave. Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka miratuar në heshtje plane për rritjen e përpunimit vendas të mineraleve të rralla, për të ulur varësinë nga Kina. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes, edhe pse përdor pajisje kineze dhe zhvillon stërvitje të përbashkëta, vazhdon të përditësojë çdo vit planet e emergjencës në rast të një agresioni nga Pekini.
Siç shprehet një këshilltar ministror: “Është një lloj instinkti mbijetese. Bëjmë çfarë mundemi, duke qenë se nuk mund të ndryshojmë mënyrën si Kremlini e sheh këtë marrëdhënie.”
Këshilltari kryesor i Putinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, e përshkroi bisedën 85-minutëshe mes dy liderëve si “të drejtpërdrejtë, konfidenciale, të ngrohtë dhe miqësore”. Por për shumë anëtarë të elitës ruse, kjo përshkrim nuk është domosdoshmërisht qetësues. /Përshtatur nga The Spectator/
Lini një Përgjigje