TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Korrik 2025, 22:45

Të shtënat në Kentaki, dy të vdekur dhe disa të plagosur

Shkruar nga Pamfleti

Të shtënat në Kentaki, dy të vdekur dhe disa të

Ngjarja e rëndë që tronditi shtetin e Kentakit të dielën ka marrë përmasa tragjike, pasi autoritetet konfirmuan se dy persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur pas një serie të shtënash që përfunduan në një kishë në qytetin Lexington.

Guvernatori i Kentakit, Andy Beshear, konfirmoi zyrtarisht vdekjet dhe tha se bëhet fjalë për një sërë incidentesh që përfshijnë të njëjtin person. Ai shtoi se një efektiv i policisë shtetërore u qëllua në aeroportin Blue Grass në qarkun Fayette mëngjesin e së dielës, ndërsa një tjetër sulm me armë ndodhi në Kishën Baptiste “Richmond Road”, ku pati edhe “disa të plagosur”.

“Polici dhe të tjerët janë duke marrë trajtim mjekësor në një spital pranë,” tha Beshear, duke theksuar se detajet ende po dalin dhe se më shumë informacion do të jepet në vijim.

Sipas rrjetit NBC News, efektivët e policisë shtetërore dhe të Departamentit të Policisë së Lexingtonit arritën ta lokalizojnë të dyshuarin në ambientet e kishës, pas ndjekjes që nisi në aeroport.

Dëshmitarët raportuan për prezencë të madhe policie dhe dëgjuan të shtëna në zonën e kishës. Zona përreth përshkruhet si rurale, me shumë toka bujqësore. Ende nuk ka të dhëna zyrtare për motivet e sulmit apo për identitetin e autorit, i cili më herët ishte raportuar si i vrarë nga policia.

Ndërkohë, autoritetet po verifikojnë nëse incidenti në kishë dhe ai në aeroport janë të ndërlidhura, dhe po hetojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjeve.

Guvernatori Beshear bëri thirrje për qetësi dhe bashkëpunim me autoritetet, duke theksuar se siguria e qytetarëve mbetet prioritet absolut.

Lini një Përgjigje