TAGS-AT E JAVËS

Kronike29 Qershor 2026, 15:10

Hakmarrja Agolli-Syzo, arrestohen autori dhe shoku i tij; policia nis kërkimet në liqen për armën

Shkruar nga Pamfleti

Hakmarrja Agolli-Syzo, arrestohen autori dhe shoku i tij; policia nis

Hakmarrja mes Nikolla Agollit dhe Brian Syzos çoi në një plagosje me armë zjarri në Pogradec, ndërsa policia arrestoi autorin dhe shokun e tij, teksa vijojnë kërkimet në liqen për gjetjen e armës së krimit.

Zbardhen detaje të reja nga plagosja me armë zjarri e regjistruar në Pogradec. Burime bëjnë me dije se policia ka shoqëruar një person, i cili dyshohet se ka qenë së bashku me autorin në momentin kur ndodhi sulmi.

Ndërkohë, autori i dyshuar, Nikolla Agolli, është lokalizuar dhe arrestuar në Përrenjas, pas një operacioni të koordinuar mes Policisë së Korçës dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.

Raportohet se, pas ngjarjes Agolli dhe personi që e shoqëronte kanë braktisur automjetin në zonën e Qafë Thanës dhe më pas janë larguar me një fugon, në përpjekje për t'i shpëtuar policisë.

Emri i Nikolla Agollit lidhet edhe me një tjetër ngjarje të rëndë. Në janar të vitit 2025, ai mbeti i plagosur me armë zjarri në një berberhane në Pogradec, ku dyshohet se u qëllua nga Sindi Syzo, vëllai i Brian Syzos.

Ngjarja e sotme ndodhi rreth orës 13:15, në lagjen nr. 3 të Pogradecit. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, dyshohet se 24-vjeçari Nikolla Agolli ka plagosur me armë zjarri në këmbë 35-vjeçarin Brian Syzo.

Sipas hetuesve, dyshohet se plagosja është motivuar nga hakmarrja për konfliktin e mëparshëm mes palëve. Paralelisht me hetimet, forcat e policisë po kryejnë kërkime edhe në liqenin e Pogradecit, pasi dyshohet se autori ka hedhur aty armën e zjarrit të përdorur në krim.

Kujtojmë se, Brian Syzo në vitin 2025 është ekstraduar nga Gjermania dhe ka qenë i akuzuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Ky i fundit, u transportua në spitalin e Pogradecit për të marrë ndihmë mjeksore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Por, 35-vjeçari është nisur me helikopter drejt Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë për të marrë trajtim të specializuar. Burime bëjnë me dije se plumbi i ka dëmtuar një nga venat kryesore të këmbës, çka rrit rrezikun e komplikacioneve serioze, deri edhe të amputimit të gjymtyrës, ndaj ndërhyrja e specializuar mjekësore konsiderohet jetike.

Lini një Përgjigje