Italia është jo vetëm ekonomia e tretë më e madhe e BE-së, por gjithashtu po bëhet një partner gjithnjë e më i rëndësishëm industrialisht.
Franca, Polonia, Gjermania – por jo Italia: Në një version të hershëm të marrëveshjes së koalicionit, Roma ishte ende pjesë e një boshti strategjik të BE-së. Sipas informacioneve të gazetës WELT, kjo pjesë u hoq me kërkesë të SPD-së (Partia Socialdemokrate Gjermane). Përfaqësues të CDU-së e quajnë këtë, në mënyrë jozyrtare, një gabim.
Për kancelarin gjerman Friedrich Merz (CDU), javët e para në detyrë janë më shumë sesa një provë për politikën e jashtme, ato mund të jenë tashmë përcaktuese për drejtimin që do të marrë politika e tij. Pas udhëtimeve shumë të komentuara në Paris, Varshavë dhe Kiev, Merz pritet të udhëtojë në fundjavë në Romë. Arsyeja është inaugurimi i Papës Leo XIV. Megjithatë, besohet gjerësisht se do të ketë edhe një takim me kryeministren italiane Giorgia Meloni.
Merz dhe Unioni (CDU/CSU) janë të interesuar për një partneritet të ngushtë me Italinë. Por, sipas burimeve të WELT, ata janë përballur me një pengesë që gjatë negociatave për koalicionin me SPD-në. Partneri i koalicionit pengoi një sinjal më të qartë drejt Romës.
Në draftet e para të marrëveshjes së koalicionit, Italia përmendej qartë si anëtare e një boshti të zgjeruar me Gjermaninë, Francën dhe Poloninë. Sipas WELT, formulimi origjinal ishte:
"Në formatin ‘Weimar plus’ duhet të përfshihen edhe partnerë të tjerë të ngushtë si Republika Çeke. Si ekonomia e tretë më e madhe e BE-së, Italia është për ne një partner i rëndësishëm."
Në versionin përfundimtar të marrëveshjes së koalicionit, Italia mungon në këtë kontekst. Në vend të saj, tani thuhet: “Në trekëndëshin e Weimar-it do të kërkojmë koordinim të ngushtë për të gjitha çështjet relevante të politikës europiane, për të vepruar në shërbim të një Bashkimi Europian më të bashkuar. Në formatin ‘Weimar plus’ duhet të përfshihen edhe partnerë të tjerë të ngushtë”.
Italia përmendet vetëm në lidhje me një fond dypalësh për të ardhmen.
Sipas informacioneve të gazetës WELT, heqja e Italisë u bë me kërkesë të SPD-së. Disa persona të njohur me zhvillimet e brendshme të grupit negociator për çështjet europiane konfirmojnë se përfshirja e Italisë ishte propozim i CDU-së, por u hoq me dëshirën e socialdemokratëve.
Nga rrethi i negociatores së SPD-së, Katarina Barley, thuhet se synimi ishte të theksohej trekëndëshi i Weimar-it si boshti qendror i Bashkimit Europian. Barley i tha WELT:
“Përmendja ka për qëllim të nderojë trekëndëshin e Weimar-it si një bosht qendror të BE-së. Kjo buron edhe nga përgjegjësia e veçantë historike që ka Gjermania ndaj këtyre dy vendeve”. Sipas saj, marrëdhënia me Italinë nuk është e krahasueshme.
Edhe eurodeputeti i SPD-së, René Repasi, thekson dallimet gjeografike dhe historike:
“Qeveria federale dëshiron marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e BE-së. Franca dhe Polonia theksohen në kuadër të trekëndëshit të Weimar-it. Kjo lidhet me faktin që këto vende kanë një kufi të gjatë të përbashkët me Gjermaninë dhe pajtimi me to, në kontekstin e Luftës së Dytë Botërore, ka një rëndësi të veçantë”.
Italia, sipas Repasi-t, nuk ka kufi të përbashkët me Gjermaninë, dhe puna e pajtimit me Italinë është gjithashtu ndryshe nga ajo me Francën dhe Poloninë, pavarësisht nga partitë që aktualisht janë në pushtet në këto vende.
Përse u hoq Italia nga versioni fillestar, zyrtarisht nuk e thotë askush. Si arsye, disa bashkëbisedues përmendin faktin që palët ishin marrë vesh për ruajtjen e konfidencialitetit gjatë negociatave dhe nuk donin të shfaqeshin me rrjedhje informacioni siç kishte ndodhur me koalicionin e mëparshëm të "semaforit".
Sipas tyre, vendimtare është teksti përfundimtar dhe aty Italia gjithsesi merr njëfarë vlerësimi.
