Forbes publikoi listën e 40-të të miliarderëve në botë, ku numri i tyre arrin rekord me 3,428 persona dhe pasuria totale kap 20.1 trilionë dollarë, me Elon Musk në krye...
Revista amerikane Forbes publikoi listën e 40-të vjetore “Miliarderët e Botës”, renditjen përfundimtare të njerëzve më të pasur në planet, duke treguar një rritje të paprecedentë të pasurisë globale gjatë vitit të fundit.
Lista e këtij viti përfshin 3,428 miliarderë, rreth 400 më shumë se rekordi i vitit të kaluar dhe numri më i lartë që nga krijimi i kësaj renditjeje në vitin 1987.
Sipas Forbes, miliarderët e botës zotërojnë së bashku një pasuri rekord prej 20.1 trilionë dollarësh, krahasuar me 16.1 trilionë dollarë në vitin 2025, duke reflektuar rritjen e tregjeve financiare dhe të kompanive teknologjike.
Musk kryeson listën
Elon Musk renditet për të dytin vit radhazi si njeriu më i pasur në botë dhe sipas Forbes është personi më i pasur i regjistruar ndonjëherë. Pasuria e tij vlerësohet rreth 839 miliardë dollarë, një rritje prej afro gjysmë trilioni dollarësh krahasuar me vitin e kaluar.
Rritja e pasurisë së Musk lidhet kryesisht me rritjen e vlerës së kompanive Tesla dhe SpaceX, kjo e fundit që synon të dalë në bursë në vitin 2026.
Musk është gjithashtu personi i parë në histori që ka kaluar pragun e 800 miliardë dollarëve, duke u afruar me mundësinë për t’u bërë trilioneri i parë në botë.
“Ky është viti i miliarderëve”, tha Chase Peterson-Withorn, redaktor i lartë për pasurinë në Forbes.
“Planeti shtoi më shumë se një miliarder në ditë gjatë 12 muajve të fundit, ndërsa bum-i i tregut të aksioneve i nxitur nga inteligjenca artificiale i çoi pasuritë në nivele të paimagjinueshme më parë”, tha ai.
Pesëshja më e pasur në botë
Pas Musk, vendin e dytë në listë e mban Larry Page, bashkëthemelues i Google, me një pasuri prej 257 miliardë dollarësh.
Në vendin e tretë renditet bashkëthemeluesi tjetër i Google Sergey Brin me 237 miliardë dollarë, i ndjekur nga themeluesi i Amazon Jeff Bezos me 224 miliardë dollarë.
Pesëshen e parë e plotëson drejtuesi i Meta, Mark Zuckerberg, me një pasuri të vlerësuar rreth 222 miliardë dollarë.
Rritje e pasurisë së Donald Trump
Sipas Forbes, pasuria e presidentit amerikan Donald Trump është rritur me rreth 27%, duke arritur në 6.5 miliardë dollarë, kryesisht për shkak të marrëveshjeve në sektorin e kriptovalutave dhe zhvillimeve ligjore në SHBA. Ai renditet në vendin e 645 në botë në listën e miliarderëve.
390 miliarderë të rinj në listë
Lista e vitit 2026 përfshin 390 miliarderë të rinj, ndër ta figura të njohura nga fusha të ndryshme.
Mes tyre janë muzikanti dhe sipërmarrësi Dr. Dre, Beyoncé Knowles-Carter, legjenda e tenisit Roger Federer, investitori Kimbal Musk, si dhe Greg Abel, pasardhësi i Warren Buffett në krye të Berkshire Hathaway.
Në listë përfshihet gjithashtu edhe Nicole Shanahan, ish-kandidate për nënpresidente në SHBA dhe ish-bashkëshortja e Sergey Brin.
Dominimi i SHBA në listë
Në nivel global, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë numrin më të madh të miliarderëve në botë, me 989 persona në listë, të cilët zotërojnë së bashku rreth 8.4 trilionë dollarë pasuri.
Pas SHBA-së renditet Kina kontinentale me 539 miliarderë, ndërsa India zë vendin e tretë me 229 miliarderë.
Klubi i 100 miliardë dollarëve
Një tjetër rekord këtë vit është rritja e numrit të personave me pasuri mbi 100 miliardë dollarë.
Sipas Forbes, 20 persona në botë kanë tashmë pasuri me 12 shifra, krahasuar me 15 një vit më parë, ndërsa në vitin 2017 nuk kishte asnjë.
Ky grup elitë zotëron së bashku 3.8 trilionë dollarë, që do të thotë se vetëm 0.5% e miliarderëve në botë kontrollojnë pothuajse një të pestën e gjithë pasurisë së tyre.
Ata që dolën nga lista
Nga ana tjetër, 89 persona dolën nga lista këtë vit, mes tyre themeluesi i Shift4 Payments dhe drejtuesi aktual i NASA-s Jared Isaacman, si dhe manjati i pasurive të paluajtshme Charles Cohen.
Përveç kësaj, 39 miliarderë kanë ndërruar jetë gjatë vitit të fundit.
Lista e Forbes mbetet një nga treguesit kryesorë për shpërndarjen e pasurisë në nivel global dhe pasqyron ndikimin gjithnjë në rritje të sektorëve si teknologjia, inteligjenca artificiale dhe tregjet financiare në krijimin e pasurisë në botë. /Pamfleti




Ti gezojme me shendet dhe jete !