
Komisioni Evropian është tërhequr nga planet e tij për të vendosur një taksë mbi kompanitë e mëdha të teknologjisë , të ashtuquajturat Big Tech, raporton Politico, një fakt që i jep një fitore të rëndësishme Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe u jep "hapësirë frymëmarrjeje" gjigantëve amerikanë si Apple dhe Meta.
Me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara në fazën e fundit të negociatave për t'i dhënë fund luftës së tyre tregtare, Brukseli ka hequr opsionin e një takse dixhitale nga lista e taksave të propozuara për të rritur të ardhurat gjatë buxhetit të ardhshëm shtatëvjeçar të BE-së, sipas një plani të publikuar të premten.
Me vetëm pak ditë të mbetura deri në prezantimin e projektbuxhetit, zyrtarët e lartë të BE-së janë në diskutime për të vendosur se cilat taksa do të përfshihen në propozimin e Komisionit, i cili do të publikohet të mërkurën (16 korrik), për buxhetin që fillon në vitin 2028.
Drafti përkatës, i cili sigurisht mund të ndryshohej para miratimit të tij, përcaktonte një listë të taksave të mundshme, por nuk përcaktonte sasinë e të ardhurave që do të gjeneronte secila prej tyre.
Një vendim kundër një takse dixhitale do të ishte një përmbysje e madhe për BE-në, e cila kohët e fundit, në maj, kishte propozuar taksimin e gjigantëve të teknologjisë si një mënyrë për të shlyer borxhin e bllokut. Ideja u përmend në një dokument mbi buxhetin e ardhshëm të diskutuar nga 27 komisionerët e BE-së.
Ky është në fakt një kthesë 180 gradë, që mund të jetë një veprim strategjik nga Evropa, e cila po kërkon kushte të favorshme në tregti, ndërsa Trump po ushtron presion dhe paralajmëron me tarifa.
Lini një Përgjigje