Vendi i Italisë në arkitekturën e pushtetit europian
Fakti që SPD-ja tani heq dorë nga një përmendje e spikatur e Italisë, i atribuohet, sipas burimeve nga rrethi i negociatorëve skepticizmit ndaj qeverisë së Giorgia Melonit, e cila nga kritikët është cilësuar si “post-fashiste”. Politikanë të Unionit (CDU/CSU), në mënyrë jozyrtare, e kritikojnë ashpër këtë vendim, duke e quajtur një "gabim strategjik". Sipas tyre, Italia është një partner i besueshëm: pro-ukrainas, pro-europian dhe me marrëdhënie të mira me presidentin amerikan Donald Trump.
Nga pikëpamja historike, mospërmendja qendrore e Italisë nuk është një përjashtim. Që nga krijimi i Bashkimit Europian, gjatë krizës së euros dhe deri më sot, roli dhe ndikimi i Italisë kanë lëkundur vazhdimisht mes qendrës dhe periferisë. Sa herë që qeveritë italiane ndiqnin një kurs konstruktiv si nën drejtimin e Mario Monti-t apo Mario Draghi-t – pozicioni politik i Romës përforcohej. Në periudha me dallime ideologjike, si nën Berlusconi apo Salvini, Italia shpesh përjashtohej politikisht.
Në marrëveshjet qeveritare gjermane, përfshirë atë të koalicionit "semafor" që e parapriu këtë, vëmendja kryesore i kushtohet marrëdhënieve me Poloninë dhe Francën, edhe për shkak të përgjegjësisë historike.
Kështu, në një reagim zyrtar, Patricia Lips, nënkryetare e grupit parlamentar të CDU/CSU, qetëson situatën:
Roli i Italisë si shtet anëtar i rëndësishëm i BE-së është marrë në konsideratë në mënyrë të mjaftueshme.
“Marrëveshja ofron një bazë solide politike për një bashkëpunim më të thelluar gjermano-italian në kontekstin europian duke pasur parasysh marrëdhëniet tradicionalisht të ngushta mes dy vendeve dhe planin e veprimit gjermano-italian, të nënshkruar gjatë qeverisë së mëparshme, për forcimin e bashkëpunimit strategjik si në nivel dypalësh ashtu edhe në BE”, tha Lips.
Ajo shtoi se nuk është vetëm rënë dakord për koordinim të ngushtë brenda Trekëndëshit të Weimar-it për çështjet kyçe europiane, por edhe për të përfshirë partnerë të tjerë në formatin “Weimar plus”.
“Për këtë, Italia duhet dhe mund të jetë pjesë, aty ku ka kuptim si një shtet themelues i BE-së, anëtar i G7, G20 dhe partner i NATO-s”.
Përjashtimi simbolik me ndikim politik
Megjithatë, ajo që mund të duket si një korrigjim redaksional në marrëveshjen e koalicionit mund të ketë një ndikim të rëndësishëm diplomatik në afat të gjatë. Sepse, kush përmendet me rëndësi në dokumentet zyrtare të bashkëpunimit europian dhe kush jo, flet shumë për boshtet e fuqisë joformale brenda BE-së. Fakti që Italia u hoq nga formati i parashikuar “Weimar plus”, të paktën në mënyrë eksplicite, do të vërehet në Romë.
Në përgjigje të një pyetjeje nga WELT, ambasada italiane në Berlin nuk pranoi të komentonte. Por nga Roma, po dëgjohen zëra paralajmërues: “Po e ndjekim me vëmendje situatën. Marrëdhënia mes Gjermanisë dhe Italisë ka qenë gjithmonë pragmatike dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme për stabilitetin e Europës”.
Rëndësia ekonomike e Italisë për Gjermaninë
Ky debat vjen në një javë kur bëhet edhe më e qartë rëndësia ekonomike e Italisë për Gjermaninë. Italia është jo vetëm ekonomia e tretë më e madhe e BE-së, por gjithashtu po bëhet një partner gjithnjë e më i rëndësishëm industrialisht.
Të enjten e ardhshme, prodhuesi italian i çelikut Feralpi do të hapë zyrtarisht fabrikën e tij të re të valëzimit në Riesa të Saksonisë. Kryeministri i Saksonisë, Michael Kretschmer (CDU), ambasadori italian Fabrizio Bucci dhe shumë deputetë pritet të jenë të pranishëm.
Fabrika e re do të funksionojë pa emetuar ndotje. Feralpi ka investuar rreth 220 milionë euro në këtë projekt të prodhimit të çelikut në Saksoni, dhe sipas kompanisë, ky është një projekt unik në Gjermani. Feralpi gjithashtu është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në një rajon të varfër dhe ka një rëndësi të madhe për këtë zonë.
Ky përjashtim i Italisë në marrëveshjen e koalicionit mund të duket simbolik, por prania e fuqishme ekonomike e Italisë në Gjermani tregon se partneriteti mes dy vendeve mbetet i rëndësishëm dhe strategjik, siç po theksohet nga qeveria gjermane.
Lini një Përgjigje