
Presidenti francez Emmanuel Macron ka sinjalizuar një kthesë të madhe në politikën e sigurisë së Francës dhe të gjithë Evropës, duke shpallur një rritje historike të buxhetit të mbrojtjes për dy vitet e ardhshme.
Në një fjalim të mbajtur përpara trupave të Forcave të Armatosura, në prag të Ditës Kombëtare më 14 korrik, Macron bëri të qartë se kontinenti nuk mund të mbështetet më vetëm te SHBA dhe NATO për sigurinë e vet.
“Që të jemi të lirë në këtë botë, duhet të na kenë frikë. Dhe që të na kenë frikë, duhet të jemi të fortë,” deklaroi ai, duke përcjellë një mesazh të fortë për ambicien e Francës për të udhëhequr mbrojtjen evropiane në një epokë të rreziqeve në rritje.
Në planin konkret, Macron njoftoi një shtesë prej 6.5 miliardë eurosh në buxhetin ushtarak, me objektivin që deri në vitin 2027, ai të arrijë në 64 miliardë euro në vit – më shumë se dyfishi i buxhetit të vitit 2017, kur ai mori postin. Kjo rritje vjen në një kohë kur Evropa ndodhet në pragun e një krize të re sigurie, me kërcënime të shumëfishta që variojnë nga agresioni rus dhe terrorizmi ndërkombëtar, deri te lufta kibernetike dhe dezinformimi masiv online.
Përtej aspektit buxhetor, Macron u ndal edhe te roli i arsenalit bërthamor francez, duke i bërë thirrje vendeve të Bashkimit Evropian për një dialog strategjik për rolin e armëve bërthamore në arkitekturën e sigurisë së përbashkët. “Siguria e Evropës nuk mund të mendohet pa këtë dimension strategjik,” tha ai, duke shtuar se koha e iluzioneve ka përfunduar.
Megjithëse masat e propozuara kanë gjetur mbështetje të madhe në të djathtën politike franceze, e majta e ka kritikuar ashpër këtë qasje, duke e cilësuar si një “sulm ndaj të drejtave sociale” në një kohë kur borxhi publik është në nivele të larta dhe inflacioni mbetet i ndjeshëm.
Në planin ndërkombëtar, Macron synon të pozicionojë Francën si një shtyllë të pavarur ushtarake dhe strategjike brenda BE-së, në një moment kur gjithnjë e më shumë shtete evropiane po rrisin shpenzimet për mbrojtje. Sipas raportit të fundit të SIPRI, shpenzimet ushtarake evropiane kanë arritur në 693 miliardë dollarë, me një rritje vjetore prej 17% – ritmi më i shpejtë që prej përfundimit të Luftës së Ftohtë.
Në këtë kontekst të polarizuar, mes një Perëndimi të pasigurt dhe një Lindjeje gjithnjë e më agresive, deklarata e Macron është më shumë se një politikë buxhetore – është një thirrje për zgjim dhe rindërtim të autonomisë strategjike evropiane.
Lini një Përgjigje