Ndërsa vëmendja globale është përqendruar te stili autoritar i presidentit Donald Trump dhe goditjet e vazhdueshme ndaj rregullave të demokracisë amerikane dhe rendit ndërkombëtar, më pak është folur për bilancin real të politikave të tij ekonomike, përtej çështjes së doganave.
Megjithëse tregjet financiare kanë shënuar performancë pozitive dhe bursa amerikane ka pasur rritje, perceptimi i përgjithshëm në mesin e qytetarëve është se kushtet e jetesës janë përkeqësuar. Kjo pakënaqësi reflektohet qartë në sondazhe. Të dhënat ekonomike nuk janë katastrofike, por janë shqetësuese. Inflacioni mbetet mbi objektivin 2%, në nivelin 2,7%, Prodhimi i Brendshëm Bruto rritet më shumë se parashikimet, por papunësia është në rritje.
Gjatë fushatës elektorale, Trump e kishte cilësuar ekonominë e trashëguar nga Joe Biden si “katastrofë” dhe kishte premtuar një “epokë të re ari” për amerikanët. Një vit më vonë, kjo epokë nuk duket askund. Inflacioni mbetet pothuajse në të njëjtat nivele si në fund të presidencës Biden, ndërsa papunësia, që ishte në minimum historik 4.2%, ka shkuar në 4.7%.
Sipas analistëve, përfshirë edhe ata konservatorë të “Wall Street Journal”, problemi kryesor nuk janë vetëm shifrat, por pasiguria e krijuar nga Trump me deklarata të shpeshta dhe politika doganore që ndryshon sipas interesave politike. Kjo ka bërë që shumë kompani të ofrojnë kryesisht punë part-time. Si pasojë, siguria në punë është ulur dhe pagat nuk po rriten me të njëjtin ritëm si çmimet. Kostot që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme, strehimi, ushqimi dhe faturat po rriten më shpejt se inflacioni zyrtar, i cili mbahet relativisht i ulët falë rënies së çmimit të naftës dhe karburanteve.
Trump i minimizon të dhënat negative, duke i quajtur problem “slogan të demokratëve”, por brenda ekipit të tij ekziston shqetësim real për krizën e përballueshmërisë ekonomike dhe ndikimin e saj në zgjedhjet e nëntorit. Shpresa lidhet me efektet e ligjit buxhetor, i ashtuquajturi “Big Beautiful Bill”, që parashikon më pak taksa për bizneset dhe më pak rregullime, me synimin për të nxitur rritjen.
Megjithatë, rritja aktuale ekonomike nuk po shoqërohet me hapje të vendeve të reja pune. Përkundrazi, ekziston frika se stimulimi i tepruar financiar mund të shkaktojë rritje të re të çmimeve, sidomos nëse Trump arrin të ushtrojë presion mbi Rezervën Federale për ulje të forta të normave të interesit.
Sondazhet tregojnë se mbështetja për Trump po bie. Shumica e amerikanëve e vlerësojnë negativisht, ndërsa vetëm 36% e miratojnë menaxhimin e tij të ekonomisë.
Përtej ciklit ekonomik, analistët vërejnë një ndryshim më të thellë. Trump, i cili në mandatin e parë mbështeste ekonominë e tregut të lirë, po orienton SHBA-të drejt një modeli më dirigjist, të ngjashëm me kapitalizmin shtetëror. Kjo përfshin përpjekje për të ndikuar drejtpërdrejt mbi Rezervën Federale, përdorimin politik të autoriteteve rregullatore dhe ndërhyrje të drejtpërdrejta në kompani dhe tregje.
Shembujt janë të shumtë: nga propozimi për të vendosur tavan mbi interesat e kartave të kreditit, që shkaktoi rënie të aksioneve bankare, te presionet ndaj kompanive të naftës për investime në Venezuelë; nga hyrja e shtetit në kapitalin e Intel, te kushtëzimi i marrëveshjeve industriale dhe eksportit të çipave drejt Kinës. Pa llogaritur ndalimin e turbinave eolike offshore dhe hapjen pa kufij ndaj kriptomonedhave.
Sipas shumë ekonomistëve, përfshirë edhe konservatorë, SHBA-të po kalojnë nga një ekonomi liberale në një formë kapitalizmi klientelist, ku suksesi i bizneseve varet më shumë nga përmbushja e dëshirave të presidentit sesa nga rregullat e tregut./ Corriere della Sera
Lini një Përgjigje