
Dy pjesëtarë të Gardës Kombëtare janë qëlluar për vdekje sot në Washington D.C., në një incident që ka tronditur institucionet federale dhe ka sjellë reagime të menjëhershme të nivelit më të lartë në SHBA. Ngjarja ndodhi pasditen e së mërkurës, në një zonë ku Garda Kombëtare ishte e angazhuar në shërbim rutinë, ndërsa rrethanat e sulmit mbeten ende të paqarta. Autoritetet lokale dhe federale kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur një operacion të gjerë hetimor.
FBI konfirmoi menjëherë se ka marrë pjesë aktive në hetimet. Drejtori i Byrosë, Kash Patel, në një postim në rrjetet sociale, tha se agjentët federalë “janë të angazhuar dhe po asistojnë hetimin në Ëashington D.C. pas ngjarjes ku pjesëtarë të Gardës Kombëtare u qëlluan këtë pasdite”. Ai u bëri thirrje qytetarëve të luten për viktimat dhe theksoi se informacione të tjera do të publikohen sapo të jetë e mundur.
Edhe Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, reagoi publikisht, duke deklaruar se agjentët federalë kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për të sqaruar motivin dhe autorët e sulmit. Ajo e përshkroi incidentin si “një sulm të tmerrshëm ndaj dy gardistëve të D.C.-së” dhe u solidarizua me forcat e sigurisë.
Tragjedia u konfirmua zyrtarisht nga guvernatori i Virxhinias Perëndimore, Patrick Morrisey, i cili bëri të ditur se të dy ushtarakët e plagosur nuk i mbijetuan sulmit. “Këta West Virginians të guximshëm humbën jetën në shërbim të vendit të tyre,” shkroi ai, duke premtuar se shteti i tij “nuk do ta harrojë kurrë sakrificën e tyre” dhe se do të kërkohet përgjegjësi e plotë për atë që ai e quajti një akt të rëndë e të papranueshëm.
Policia dhe FBI kanë vendosur një perimetër sigurie në zonë, ndërsa po analizohen pamjet e sigurisë dhe po mblidhen dëshmi. Deri tani nuk është bërë publik asnjë informacion mbi të dyshuar apo motivet e mundshme, ndërsa hetimet pritet të vijojnë gjatë natës dhe ditëve në vijim.
Në SHBA, ngjarja ka rindezur diskutimet mbi sigurinë e personelit ushtarak brenda territorit amerikan dhe rrezikshmërinë e incidenteve të papritura ndaj forcave që operojnë në misione civile. Autoritetet federale theksojnë se prioritet mbetet identifikimi i autorit dhe garantimi i sigurisë në zonën e sulmit.
Lini një Përgjigje