Bota27 Mars 2023, 22:56

Hungaria voton pro anëtarësimit të Finlandës në NATO, nuk ka “dritë jeshile” për Suedinë

Shkruar nga Pamfleti

Hungaria voton pro anëtarësimit të Finlandës në NATO,

Parlamenti i Hungarisë ratifikoi të hënën aplikimit për anëtarësim e Finlandës në NATO. Ndërkohë që ende nuk është votuar për anëtarësimin e Suedisë në aleancën ushtarake.

Projektligji për pranimin e Finlandës në NATO u miratua me 182 pro dhe gjashtë vota kundër, pasi u shty disa herë. Megjithëse aplikimi finlandez tashmë është miratuar, ai suedez është ende i bllokuar në parlamentin hungarez.

Dy vendet nordike, Finlanda dhe Suedia kërkuan t’i bashkohen NATO-s vitin e kaluar, në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës. Por ky proces u pengua nga Turqia dhe Hungaria.  

Hungaria mbetet i vetmi vend anëtar i NATO-s, që përveç Turqisë, nuk ka miratuar ende aplikimin e Suedisë për t’iu bashkuar aleancës ushtarake perëndimore. NATO-ja kërkon që të 30 shtetet të ratifikojnë aplikimet për anëtarësim me qëllim që të pranohen shtetet e tjera.

Ndërkohë që sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se i kishte kërkuar Turqisë dhe Hungarisë që të ratifikojnë të dyja kërkesat. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha javën e kalaur se Turqia do të nisë procesin e ratifikimit të anëtarësimit të Finlandës në NATO, por jo edhe të Suedisë.

Ankaraja kundërshton pranimin e Suedisë, pasi thotë se strehon persona që i konsideron anëtarë të organizatave terroriste.

 

hungaria suedia finlanda