TAGS-AT E JAVËS

Kronike29 Qershor 2026, 15:26

Plumbi i ka prekur venën kryesore, Brian Syzo niset drejt Spitalit të Traumës!

Shkruar nga Pamfleti
Plumbi i ka prekur venën kryesore, Brian Syzo niset drejt Spitalit të
Brian Syzo niset me helikopter drejt Traumës

Brian Syzo, i cili mbeti i plagosur me armë zjarri në Pogradec, është transportuar drejt Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë për të marrë trajtim më të specializuar.

Sipas mjekëve të spitalit të Pogradecit, gjendja e tij ka kërkuar transferimin në një qendër të specializuar. Mësohet se plumbi e ka goditur në këmbë dhe i ka prekur njërën prej venave kryesore.

Sipas të njëjtit burim, dëmtimi mund të paraqesë rrezik për amputimin e gjymtyrës, megjithatë autoritetet shëndetësore nuk kanë dhënë ende një njoftim zyrtar mbi gjendjen e tij shëndetësore apo prognozën.

Ndërkohë, policia ka zbardhur detaje të reja mbi ngjarjen. Burime bëjnë me dije se është shoqëruar një person, i cili dyshohet se ka qenë së bashku me autorin në momentin e plagosjes.

Autori i dyshuar, Nikolla Agolli, është lokalizuar dhe arrestuar në Përrenjas, pas një operacioni të koordinuar mes Policisë së Korçës dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.

Sipas hetimeve paraprake, pas ngjarjes Agolli dhe personi që e shoqëronte kanë braktisur automjetin në zonën e Qafë Thanës dhe më pas janë larguar me një fugon, në përpjekje për t'iu shmangur policisë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:15 në lagjen nr. 3 të Pogradecit. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, Nikolla Agolli dyshohet se ka plagosur me armë zjarri në këmbë 35-vjeçarin Brian Syzo.

Hetuesit dyshojnë se motivi i sulmit lidhet me hakmarrjen për një konflikt të mëparshëm mes palëve. Në kuadër të hetimeve, forcat e policisë po kryejnë kërkime edhe në liqenin e Pogradecit, pasi dyshohet se autori ka hedhur aty armën e zjarrit të përdorur në krim.

Emri i Nikolla Agollit lidhet edhe me një ngjarje të ndodhur në janar të vitit 2025, kur ai mbeti i plagosur me armë zjarri në një berberhane në Pogradec. Për atë ngjarje u dyshua si autor Sindi Syzo, vëllai i Brian Syzos.

Po ashtu, Brian Syzo u ekstradua nga Gjermania në vitin 2025 dhe ishte akuzuar për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.

brian syzo

Lini një Përgjigje