Presidenti Donald Trump tha se një i dyshuar është arrestuar pasi u dëgjuan të shtëna pranë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në Uashington DC, duke shtuar se autoritetet federale po hetojnë banesën e tij në Kaliforni.
“Personi është arrestuar. Ata po shkojnë në apartamentin e tij. Mendoj se jeton në Kaliforni, dhe është një person i sëmurë, shumë i sëmurë, dhe ne nuk duam që gjëra të tilla të ndodhin,” tha Trump pasi u shoqërua jashtë skenës gjatë incidentit.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë dhe i rrethuar nga anëtarë të kabinetit të tij, presidenti përshkroi veprimet e të dyshuarit para të shtënave.
“Një person sulmoi një pikë kontrolli sigurie i armatosur me disa armë dhe u neutralizua nga disa anëtarë shumë të guximshëm të Shërbimit Sekret,” tha Trump.
I dyshuari ka studiuar inxhinieri dhe është i diplomuar në California Institute of Technology, i njohur si Caltech, sipas materialeve të siguruara nga CNN.
Sipas informacioneve të fundit të autoriteteve, personi i dyshuar për sulmin është një 31-vjeçar nga Kalifornia, sipas disa zyrtarëve të zbatimit të ligjit të informuar mbi hetimin.
Kush është Cole Tomas Allen?
I dyshuari i armatosur që u vu në pranga gjatë darkës së White House Correspondents’ Dinner është identifikuar si Cole Tomas Allen, 31 vjeç, nga Kalifornia, sipas tre burimeve që kanë dijeni për çështjen dhe që folën për CNN.
Shefi i përkohshëm i policisë në Washington DC, Jeffery Carroll, deklaroi para gazetarëve se i dyshuari kishte disa armë me vete ndërsa “u vërsul” drejt një pike kontrolli të Shërbimit Sekret.
“Ai ishte i armatosur me një armë gjahu, një pistoletë dhe disa thika”, tha Carroll. “Ndërsa kaloi me vrap nëpër atë pikë kontrolli, forcat e rendit nga Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara e neutralizuan".
Carroll shtoi se i dyshuari dhe oficerët “shkëmbyen zjarr”.
Sipas prokurores federale Jeanine Pirro, personi i arrestuar do të përballet me dy akuza: përdorim i armës së zjarrit gjatë një krimi të dhunshëm dhe sulm ndaj një oficeri federal me armë të rrezikshme.
“Është e qartë, bazuar në atë që dimë deri tani, se ky individ kishte për qëllim të shkaktonte sa më shumë dëm dhe shkatërrim të ishte e mundur", tha Pirro.
“Ajo që është fatmirësisht pozitive është se pika e kontrollit, e vendosur jashtë sallës ku ndodheshin mijëra persona për të dëgjuar presidentin, funksionoi siç duhet, dhe askush nuk u plagos kur u bë e qartë drejtimi i këtij të pandehuri".
Pirro shtoi se i dyshuari do të paraqitet para gjykatës të hënën.
Ndërkohë, sipas kryetares së bashkisë së Washington DC, Muriel Bowser, i dyshuari po mjekohet në një spital lokal. Ai nuk është qëlluar me armë zjarri, por po i nënshtrohet vlerësimeve mjekësore, deklaroi gjithashtu shefi i përkohshëm i policisë, Jeffery W. Carroll.
Një agjent i Shërbimit Sekret është plagosur dhe po mjekohet gjithashtu në spital, konfirmoi Bowser.
Lini një Përgjigje