
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se konflikti i Shteteve të Bashkuara me Iranin pritet të sjellë ulje të çmimeve të gazit në afat të gjatë, pavarësisht rritjes së fundit të kostove të energjisë në tregjet globale.
Gjatë një konference për shtyp, Leavitt u përpoq të qetësonte shqetësimet e qytetarëve amerikanë lidhur me rritjen e çmimeve të naftës dhe gazit, duke theksuar se ky fenomen është i përkohshëm.
“Sigurojmë popullin amerikan se rritja e fundit e çmimeve të naftës dhe gazit është e përkohshme dhe ky operacion do të çojë në çmime më të ulëta të gazit në planin afatgjatë”, tha ajo.
Megjithatë, zëdhënësja nuk dha një afat konkret se kur mund të pritet ulja e çmimeve.
Sipas saj, administrata amerikane po ndërmerr disa masa për të përballuar tronditjen në tregjet energjetike, përfshirë sigurimin e cisternave që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për transportin global të naftës.
Leavitt bëri të ditur gjithashtu se ushtria amerikane po përgatit opsione të reja operacionale për të garantuar që kjo rrugë detare strategjike të mbetet e hapur.
“Ushtria amerikane po harton operacione shtesë pas direktivës së presidentit për të siguruar që Ngushtica e Hormuzit të mbetet e hapur,” tha ajo, duke shtuar se presidenti është i gatshëm të përdorë çdo mjet të nevojshëm për të garantuar stabilitetin e furnizimeve energjetike.
Lini një Përgjigje