
Në Gaza, kuzhina është kthyer në zonë toksike. Familjet po gatuajnë me plastikë e mbeturina, duke thithur helm kafshatë pas kafshate…
Në Gaza, nuk ka më tinguj jete. Ka vetëm tinguj frike: zhurma e dronëve mbi kokë, ulërimat e ambulancave në rrugicat e ngushta, avionët luftarakë që përplasin qiellin, shpërthimet që rrënojnë ndërtesa dhe klithmat nga gërmadhat. Por tani është shtuar edhe një tingull i ri: zhurma bosh e bombolave pa gaz.
Klikimi i vogël i sobës me gaz, ai zhurmues i jetës së përditshme që paralajmëronte një vakt të ngrohtë apo një çaj, është zëvendësuar nga tingulli i heshtur i boshatisjes. Në mes të Ramazanit, si shumica e familjeve në Gaza, edhe ata përdorën pikën e fundit të gazit. Nëna e autorit tha me trishtim: “Që sot, as një çaj nuk mund të ziejmë për syfyr.”
Sepse në Gaza, edhe një fije drite natën mund të të vrasë. Një dritëz zjarri mund të të bëjë objektiv për një dron. Pse? As vetë banorët nuk dinë ta thonë. Thjesht e dinë që nuk kanë të drejtë të pyesin.
Pasi furrat e bukës u mbyllën për shkak të mungesës së gazit, zjarri u bë mjeti i vetëm i mbijetesës. Të gjithë, nga fëmijët te të moshuarit, filluan të përdornin soba balte të improvizuara në rrugë apo mes çadrave për të pjekur bukë.
Por tymi, i zi, i trashë, i rëndë nuk është më nga bombat. Është tymi i “jetës” që po i mbyt ngadalë.
Çdo mëngjes fillon me kollë. Jo një kollë kalimtare, por një që ngulitet në kraharor, që të përplas mushkëritë. Njerëzit përshkruajnë sesi mbledhin dru nga rrënojat, mobiljet e thyera, pemët e shembura, gjithçka që mbart kujtime, tani shndërrohet në karburant për të mbijetuar.
Djegia nuk është e lehtë. Kërkon orë të tëra, shumë mund dhe shumë helm për të thithur. Babai ndihmon pavarësisht sëmundjes në frymëmarrje, një akt kokëfortësie që kthehet në burim konfliktesh familjare.
Çmimi i druve është rritur pesëfish. Nga një dollar për tetë kilogramë, sot mund të blesh vetëm një, ndoshta as aq. Të varfëruarit djegin pemët e tyre. Ulliri që dikur ishte simbol i bekimit, tani është karburanti i mbijetesës.
Të tjerët kanë kaluar në një fazë më të errët: djegin plastikë, goma, mbeturina. Era e tymit plastik shoqëron çdo kafshatë. Ushqimi ka shijen e helmit. Tym që shkakton sëmundje kronike, vështirësi në frymëmarrje, madje edhe kancer. Por çfarë alternative kanë? Pa zjarr, nuk ka ushqim.
Kuzhina, dikur vendi i ngrohtësisë dhe bashkimit familjar, është kthyer në një zonë toksike. Ushqimi s’është më kënaqësi, por një akt i dhimbshëm që shoqërohet nga lot, kollë, dhe frikë. Buka është bërë nga miell i mykur, supa nga thjerrëza dhe pluhur.
Tradita e vakteve është shkatërruar. Darkat s’janë më momente bashkimi, por prova që duhet përballuar. Çdo vakt është një rrezik për shëndetin. Lutjet nuk janë më për paqe, por që tymi i ditës të mos shkaktojë sëmundje të reja.
Nëse një bombë nuk të vret, atëherë vdekja do vijë më ngadalë nga tymi, nga helmi, nga heshtja ndërkombëtare./Pamfleti
Lini një Përgjigje